Kulturë

Dëmtohet murali që nderonte George Floydin në Oregon

Një grup ka shpërfytyruar një mural në Portland të Oregonit që nderonte jetët e George Floydit, Breonna Taylorit dhe Ahmaud Arberyt, por komuniteti sakaq është bashkuar për ta restauruar atë. Thuhet se grupi i quajtur “Patriotic Front” ka hedhur ngjyrë të bardhë në portretet e muralit, e pastaj e kanë vënë edhe emrin e uebfaqes së tyre me shkronja të zeza dhe të bardha.

“Nga dëmi që kanë bërë dhe madhësia e tij, ata me gjasë kishin një ekip njerëzish”, ka thënë muralisti Christian Grijalva.

Image

Ai i ka bërë thirrje komunitetit në Instagram, duke afishuar fotografi të muralit të dëmtuar.

Atij i janë përgjigjur dhjetëra njerëz që kanë shfaqur vullnetin për ta restauruar veprën artistike. Një prej tyre, aktivistja Amber Boydston, është cituar të ketë thënë se grafiti ishte i “parashikueshëm”.

“Kam lindur këtu”, ka thënë ajo për mediat lokale. “Jam në dijeni të nivelit të racizmit në Oregon. Ky vend ka qenë historikisht një lagje zezakësh, ndaj komuniteti i tyre si dhe aktivistë antiracistë vendosën të ndërmerrnin veprime”.

E kjo nuk është hera e parë që muralet e Grijalvas janë vandalizuar. Më parë, persona të panjohur kishin shkruar me sprej të bardhë në fytyrat e Frida Kahlos dhe Yuri Kochiyamas “në djall komunistët”.

Me seli në Texas, “Patriot Front” përshkruhet si një grup nacionalist i njohur për vandalizimin e muraleve dhe veprave të tjera artistike gjithandej vendit. Atyre u mvishet edhe përgjegjësia për shpërfytyrimin e një busti të George Floydit në Brooklyn.