Sado që pandemia pamundësoi interpretimin e saj, vepra “Dhimbja simfonike” i ka më aktuale se kurrë mesazhet e saj. E frymëzuar fillimisht nga shkatërrimi i mjedisit në vendlindje, në malet e Llapit, si dhe nga lajmet e zymta nga pyjet e Amazonës, kompozitori Menxhiqi nëpërmjet krijimit mëton të trokasë në dyert e ndërgjegjes së njerëzimit. “Kjo vepër është emocioni im siç e kam përjetuar shkatërrimin e natyrës”, ka thënë kompozitori që jeton në Lupç të Epërm
Shkatërrimi i dhimbshëm i ekologjisë së planetit nuk është vetëm çështje që u përket aktivistëve mjedisorë dhe as shteteve të prekura ku më shumë e ku më pak. Duke qenë vetë filli i jetës njerëzore i lidhur me fatin e nënës natyrë, edhe krijuesit kompozitorë mund ta kenë fjalën e tyre në këtë çështje.
Kompozitori i njohur nga Kosova, Mendi Mengjiqi, i është bashkuar fushatës vetëdijesuese botërore që gjakon të ushtrojë trysni ndaj qeverive e kompanive për të ndërmarrë veprime kundër shkatërrimit e dëmtimit të mjedisit.
Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga mediumi “dtt-net.com”, një agjenci e pavarur e lajmeve që mbulon rajonin e Ballkanit, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me mjedisin dhe energjinë.
E bërë para dy vjetësh, si pjesëz artistike e porositur nga “Seoul International Music Festival” në Kore të jugut, vepra “Dhimbja simfonike” (Symphonic Pain) nëpërmjet notave muzikore tejçon dhembshuri e ndjeshmëri për natyrën, ashtu sikurse edhe bëhet zë revolte për ta mbrojtur shtëpinë e përbashkët të njerëzimit.
Pos paqes shpirtërore e lidhjes me të bukurën, zhytjet në natyrë gjatë shëtitjeve në kodrat e Llapit kishin përftuar tek kompozitori 63-vjeçar edhe reflektimin mbi forcën e errët shkatërruese të njerëzve.
“Kur endem nëpër këto pjesë shoh shkatërrimin që po i bëhet natyrës, sesi po digjen malet e po priten drunjtë. Vendi duket sikur një katastrofë apokaliptike”, ka thënë Mengjiqi në një bisedë për KOHËN.
Një adhurues i natyrës, krijuesi i lindur në Lupç të Epërm, ka thënë se revoltës së tij i janë shtuar edhe lajmet që vijnë nga bota si shkatërrimet e pamëshirshme në Amazonë.
“Te ‘Dhimbja simfonike” është emocioni im siç e kam përjetuar shkatërrimin e natyrës”, ka thënë Mengjiqi, i cili është autor i himnit shtetëror të Kosovës.
Në fakt, vepra që i kushtohet ndjeshmërisë njerëzore për natyrën ishte paraparë të interpretohej gjatë vitit të kaluar, porse pandemia e kishte shtyrë këtë, meqë për performimin e saj kërkohej orkestër e madhe simfonike.
Por një tjetër vepër e Mengjiqit ishte dhënë para audiencës koreano- jugore: ishte vepra në kohëzgjatje prej 13 minutash “Foresaken” (“Të braktisurit” që u interpretua në tetor të vitit të kaluar me rastin e festivalit të njohur në Seul.
Ndërkohë, vepra “Dhimbja simfonike”, në kohëzgjatje prej afro 21 minutash, është afishuar në faqen “SoundCloud”, një platformë online nga Berlini që mundëson ngarkimin, promovimin dhe shpërndarjen e materialeve audio.
Duke folur për procesin krijues, Menxhiqi ka thënë se vepra e tij është një apel që njerëzit të vetëdijesohen e ta mbrojnë mjedisin.
“Kështu ata e mbrojnë edhe veten e tyre”, ka thënë Menxhiqi teksa ka shpjeguar që vepra është edhe protestë ndaj atyre që e shohin veten në anën profitabile në jetë. “E ne që e duam natyrën më shumë sesa të hollat, neve na takon t’iu kundërvihemi atyre”, ka shtuar ai.
Kompozitori Menxhiqi ka mbaruar studimet në Krakov të Polonisë në klasën e Zbigniew Bujarskit, përderisa ato postdiplomike i vijoi te njëri prej kompozitorëve më të mëdhenj botërorë, Krzysztof Penderecki. Po në këtë vend, Menxhiqi zhvilloi një aktivitet të ngjeshur për një dekadë, duke korrur jo pak suksese. Më 1999, pas përfundimit të luftës, ai u kthye në Kosovë për t’ua mësuar studentëve muzikën klasike e për të sjellë në jetë vepra të ndryshme nga pasioni i tij krijues.
Është angazhuar si mësimdhënës në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëron lëndët e kompozimit. Ka kompozuar muzikë edhe për filma artistikë si “Anatema”, “Agnus Dei” dhe “Gomarët e kufirit”.