Figurinat prej terrakote nga motet neolitike e kanë “fosilizuar” një veshje të veçantë grash, një fund i zi i palëzuar, ashtu sikundër ruhet edhe ndër paraqitje të artit kreto-mikenas. Por një popull në skajet malore të Ballkanit, fillimisht si ilirë e më pas si shqiptarë, e ruajti gjer në ditët tona. E cilësuar si veshje unike në krejt pellgun mesdhetar, xhubleta, e cila sipas një udhëpërshkruesi ia kalonte edhe ngjyrave të ylberit dhe thëllëzës, tashmë është në rrugëtim e sipër për t’u bërë vlera shqiptare në repertorin e kryeveprave shpirtërore të trashëgimisë shpirtërore nën mbrojtjen e UNESCO-s
Shtegtarë nga vise të largëta që i binin mespërmes Shqipërisë së shekujve të kaluar shastiseshin nga një veshje e veçantë që mbanin gratë shqiptare. Më vonë kur dija do të thellohej edhe më shumë, antropologët do të vërenin se xhubleta e malësoreve shqiptare ishte “stampuar” në histori qysh në figurinat e neolitit dhe të kohës së bronzit gjithandej pellgut mesdhetar.
“As thellënza e as ylberi nuk mund të krahasohen me ngjyrat e xhubletës së grave kelmendase”, shkruante gjithë mrekullim një vëzhgues i shekullit të tetëmbëdhjetë.
Si një veshje e pangjashme me atë të popujve të tjerë evropianë, xhubleta është përdorur vetëm nga shqiptarët e Veriut, me dy epiqendra kryesore, Malësinë e Madhe dhe Dukagjinin, por me zgjatime deri në Mat e Bunë e më tej edhe në Mal të Zi dhe skajet perëndimore të Kosovës.
Në gusht të vitit të kaluar, shteti shqiptar nisi përgatitjet për dosjen “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj” për të hyrë në listën e kryeveprave të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit nën mbrojtjen e UNESCO-s.
“Një gjë e magjishme”
Studiuese, kostumografe dhe njohëse të kësaj veshjeje kanë risjellë në vëmendje të mërkurën përgatitjet për dosjen e xhubletës me rastin e tryezës së diskutimit “Gratë në trashëgiminë kulturore” të organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë.
Studiuesja dhe koleksionistja Luljeta Dano e ka cilësuar si ngjarje të vitit dosjen që po përgatitet për në UNESCO si trashëgimi në rrezik. Duke folur për punën e bërë në këtë drejtim, ajo ka thënë se ekipi ka punuar në kushte shumë të vështira.
“Uroj që brenda pak ditësh dosja do të përfundojë”, ka thënë ajo.
Kurse aktivistja Elsa Ballauri ka vlerësuar se me gjithë përpjekjet e studiueses Dano, ende nuk është bërë mjaftueshëm për ta përçuar edhe tek të vegjlit.
“Është një gjë e magjishme që ne nuk e kemi nxjerrë siç duhet”, ka thënë Ballauri.
Si një veshje e pangjashme me atë të popujve të tjerë evropianë, xhubleta është përdorur vetëm nga shqiptarët e Veriut, me dy epiqendra kryesore, Malësinë e Madhe dhe Dukagjinin, por me zgjatime deri në Mat e Bunë e më tej edhe në Mal të Zi dhe skajet perëndimore të Kosovës
“Që të mos jetë fenomen i humbur”
Në diskutim është përmendur fakti që pjesë e dosjes për xhubletën mijëravjeçare do të jenë dëshmi, letra të miratimit nga prodhuesit e saj si dhe ata që kanë trashëguar veshje të tilla, teksa ekziston edhe projekti për rivitalizimin e saj.
Me thirrjen që të punohet më shumë, kostumografia Edlira Sulaj ka thënë se është goxha e vështirë që të flitet për xhubletën.
“Ne mund të nxitojmë për të bërë dosjen e UNESCO-s, por më mirë është të bëjmë pa nxituar gjënë e duhur”, ka thënë ajo.
E pranishme në diskutim ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ka thënë se adresimi në UNESCO është e vetmja mënyrë që të shpëtohet kjo veshje para se të jetë vonë.
