Kulturë

Dështojnë konkurset, vazhdon saga për pozitat në Teatër e Galeri

Tash më shumë se dy vjet s’ka zgjidhje për udhëheqës artistik për Teatrin Kombëtar të Kosovës. Me konkursin e radhës s’u bënë tre që i plotësojnë kriteret ligjore. E për Galerinë Kombëtare të Kosovës, që është pa drejtor qysh prej gushtit të 2020-s, posa u bë numri i duhur i konkurrentëve që në gjuhë administrative konsiderohen si të përgjegjshëm për këtë pozitë, u konsiderua se zgjedhja e kandidates me më së shumti pikë, mund të përbënte konflikt interesi

Shumica e institucioneve qendrore të kulturës përballen me shumë probleme prej menaxhimit e deri te rezultatet. Por një prej halleve që e ka rënduar gjendjen në vitet e fundit është edhe zgjedhja e udhëheqësve. Katër prej tyre nuk kanë drejtues. Konkurset janë duke dështuar njëri pas tjetrit.

Udhëheqës artistik për Teatrin Kombëtar të Kosovës nuk është duke u gjetur. Nuk u bënë tre që i plotësojnë kriteret ligjore as në konkursin e fundit. Për pasojë, u anulua të enjten pasdite.

E për Galerinë Kombëtare të Kosovës, posa u bë numri i duhur i konkurrentëve që në gjuhë administrative konsiderohen si të përgjegjshëm për këtë pozitë, u konsiderua se zgjedhja e kandidates me më së shumti pikë, mund të përbënte konflikt interesi. Edhe ky konkurs u anulua të enjten.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka më shumë se dy vjet pa udhëheqës artistik. Në konkursin e hapur, në nëntor të vitit të kaluar, i treti me radhë, kishin konkurruar katër kandidatë. Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Albana Muja-Deliu e Agush Mulliqi ia kishin mësyrë kësaj pozite. Aktorja Muçaj doli se nuk e ka diplomën e nostrifikuar. Ajo ka studiuar në Shqipëri. E Mulliqi nuk e plotëson kushtin e përvojës së punës. Kërkohen pesë vjet përvojë pune pas diplomimit.

Vendimin për anulimin e konkursit Ministria e Kulturës e ka bazuar në Udhëzimin administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. Ky akt nënligjor përcakton se konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku tre kandidatë nuk i plotësojnë kushtet e parapara me konkurs.

“Ne nuk mund të vazhdojmë procedurën pasi këtë nuk na e lejon Udhëzimi”, është përgjigjja që i ka dhënë KOHËS administrata e Ministrisë së Kulturës.

Pozita e udhëheqësit artistik kishte mbetur vakante qysh prej qershorit të vitit 2019. Pasi regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar, mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që Këshilli Drejtues me shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së aktorin Adrian Morina. Aktualisht, ushtrues detyre është drejtori i “Shotës”, Shefqet Gjocaj. Konkursi për këtë pozitë, si dhe për drejtor të përgjithshëm të TKK-së, ishte hapur në dhjetor të vitit 2020, por Ministria e Kulturës ia kishte huqur. Në vend të udhëheqësit artistik, kërkonte “drejtor artistik”.

Ndryshe, deri në vitin 2012 pozita e udhëheqësit artistik sipas Ligjit për teatro ishte e emërtuar si “drejtor artistik”. Por, me hyrjen në fuqi të Ligjit aktual, drejtor quhet vetëm drejtori i përgjithshëm.

Konkursi qe anuluar për t’u rihapur në mars të vitit 2021. I njëjti është anuluar sërish në tetor. Konkursit ia kishin mësyrë Albana Muja, Arjeta Ajeti, Ekrem Sopi, Sokol Plakolli dhe Behar Zenelaj.

KOHA kishte marrë vesh se asnjëri nga kandidatët s’e ka kaluar testin me shkrim. Më pas këtë e ka konfirmuar edhe njëra prej konkurrenteve për këtë pozitë.

Në anën tjetër, i hapur vazhdon të jetë konkursi për drejtor të përgjithshëm të TKK-së. I pari qe anuluar pasi Naser Shatrolli ishte zgjedhur drejtor i përgjithshëm i TKK-së në mars të vitit 2020. Komisioni i ankesave në MKRS kishte konstatuar se ishin bërë shkelje procedurale.

