Si rrallëherë më parë, interesimi për të udhëhequr me institucionet qendrore të kulturës është i zbehtë e një gjë e tillë është konfirmuar edhe me aplikimet në konkurset e fundit. Kësisoj, konkursi i Galerisë Kombëtare të Kosovës në mungesë të “tre kandidatëve të përgjegjshëm”, siç kërkohet me konkurs, ka dështuar e kjo pritet të ndodhë edhe me atë të Baletit Kombëtar të Kosovës
Prishtinë, 21 janar – Mungesa e interesimit për të udhëhequr me institucionet qendrore të kulturës ka nisur të jetë i dukshëm edhe me përpjekjet për t’i bërë me drejtues Galerinë Kombëtare të Kosovës, Baletin Kombëtar të Kosovës dhe Teatrin Kombëtar të Kosovës. Vetëm tetë ditë pas mbylljes së konkurseve është anuluar ai për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Nuk janë gjetur tre kandidatë të cilët i kanë plotësuar kushtet formale të përcaktuara me konkurs. Drejt dështimit është edhe konkursi për drejtor të Baletit Kombëtar të Kosovës. Në këtë rast del të jetë problem të gjenden tre kandidatë të përgjegjshëm siç përcaktohet me konkurs.
Pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synonin ish-drejtoresha Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu.
Ministria e Kulturës konkurset për këto pozita i kishte hapur në dhjetor.
Pas verifikimit të aplikacioneve, Divizioni i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Kulturës kishte ardhur në përfundim se Vlora Hajrullahu nuk i plotësonte kushtet.
Për këtë pozitë kërkohej që kandidatët të ishin profesionistë të fushës që mbulon institucioni. Duhej të kishin nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Për Galeri kërkohen katër vjet përvojë pune në udhëheqje. Sipas dokumentacionit, Hajrullahu nuk e kishte këtë përvojë pune në udhëheqje.
“Ne në bazë të ligjit kemi verifikuar nëse kandidatët plotësojnë kushtet në bazë të dokumenteve që kanë paraqitur. Ka dalë që në këtë rast, nuk bëhen tre të tillë”, ka thënë Taulant Balaj, i cili udhëheq me Divizionin e Burimeve Njerëzore.
Këtë e ka thënë edhe zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Ibër Alaj.
“Kur nuk i kemi tre kandidatë të përgjegjshëm, ne rekomandojmë që të rishpallet konkursi dhe për këtë vendos Këshilli Drejtues i institucionit”, ka thënë ai. Këshillat Drejtuese të institucioneve të kulturës janë organet që zgjedhin dhe shkarkojnë udhëheqësit ekzekutivë.
Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, Këshilli drejtues ka vendosur që të rishpallet konkursi.
“Me dy veta nuk bën. Do të rishpallet. Kandidatët kishin vlera, por juridikisht nuk ishte konkurs i qëndrueshëm. Kështu që automatikisht u anulua”, ka thënë Zake Prelvukaj, e cila kryeson Këshillin Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Sipas saj, sa më shpejt që rishpallet konkursi, është më mirë.
“Nëse vonohemi në zgjedhje të drejtorit, do të vonohemi edhe me punë në Galeri”, ka thënë ajo.
Qysh prej gushtit të vitit 2020 edhe Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit të GKK-së është Dhurata Ramosaj-Shala, njëherësh koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës.
Kurse sa i përket konkursit për drejtor të Baletit Kombëtar të Kosovës, kësaj pozite ia kanë mësyrë balerini dhe ushtruesi aktual i detyrës së drejtorit, Kreshnik Musolli dhe koreografët Labinot Rexhepi, Driton Saqipi dhe Luljeta Braha. Kërkohej që ata të kenë nga shtatë vjet përvojë pune profesionale. Në këtë rast merret përvoja e punës pas diplomimit në studimet bachelor. Pikërisht ky kriter ka bërë që të mos jenë tre kandidatë që i plotësojnë kushtet për të vazhduar me procedurën e rekrutimit.
“Në këtë rast, ne në Kosovë nuk kemi shkollim universitar për balet. Kemi kandidatë që kanë më shumë se shtatë vjet përvojë në balet, por nuk e kanë këtë përvojë nga diplomimi e më pas”, ka thënë udhëheqësi i Divizionit për Burime Njerëzore në MKRS, Taulant Balaj. Sipas zëvendësuesit të sekretarit të përgjithshëm, Ibër Alaj, edhe ky konkurs shkon drejt dështimit.
Të mërkurën Këshilli Drejtues i Baletit Kombëtar të Kosovës ka mbajtur mbledhje. Janë diskutuar aplikacionet.
“Besoj që këto ditë kemi edhe një takim tjetër dhe vendosim si të veprohet. Është një lloj specifike tjetër në Balet. Burimet Njerëzore duhet të shohin a i plotësojnë tre kandidatë kushtet. Ne kishim një takim dhe pamë dokumentet. Duhet të shikojmë a ka mundësi që të zgjidhet dikush apo duhet të rishpallet konkursi”, ka thënë regjisori Agim Selimi, i cili është anëtar i Këshillit Drejtues të Baletit.
Një opinion i Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që Sinan Kajtazi të mos qëndronte më shumë se dymbëdhjetë ditë si i zgjedhur në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Me konkurs të brendshëm, balerini Kajtazi qe zgjedhur drejtor i këtij institucioni. Në fund të qershorit të vitit 2019, MKRS-ja kishte dhënë njoftimin për të si “kandidat të suksesshëm”, kur kishte bërë me dije se Kajtazi ishte zyrtarizuar në këtë pozitë.
Sa i përket Teatrit Kombëtar të Kosovës janë aktorët Kushtrim Sheremeti e Blerim Krasniqi që synojnë pozitën e drejtorit të përgjithshëm të TKK-së. Në garë është edhe regjisori e dramaturgu Naser Shatrolli, i cili aktualisht është ushtrues detyre i drejtorit të TKK-së. Shatrolli është punonjës i Ministrisë së Kulturës si zyrtar për biblioteka. Pozita më e lartë ekzekutive në këtë institucion ka mbetur bosh, pasi ish-drejtorit Agim Sopi i kishte skaduar mandati më 18 janar të vitit 2020.
Për udhëheqës artistik në TKK kanë konkurruar regjisorët Sokol Plakolli dhe Ekrem Sopi. Pos tyre, në garë është edhe dramaturgia Albana Muja. E kjo pozitë ka mbetur pa udhëheqës qysh prej qershorit të vitit 2019, kur i kishte përfunduar mandati regjisorit Agon Myftari. Aktualisht ushtrues detyre është aktori Adrian Morina. MKRS-ja ka konstatuar se mund të vazhdohet me procedurën e rekrutimit për të dyja pozitat.