Nëse Jasques Derrida u bë i famshëm për konceptin e tij të “dekonstruksionit”, që kritikonte mënyrën tradicionale të leximit dhe shkrimi të tekstit, artisti shqiptar, Lui Shtini, ka mënyrën e tij të dekonstruksionit të koncepteve filozofike njësoj sikurse edhe mënyrës së të bërit art. Zhytet në abstraksion, por ruan formën, krijon gjallesa të reja, shtyn kufijtë e njerëzores dhe sjell një botë unike
Arti dhe filozofia ndajnë një marrëdhënie të qenësishme, e cila rëndom i dhuron shtrirje kuptimore njërës apo tjetrës. Ky raport shpesh evidentohet dhe duke u ndërthurur në koncepte ekspozitash, veçanërisht brenda konditave të artit bashkëkohor.
Artistët punët e tyre i përqafojnë me koncepte filozofike. Nëpërmjet kësaj qasjeje përveç përvojës estetike si motiv, shpesh parësor, ofrohet edhe njëfarë sintetizimi intelektual.
Kompleksiteti i natyrës njerëzore, sfidimi i normave, provokimi i mendjes janë vetëm disa prej shtigjeve që mund t’i hapin veprat e artistit shqiptar, Lui Shtini. Në ekspozitën e tij ‘Strange Gifts” (Dhurata të çuditshme) në galerinë “Lambdalambdalambda” në Prishtinë, të enjten mbrëma ai erdhi nëpërmjet punës së tij për herë të dytë. “Fused” kishte qenë ekspozita e parë e tij në Kosovë, gjashtë vjet me parë, në po të njëjtën galeri. Por ai nuk kishte qenë i pranishëm.
Kësaj radhe, sërish tejet origjinal në shprehjen e identitetit të tij artistik, Shtini vjen me shtatë vepra të cilat bëjnë vend në realitet, duke u mbështetur në koncepte të filozofit francez, Jacques Derrida. Përgjatë shtjellimit që ky i fundit i bën natyrës njerëzore dhe kufijve të saj me kafshëroren, artisti gjen inspirim dhe i jetëson veprat e tij nëpërmjet një interpretimi të rafinuar artistik.
Këtë “lojë” ai e çon më tej edhe me raportin eksperimental që ai ka me konvencionalen në art.
“Duke i përvetësuar format dhe strukturat kompozicionale të pikturimit të natyrave të qeta, Shtini riimagjinon, këtë zhanër historik nga një perspektivë bashkëkohore, e shtyn atë përtej limiteve të paparashikueshme të pakufijshmërisë së natyrës njerëzore, përtej subjekteve tradicionale”, përshkruhet qasja e tij në konceptin kuratorial të ekspozitës të shkruar nga Sophia Rohwetter. Ndër të tjera, aty përpjekjet e Shtinit prezantohen si ftesë për të shikuar përtej konvencionales me optikën e “kafshërisë”, sipas Derridas.
Me të hyrë në Galeri, vepra e parë që mirëpret është “Fur on Ice” (Gëzofi në akull). Ajo është e para që bën me dije se mjeshtëria e artistit qëndron te trajtimi shumëdimensional që ai u bën veprave të tij. Përdor ngjyrat e vajit, por përveç trajtimit jokonvencional që ua bën koncepteve në to, njëjtë vepron dhe me teknikën. Të gjitha pikturat ai vendos që t’i punojë në panele alumini. E si të tilla, krahas ngjyrës e cila është punuar në atë mënyrë që mimetizon gëzofin e kafshëve, ato marrin dhe një af dhe kthjelltësi nga tabani metalik ku janë të punuara.

Për vetë artistin, përdorimi i kësaj teknike ia ka mundësuar ta gjejë lirinë e kërkuar në shprehje artistike.
“Është një teknikë tradicionale vaj në një suport, por në këtë rast suporti nuk është një telajo druri siç ndodh tradicionalisht, por është një material alumini industrial i cili përdoret për gjëra të ndryshme, si në ndërtim në fotografi e billborde. Kështu që është diçka ndryshe nga tradicionalja, më ka dhënë një liri që të dal nga tradicionalja dhe të eksperimentoj rreth diçkaje që është ndryshe”, është shprehur artisti në një prononcim për KOHË-n.