Për dallim nga Teatri Kombëtar, sfidën e mungesës së kandidatëve për të udhëhequr me institucionet e kulturës, Ministria e Kulturës e ka tejkaluar të paktën në rastin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Por, siç ka raportuar KOHA në fillim të këtij viti problem del të jetë mundësia e konfliktit të interesit.

“Bazuar në ecurinë e procedurave të rekrutimit, si dhe Ligjin Nr. 06/L -011, për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit bën njoftimin për anulimin e konkursit të shpallur, për pozitën drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës”, shkruhet në njoftimin e MKRS-së.

Nëpërmjet konkursit që u mbyll në ditën e katërt të nëntorit, MKRS-ja kualifikoi pesë kandidatë që i plotësonin kriteret e caktuara me konkurs. Si kandidatë të përgjegjshëm u vlerësuan Vlora Hajrullahu, Arta Agani, Arsim Shala, Naim Spahiu dhe Erëmirë Krasniqi. Fuat Islami u diskualifikua, sipas MKRS-së, në mungesë të dokumentacionit të Kosovës dhe përvojës menaxheriale. Genc Kadriut në dosje i mungonin diploma e studimeve në Londër dhe dëshmitë e përvojës së punës. Diploma e dëshmitë e përvojës së punës i mungonin edhe Lendita Zeqirajt.

Pesëshja, e përgjegjshme – sipas gjuhës administrative – e kaloi filtrin e parë e më pas u testuan me shkrim. U intervistuan nga Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës më 25 nëntor të vitit të kaluar.

Këshilli që kryesohet nga piktorja Zake Prelvukaj, sipas burimeve të KOHËS, më së shumti e vlerësoi ish-drejtoreshën Arta Agani.

Rëndom, pas vlerësimeve të Këshillit, MKRS-ja atë që vlerësohet me më së shumti pikë nëpërmjet një njoftimi e prezanton si “kandidat të suksesshëm” dhe ftohet për të lidhur kontratën për pozitën e paraparë me konkurs.

Agani nuk është prezantuar si kandidate e suksesshme. Për këtë MKRS-ja ka prezantuar dy “probleme”. I ka identifikuar krejt në fund të procesit, jo në filtrat paraprakë. MKRS-ja po dyshon për konflikt interesi.

Para krejt kësaj historie, kryetarja e Këshillit Drejtues, Zake Prelvukaj, kishte konkurruar në MKRS për ta përfaqësuar Kosovën më 2022 në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Pjesë të ekipit e kishte prezantuar edhe Arta Aganin. Tash MKRS-ja është duke e trajtuar rastin për gjoja mundësi të konfliktit të interesit.

“Unë kam konkurruar për Bienale dhe Arta Agani në projekt ka qenë kuratore. Sipas Ministrisë, kjo mund të përbëjë konflikt interesi pasi unë si pjesë e Këshillit Drejtues jam nga ata që i vlerësojnë kandidatët për drejtor të Galerisë”, kishte thënë Prelvukaj për KOHËN muajin e kaluar. Ka shtuar se i vjen keq për këtë situatë, por nuk e ka ditur se mund të rezultojë kësisoj. Por, sipas MKRS-së, në raste të tilla më mirë është të anulohet konkursi sesa ai të anulohet pas ndonjë ankese pas zgjedhjes së drejtorit.

“Ka mundësi që pas shpalljes së kandidatit të suksesshëm të ketë ankesa dhe më pas mund të vlerësohet se duhet anuluar krejt procedura”, është përgjigja që i ka dhënë KOHËS administrata e MKRS-së. Sipas sqarimeve të MKRS-së, nëse Arta Agani aplikon sërish për një mandat të dytë, që të shmanget konflikti i interesit, Zake Prelvukaj nuk duhet të marrë pjesë në intervistim.

Institucioni më i lartë kulturor në vend nuk ia kishte dalë që ta bënte GKK-në me drejtor as nëpërmjet konkursit të hapur në fund të vitit të kaluar.

Pozitën e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e synonin Arta Agani dhe piktorët Jeton Rexhepi dhe Vlora Hajrullahu.

Pas verifikimit të aplikacioneve, Divizioni i Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Kulturës kishte ardhur në përfundim se Vlora Hajrullahu nuk i plotësonte kushtet.

Qysh prej gushtit të vitit 2020 Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu.