Kulturë

“Derya, Cenk, Enver Trio” përmbyllin “Prishtina Jazz Festival” me magjinë e ritmeve orientale

Me përzierje ritmesh e ngjyrash të orientit e oksidentit është përcjellë nata e katërt njëherësh e fundit e “Prishtina Jazz Festival”. Ishin disa nga artistët më të njohur të skenës muzikore turke si: Derya Türkan, Cenk Erdogan dhe Enver Mehmedi ata që argëtuan publikun këtë natë. Por përveç ritmit, trioja solli edhe formacion krejt të veçantë instrumentesh, i tillë çfarë nuk i ngjan jazzit klasik.

Jo pak njerëz kishin ardhur për ta dëgjuar treshen nga Turqia në një koncert i cili zuri vend në “Kino Armata”. Për shumë prej tyre, emrat e artistëve veçse ishin të njohur dhe kishin ardhur me qëllimin që të shijonin drejtpërdrejt interpretimin e tyre. Ishte pak pas orës 21 kur në skenë u dëgjua edhe tingulli i parë i “Letter to King” e kompozuar nga vetë kontrabasisti Enver Muhamedi. Vepra kishte tingujt të butë e melankolik dhe ndonëse ishte kompozuar si jazz muzikë, në këtë formacion instrumentesh vinte paksa më ndryshe. Ishin tingujt e kamençes, instrument tradicional i pjesës lindore të Mesdheut në të cilin tingujt krijohen përmes rrëshqitjes së harkut. Bukuria e tingujve të tij vinte nën mjeshtërinë e Derya Türkan mjeshtër i njohur i kamençes, njëherësh anëtar i përhershëm i “TRT Istambul Radio”, një ndër radiot më të vjetra e më të mëdha në Turqi.

Ritme shumë më të forta solli vepra “Girl in Istambul” e kompozuar nga Derya Türkan. Vepra shquhej nga shpërthime të shumta, tinguj të fortë e të fuqishëm. Teksa kamençe shpërfaqte një melodi romantike e tinguj të dhimbshëm, ishin goditjet e kontrabastit të Enver Muhamedit ata që krijonin tensionin e dramatizmin. Veprat që trioja interpretoi ishin që të gjitha kompozime të vetë artistëve. Vepra “Kara Giter” e Cenk Erdogan, qe pjesa ku publiku pati mundësinë të shijonte më shumë e më gjatë mjeshtërinë e vetë Erdoganit. Vepra siç pohoi edhe ai vetë, kishte ulje e ngritje gjatë tërë kohës por që pjesa e parë i jepte hapësirë tingullit të kitarës. Lehtësia e kapërcimit nga tingujt të shpejtë e plot ritëm në atë më të ngadaltë, dëshmonin para publikut profesionalizmin e tij si artist. Megjithatë, mbrapa nuk qëndronte as kontrabasisti nga Kosova, Enver Muhamedi. Ishte po ky që kishte ndihmuar të sillte në Prishtinë këta dy artistë kaq të mirënjohur të muzikës turke dhe jo vetëm. Ai u shpreh i lumtur për performancën që bëri në vendin e tij të lindjes. Dhe veçmas për rikthimin e “Prishtina Jazz Festival”.

“Më erdhi shumë mirë që pata mundësinë të performoj këtu dhe që u rikthye ky festival, sepse po shoh kontribut të njerëzve për ta rikthyer jazz skenën që nuk ka qenë si kjo këtu. Kjo më ka bërë të ndihem shumë i lumtur për vendin sepse edhe unë jam pjesë e kësaj, edhe pse nuk jetoj për momentin këtu por, në çdo mënyrë mundohem të kontribuoj. Tërë kohën jam në komunikim me Ilir Bajrin apo Armend Xhaferin, Visar Kuçin jemi përherë në kontakt për projekte të ndryshme ose ideja. Sa i përket sonte kam pasur ndjenja shumë të forta, për shkak se edhe nuk kam qenë për një kohë të gjatë dhe gjithçka është lidhur”, ka thënë ai teksa ka kujtuar se hera e fundit kur kishte performuar në Prishtinë kishte qenë para një viti në promovimin e albumit “Departures” të Visar Kuçit.

kishte bashkëpunuar edhe më herët me Derya Türkan e Cenk Erdogan, kjo ishte performanaca e tij e parë me të dy bashkë. Ideja për një përzierje të tillë artistësh ishte e organizatorit të “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi.

