Kushtrim Kajtazi është ndër ata zanatlinjtë që punën e kthen në pasion. E këto dyja bashkë në fitim. Një dije të moçme e të trashëguar për pjekjen e rakisë, e ka kthyer në biznes. Tash dhjetë vjet ka krijuar brend me dhjetë lloje të rakisë nën emrin “Borea”, shkruan sot Koha Ditore.
Rakinë që e piqte për vete e familje nisën ta blejnë fillimisht shokët e tij. Pastaj një rreth më i gjerë, duke u shtrirë ngadalë në gjithë Pejën. Më vonë pothuajse në gjithë Kosovën, e tash po negocion mundësitë që së paku dy lloje të rakisë së tij, ajo e ftonit dhe e arrës, ta kalojnë Oqeanin Atlantik.
Edhe rrëfimin për mënyrën e punës Kajtazi e bën me pasion. Me të njëjtën mënyrë jep edhe ca këshilla se si të dallohet rakia e mirë e si të konsumohet ajo.
Zanati i shndërruar në brend
Është mbrëmje e ftohtë dimri. Një telefonate nga “Koha Ditore” për të koordinuar një vizitë në Zatër të Pejës, në punëtorinë e tij, Kushtrim Kajtazi i përgjigjet me dashamirësi.
“Jam rrugës për në Prishtinë”, tregon Kajtazi, për të lënë takim po atë mbrëmje, në shtandin e tij në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku tashmë ka krijuar traditë aktiviteti “Verë n’Dimër”.
Pos verës e çokollatës së nxehtë, aty shërbehen edhe pothuajse të gjitha llojet e rakisë së “shtëpisë Kajtazi”. Dorën në zemër, rakia e arrës e mund të ftohtin më shpejt e më e lehtë sesa vera e vluar apo çokolata e nxehtë.
Nën shijen e rakisë së arrës, për të cilën Kajtazi insiston butësisht që të provohet, zhvillohet biseda për fillet e zanatit që u kthye në brend.
“Është një traditë shumëvjeçare. Por ne në mënyrë intensive e kemi nisur qe 10 vjet, kur e kemi kthyer në biznes”, thotë Kajtazi.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)