Kakofonia në jetesën urbane është pika në të cilën graviton çifti i artistëve Sokol dhe Doruntinë Maloku. Pavarësisht se ata zgjedhin mediume dhe teknika të ndryshme për t’u shprehur artistikisht, pikëtakimin e kanë të përbashkët, si në jetë, njëjtë dhe në rrugëtimin artistik. Nëpërmjet artit ata pasqyrojnë këndvështrimet e tyre mbi kakofoninë, si dukuri në qytetërimet moderne
Destinacionet alternative nëpër kryeqytet, të cilat i kushtojnë rëndësi dhe i ofrojnë hapësirë artit janë prezente kaherë, dhe duket se kryejnë një mision të heshtur që i shërben kultivimit të vlerave estetike e kulturore të shoqërisë. Njëra prej tyre, si vend kult në Prishtinë është edhe galeria “Hani i Dy Robertëve” që dikur shërbente si një entitet i vogël i cili bënte bashkë artistë, gazetarë e diplomatë të kohës. Rezistenca ndaj pushtetit represiv kishte qenë mision i pashkruar për ta, e tash me një trashëgimi 35-vjeçare, kjo hapësirë – e cila pas luftës disa herë ndërroi lokacion – vazhdon të jetë shtëpi ku artistë të rinj e të afirmuar, të njohur e më pak të njohur, zgjedhin të shfaqin veprat e tyre.
Këtë zgjedhje e bënë dhe Sokol Maloku dhe Doruntinë Berisha-Maloku, çift artistësh kosovarë që jetojnë në Zvicër. Të dy në këtë ekspozitë për publikun prishtinas sjellin një koleksion të pasur veprash i cili ka një shtrirje të gjerë për nga mediumet dhe stilistikat e përdoruara.
“Diagonal” është titulli i ekspozitës, dhe përmes saj dy artistët paraqesin individualitetin e tyre të dallueshëm artistik, pavarësisht se qëndrojnë të strehuar në tema të njëjta të cilat i trajtojnë. Këtë radhë nëpërmjet artit ata pasqyrojnë këndvështrimet e tyre mbi kakofoninë, si dukuri në qytetërimet moderne. Kjo kakofoni shfaqet nëpër pikturat e Sokol Malokut, të cilat karakterizohen në dukje si tip kolazhesh, por paraqesin teknika të përziera që mbështeten në rreshta të shtypit gjerman me tituj pompozë që ironizojnë me ideologjitë. Në disa nga kompozicionet e tij ai përdor edhe pjesë nga shtypi shqiptar gjatë komunizmit, teksa vend i bën dhe portretit të Ramiz Alisë.

Në anën tjetër çarçafët e Doruntinë Berishës-Malokut, përtej mesazheve të kakofonisë që ajo i ka përdorur si kanavacë duke inkorporuar në disa prej tyre edhe qëndisjen, nisen nga indice të tjera. I trajton temat me këndvështrime konceptuale. Përmes vizatimeve në këta çarçafë krijon narrativa unike për kaosin urban teksa tenton të fusë në binarë një realitet të shthurur. Vëmendje të veçantë në ekspozitë krejt natyrshëm merr një çarçaf i prerë në formë rrethore e i vizatuar e ngjyrosur prej saj si një kontrast me të bardhën ku vend u bën dhe disa vargjeve të ndjera të cilat ftojnë në intimitet. Dy artistët janë larguar shpejt pas vernisazhit të ekspozitës.
E Shkëlzen Maliqi, kurator i kësaj ekspozite, e emërton veprimtarinë e dyshes si kakaoptike, një zgjerim i kakofonisë në artet pamore.
“Për Sokolin dhe Doruntinën do të mund të thoshim se veprat e tyre trajtojnë një gjendje (post)moderne kakaoptike, të ballafaqimit tonë më cunam që çdo sekondë vërshojnë mediat me imazhe të ndryshme, ndër to shpesh të katastrofave sociale por edhe ato natyrore, që shpesh shkaktohen nga sistemi destruktiv i shfrytëzimit të pamëshirshëm i resurseve të kufizuara të planetit”, shkruhet në konceptin kuratorial.
Në prononcim për KOHËN, Maliqi artin e dyshes e vlerëson si interesant dhe veprimtari artistike e cila komunikon.
“Më duket si një përpjekje interesante e tyre me reflektu aktualitetin që unë po e lidh me fundin e modernizmit dhe kakofoninë në të cilën jemi tash aktualisht si botë, me shumësinë e ngjarjeve, imazheve dhe ndodhive”, ka shtuar Maliqi.
Veprat e ekspozuara nën titullin “Diagonal” vijnë si një përthyerje këndvështrimesh e cila transmeton herë-herë dhe tone pesimiste, por vend në to gjen edhe shpresa, diku si metaforë përmes ngjyrave plot jetë e diku dhe si mesazhe direkte me referenca edhe nga muzika.

Përdorimi i një game të gjerë teknikash bashkë me detajet e shumta, për vizitorët krijon përvojë dinamike e cila kushtëzon edhe kundrimin e gjatë të secilës vepër.
Piktorja Zake Prelvukaj, e pranishme në ekspozitë, ka thënë se veprat e dyshes paraqesin një veprimtari të pasur.
“Sonte prezantohen dy artistë shumë të mirë, që e kanë njëfarë dallimi në motiv dhe në shkrirjen artistike që e kanë përzgjedhur. Gëzohem kur shoh artistë relativisht të rinj që i qasen kësaj pune karakteristike dhe përveç mediumeve që kanë treguar sonte ata na kanë ofruar njëfarë arti të këndshëm, të fuqishëm dhe që komunikon një motiv njerëzor”, ka thënë Prelvukaj.
Ekspozita vjen si me dinamikë që gërsheton ndikimet e çiftit nga formimi i tyre në Perëndim dhe rrënjët kosovare, teksa i përgjigjen saktë realitetit universal të bashkëkohësisë, në të cilin mund të reflektojnë të gjithë.