Trajtimi monokromatik i paletës së ngjyrave evidentohet në shumicën prej pikturave, ndërsa puna me brushë i jep dimension secilës duke e bërë edhe më të besueshme idenë se ato forma abstrakte janë vërtet prototipa kafshësh që gjejnë prehje në abstraksion. Ai merr subjektet të cilat zënë vend në kompozicionet tradicionale të natyrave të qeta dhe u jep kuptime simbolike duke i kthyer në trupa zoomorf që marrin pozicione të ndërlikuara, aq sa me raste edhe humbasin format. Paqartësisë aty i bëhet vend i posaçëm. Ndërkaq intimiteti që krijohet me secilën tablo, krijon përshtypjen se çdo “krijesë” dikur do të fillojë të lëshojë ndonjë tingull apo zë.
Përveç ngjyrave të vajit, përdor edhe gvashin. Unike janë mediumet që ai përdor. Pikturat i jetëson edhe me bojë smalti.
Artisti i cili është emër i njohur botërisht, është stacionuar tashmë prej vitesh në Brooklyn, New York. Për KOHË-n ka bërë të ditur se momentalisht është i angazhuar shumicën e kohës në studion e tij duke punuar në cikle të ndryshme. Teksa tregoi se skulptura gjithashtu është një medium me të cilin po eksperimenton, pavarësisht se nuk e di ende se si zë vend arti i tij me këtë medium.
I lindur më 1978 në Kavajë, ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë nga viti 1997 deri në vitin 2000, ndërkaq shtatë vjet më vonë u bë pjesë e “Skowhegan School of Painting and Sculpture” në New York. Ka hapur disa ekspozita personale, si në Werble Gallery, New York në vitet 2016 dhe 2013, “Cherry and Martin”, Los Angeles në vitin 2015 dhe në Van de Weghe Fine Art, New York në vitin 2009 dhe 2013. Në vitin 2010 ai u bë përfitues i bursës “NYFA Painting Fellowship” dhe mori pjesë në programin “Marie Walsh Sharpe Art Foundation Space” më 2014 e 2015.
Por, Kosova duket se i ka lënë përshtypje të mira. Ka treguar se po ndihet mirë e skenën bashkëkohore artistike të vendit e ka cilësuar si shumë aktive.
“Ndjehem shumë mirë këtu, është hera e parë që vij në Kosovë, ndihem shumë mirë dhe jam i befasuar për skenën e artit këtu. Ka shumë aktivitet. Nuk e di, në Shqipëri... nuk jam i ingranuar me artin atje, por këtu ndjej një energji pozitive, një dëshirë për të bërë diçka, sado e vështirë që është. Në fakt vështirë kudo, edhe në New York”, është shprehur Shtini.

Shtinin e kishte takuar për herë të parë 20 vjet më parë, në një rezidencë artistësh, artisti Jakup Ferri, i cili që atëherë e përcjell punën e tij.
“Lui e ka pasur gjithmonë një figuracion në pikturë, një post surealizëm që më vonë është bërë abstrakt në një mënyrë, por me forma shumë të bukura, me një optikë shumë moderne. Si në aspektin se si e ndërton pikturën, materialet, format. Më pëlqen që ka mbetur besnik në mediumin e pikturës, por që e ka çuar në një dimension më modern”, ka thënë Ferri.
Katharina Schendl, bashkëmenaxhuese e Galerisë “Lambdalambdalambda”, ka thënë se ekspozita e artistit Shtini vjen si e veçantë dhe e rrallë për rajonin, deri sa ndau dhe një lajm të ri për KOHË-n.
“Gjashtë vjet më parë kishim veprat e Lui Shtinit në Prishtinë dhe ishim shumë të lumtura, sepse ai asnjëherë nuk ishte shfaqur me punën e tij në këtë regjion. Ai vetë është nga Shqipëria dhe është shumë i veçantë fakti që po kthehet këtu në Kosovë dhe Shqipëri. Ne jemi galeri e artit bashkëkohor dhe synimi jonë është që të promovojmë artistet, të shesim artin e tyre dhe t’u ndihmojmë atyre. Tani së shpejti do të prezantohemi në një panair arti në Kore, të quajtur ‘Frieze’ dhe do të prezantojmë veprat e Lui Shtinit dhe Brilant Milazimit”, ka thënë ajo, duke shtuar se kjo do të jetë hera e parë që këta artistë do të prezantohen për audiencën në Azi.