Kulturë

Dënim me burgim për ato që sulmuan me supë veprën e Van Goghut

Holland

Plummer dhe Holland janë bërë sensacion kryesor ndërkombëtar në vitin 2022, duke hedhur dy kënaçe të mbushura me supë në kanavacë në një nga thesaret e Galerisë Kombëtare të Artit në Londër, para se të ngjitnin duart e tyre me ngjyrë në murin pranë veprës

Janë dënuar me burgim dy aktiviste të grupit protestues “Just stop oil” të cilat hodhën supë me domate në veprën “Sunflower” (Luledielli) të Vincent van Gogh (1888) në tetor të 2022-s në Galerinë Kombëtare të Londrës.

Gjyqtari Christopher Hehir në Southpark në Londër dënoi Phoebe Plummer me dy vjet e tre muaj burgim dhe Anna Holland me 20 muaj burgim.

“Supa mund të kishte kaluar përmes xhamit. Nuk kishit të drejtë ta bënit atë që bëtë me ‘Lulediellin’”, ka thënë ai.

Plummer dhe Holland janë bërë sensacion kryesor ndërkombëtar në vitin 2022 duke hedhur dy kënaçe të mbushura me supë në kanavacë në një nga thesaret e Galerisë Kombëtare të Artit në Londër, para se të ngjitnin duart e tyre me ngjyrë në murin pranë veprës.

Nuk pati dëme në pikturë, por korniza antike italiane e shekullit XVII pësoi dëme të vogla. Ky veprim ishte një prej të shumtëve që kishte bërë “Just stop oil” në Mbretërinë e Bashkuar, ku anëtarët e saj të rinj në moshë synonin të shtynin qeverinë të reagojë sa më shpejtë ndaj krizës klimatike.

Në një video të postuar në “TikTok” pas aksionit, Plummer shpjegonte motivet e tyre: “Ne nuk po bëjmë pyetjen, a duhet të gjithë të hedhin supë në piktura? Ajo që po bëjmë është që biseda të shkojë në atë drejtim që të mund të bëjmë pyetjet që kanë rëndësi”, kishte thënë Plummer.

Gjykata e Londrës nuk ishte tërhequr. Plummer dhe Holland u akuzuan për dëme kriminale dhe u dënuan. Hehir i tha dyshes në atë kohë që të ishin “të përgatitura në terma praktikë dhe emocionalë për të shkuar në burg”.

Me gjithë situatën, disa emra të botës së artit e lavdëruan hedhjen e supës. Të enjten, më shumë se 100 artistë, kuratorë, historianë të artit, akademikë dhe profesionistë të tjerë në fushën e artit nënshkruan një letër të hapur ku deklaroheshin kundër burgimit të Plummer dhe Holland. Letra u organizua nga “GreenPeace UK” dhe kolektivi i artit “Liberate Tate”, i formuar në vitin 2010 në shenjë proteste ndaj karburanteve fosile në muzetë e artit në Mbretërinë e Bashkuar. Kolektivi e përshkroi vandalizmin si “akt që lidhet tërësisht me kanonin artistik”.

Nënshkruesit e letrës përfshinin emra si Fiona Banner, Peter Kennard dhe Tania Bruguera, si dhe historianët e artit dhe akademikët nga NYU, Goldsmiths, dhe National College of Art and Design në Dublin.

“Protesta e Plummer dhe Holland mund t’i ketë dhënë një notë historisë së artit duke përdorur supën e ‘Campbell’ në vend të ‘Heinz’. Është mendimi ynë, i ekspertëve, se do të ishte e pasaktë ta konsideronim këtë veprim të JSO-së, dhe mesazhin e tij social, si një sulm ndaj një vepre arti. Në vend të kësaj, ajo i përket traditës së mirë-vendosur të ikonoklasmit krijues”, shkruhej në letër.