“Mendoj se do të humbisnim më shumë nëse këta hap nuk e bëjmë tani, sepse nga fenomeni rrezik do të kthehej në fenomen të humbur”, ka thënë ministrja Margariti.
Siç është bërë e ditur edhe më parë, grupi punues do ta dorëzojë dosjen e vet në Ministrinë e Kulturës brenda datës 22 mars.
22 marsi është data e fundme kur një grup punues do të dorëzojë dosjen për xhubletën në Ministrinë e Kulturës në Tiranë. Kjo e fundit do t’ia dorëzojë në shtator Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) si kandidate për të hyrë në repertorin e kryeveprave shpirtërore të njerëzimit
Me kalimin e kohës përdorimi i xhubletës u kufizua vetëm si veshje zonash malore, rrethanë kjo që shpjegon disa shndërrime dhe përshtatje të saj, siç janë varfërimi i ngjyrave, shoqërimi i saj me veshje të sipërme, të rënda, për dimër
Nopcsa: “Nga terrakotat neolitike deri në artin kreto-mikenas
Xhubleta është fundi i shajaktë me ngjyrë të zezë e me palëzime në formë kambane dhe, sipas mendimit të etnografëve, ajo përfaqëson një profil të ngrirë me një sistem zbukurues e të dendur gajtanësh.
Xhubleta përbëhej prej rripash dhe copash shajaku, me një prerje shumë të ndërlikuar që kërkonte një mjeshtri unike për qepjen e saj. Një prej studiuesve të parë që është marrë me veçantinë e kësaj veshje është edhe albanologu hungarez, Ferencz Nopcsa, i cili në pikëpamje kronologjike e cilësonte si “shumë interesante, për arsye se përkon kryekëput me veshjet në formë fundi të njohura nga disa terrakota të zbuluara në Serbi dhe në Mikenë, pastaj me objekte të Kretës”.
Studiues të tjerë, si N. Gazulli, kishin vënë re se në zbukurimet e xhubletës së përdorur në Malësinë e Madhe ishte i pranishëm edhe motivi i diellit në formë kryqi grepç (svastika), duke e cilësuar këtë si mbetëz ilire.
Xhubleta përbëhej prej rripash dhe copash shajaku, me një prerje shumë të ndërlikuar që kërkonte një mjeshtri unike për qepjen e saj
Studiuese, kostumografe dhe njohëse të kësaj veshjeje kanë risjellë në vëmendje të mërkurën përgatitjet për dosjen e xhubletës me rastin e tryezës së diskutimit “Gratë në trashëgiminë kulturore” të organizuar nga Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë
“Shekujt ia përcollën vetëm kulturës popullore shqiptare”
Me kalimin e kohës, siç kishte vënë re etnografja Andromaqi Gjergji, përdorimi i xhubletës u kufizua vetëm si veshje zonash malore, rrethanë kjo që shpjegon disa shndërrime dhe përshtatje të saj, siç janë varfërimi i ngjyrave, shoqërimi i saj me veshje të sipërme të rënda për dimër, etj.
“Ajo qëndron para nesh si dëshmitare e rrallë qytetërimesh të lashta, të cilën ende nuk e kemi bërë të flasë aq sa duhet”, kishte shkruar akademikja Gjergji në një artikull të botuar në përmbledhjen “Shqiptarët dhe trojet e tyre” në vitin 1982.
“Edhe pse gjeneza e saj s’mund të konsiderohet thjesht ilire për shkak të analogjive që ajo paraqet me disa tipare të veshjeve të qytetërimit kreto-mikenas, s’ka dyshim se xhubleta ka qenë një veshje që ka jetuar për shekuj në qytetërimin ilir, është integruar në të dhe i është përcjellë përmes shekujve kulturës popullore shqiptare dhe vetëm asaj”.
Ndryshe në gusht të vitit të kaluar Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në Republikën e Shqipërisë miratoi katër “dukuri” si të denja për t’u kandiduar si kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit. Në mesin e tyre ishin: “Kcimi i bjeshkës me tupan të Tropojës”, “Rituali i lashtë i shtegëtimit të bagëtive”, “Xhubleta si teknologji dhe dijebërje artizanale unikale dhe format e përdorimit të saj”, “Kcimi i Logut” dhe “Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”.