“Faktikisht, albumi im është në formacionin e një jazz standardi. Në albumin tim ka piano, tromb, saksofon, daulle. Mirëpo, kësaj here, Armendi erdhi me një ide pak më ekzotike që unë nuk isha shumë rehat, por kam dëshirë të provoj gjëra të reja. Erdogani ka ”Grammy” dhe Derya Türkan është shumë i famshëm në të gjithë botën. Pra, njerëz që kanë bashkëpunime me njerëz shumë të mëdhenj. Kur erdhi ideja qysh me ndodhë, çka, qysh, tek, doli ky gërshetim interesant i orientit me pak muzikë ballkanike dhe pak nuanca të muzikës perëndimore”, ka thënë ai.

Për kitaristin e kompozitorin, Cenk Erdogan kjo ishte hera e tij e parë në Kosovë. Ai qe pjesë e albumit fitues të çmimin “Grammy” në kategorinë e albumit më të mirë “New Age” më 2021 me albumin “More Guitar Stories” të Jim Kimo West ku ai performon me kitarë.

“Kjo është hera ime e parë në Kosovë dhe unë jam kënaqur duke ecur nëpër qytet, edhe pse të jem i sinqertë isha pa gjumë, por nuk desha në rrija në dhomë i mbyllur, desha të ecja nëpër rrugë dhe të ndieja atmosferën e Kosovës. Më pëlqeu shumë ushqimi këtu. Hëngra shumë gjëra të mira dhe besova se po të haja mirë, do të këndoja mirë. Kosova është me të vërtetë shumë e mirë. Kjo është hera ime e parë këto, por do të doja të performoja edhe shumë herë të tjerë, dhjetë herë të tjera qoftë me projekte të ndryshme, solo apo çfarëdo qoftë”, ka thënë ai.

Për Derya Türkan kjo nuk është hera e parë që ai vjen në Kosovë. Ai kishte pasur një performancë në një hotel në Prishtinë edhe para disa vjetësh. Në rolin e muzicientit profesionist ai ka pasur fjalë të mira edhe për Enver Muhamedin.

“Më pëlqeu shumë të vija të performoja për herë të dytë këtu në Prishtinë, në Prishtina Jazz Festival. Enveri më propozoi që të luajmë me këtë trio. Unë kam luajtur disa herë me Xhenkun, por luajta për herë të parë me këtë formacion. Enveri është një muzikant shumë i mirë dhe një muzikant i ri shumë i talentuar. Kur nisëm të luanim gjatë provave ne qemë shumë rehat me njëri-tjetrin”, ka thënë ai.

Muzikanti Florin Fanaj, ka thënë se është adhurues i muzikës së Cenk Erdogan. Prandaj fakti që ai ka pasur mundësi ta dëgjoj atë në vendin ku ai jeton, e ka bërë jashtëzakonisht të lumtur.

“Më së pari, kitaristin Cenkun e përcjell shumë moti prej rrjeteve sociale dhe mund të them se jam fans i tij, shpesh kam dashur të shkoj nëpër koncertet e tij në Turqi ose kudo që ishte, por kur e pashë që do të vinte në Kosovë e ndava datën dhe thashë të gjitha eventet do t’i anuloj për të ardhur në këtë event. Ishte eksperiencë e jashtëzakonshme. Për shkak se është një muzikant që shumë mirë di t’i lidhë muzikën e Lindjes dhe atë të Perëndimit. Është një prej artistëve që më inspiron shumë dhe gjithmonë kur kam nevojë për diçka, një ndjenjë, gjithmonë hyj në kanalin e tij dhe gjej inspirim”, ka thënë ai.

Për artistin Enver Muhamedi jeta në Turqi është për përplot projekte e punë. Përveç me performanca të jazzit, Muhamedi tashmë ka hyrë edhe në një fushë të re, atë të produksionit.

“Për momentin si akt të parë e kam jazz performancën. Jam kontrabasist rezident i “JRR Big Band” jazz orkestër ku kemi gjithmonë kombinime me artistë të ndryshëm botërorë si Bill Laurance, janë disa emra të mëdhenj që vinë të luajnë me ne. E sjellin muzikën e tyre dhe ne e përcjellim. Në anën tjetër e kam kuartetin tim, por njëkohësisht dy- tre vjetët e fundit jam duke u marrë edhe me produksion. Jam duke punuar si producent ku jemi duke marrë pjesë nëpër shumë turne, incizime e gjëra të ndryshme”, ka thënë ai.

Kjo ishte nata e fundit e “Prishtina Jazz Festival” i cili u rikthye pas nëntë vjetësh mungesë. Në edicionin e saj të njëmbëdhjetë i cili u mbajt nga 3 maji deri më 6 maj, solli artist nga më të njohurit e skenës së jazzit botërorë si: “Brian Marsella Trio”, “Sara Desker Quarte” e “Prishtina Jazz Orchestra”.