Ka një elegancë jo vetëm në lëvizje, por edhe në kostumografi e skenografi. Sjell tamam atmosferën dhe aromën e gazetës, teksa e rikthen kohën nja një shekull prapa, brenda një redaksie të mirëfilltë, ku tensioni, pasioni e harmonia bëhen një. “Deadline” mbi të gjitha ringjall epokën e artë të gazetës, është një lloj kontrapunkti me të sotmen pa asnjë gazetë të shtypur në Kosovë. Aty matet edhe pesha e fjalës së shkruar. Pjesë e shfaqjes me rekuizita janë edhe “Rilindja” e “Koha Ditore”, por edhe këto shenja mund të zbërthehen nga këndvështrime të ndryshme. Shfaqjes me koreografi të Sead Vuniqit i ka paraprirë një hulumtim
Gazetat dikur ishin privilegj dhe me to dalloheshin shtresat e larta të shoqërisë. “Deadline” çon një shekull prapa në kohë. Por në një edhe më të artë, kur të gjithë u bënë një me gazetat. Koreografi Sead Vuniqi bën një botë dinamike të një redaksie, energjinë e pandalshme dhe përkushtimin asokohe ndaj gazetarisë së mirëfilltë. E shfaqur në një shekull distancë kohore nga rrëfimi i saj, shfaqja reflekton në vendin pa gazeta të shtypura e të cilat mezi i siguron.
Atelieja e Pallatit të Rinisë është kapitulli i radhës i improvizimit të një institucioni shtetëror artistik. Punë e palodhshme është dëshmuar me kamuflimin e sallës pa kushte. Është tjetërsuar sa i përket estetikës. E simbolika e ka pritur publikun që në hyrje të saj. Është instaluar letër gjigante e shkruar si simbol i gazetës e si rrëfim që mbërthen gjithë publikun, deri në skenë. Aty nis të shpaloset prapavija e përkushtimi i një pune të madhe që për rezultat ka një numër voluminoz gazete me krejt ngjarjet e ditës dhe shumë më shumë.
Në “Deadline”, takimet, mbledhjet, raportet kolegiale e hapin linjën e rrëfimit dhe janë tregues për nisjen e një dite pune në një redaksi gazete. Kur punët e përgjegjësitë ndahen, bëhet e ditur edhe hierarkia e medias. Është një qasje serioze ndaj profesionit në konceptin e shfaqjes. Një çast pauze shpërfaq harmoninë e ekipit dhe kjo shpaloset nëpërmjet vallëzimit. Ky rrëfim nëpërmjet kërcimit tregon se secili ka stilin e vet të punës, sikurse edhe ngjan në profesionin e gazetarisë së mirëfilltë. Skenografia fine – realizuar nga Ceren Incerdunsen e Berat Hasani – komunikon hijshëm me temën dhe atmosferën.

Në shfaqje, secili ka kohën dhe afatet. Gazetarët e shfaqjes shpesh shkëputen nga vallja dhe i përvishen punës.
Sead Vuniqi ka thënë se shfaqja është risi për repertorin e Baletit Kombëtar të Kosovës. Sipas tij, qëllimi ka qenë të sillet diçka tejet unike dhe e bukur për publikun që përfshin të gjitha moshat.
“Para se të filloja punën, kam hulumtuar shumë për këtë koncept, sidomos për vitet ’20 e ’30 sesi ka qenë një ditë pune atë kohë, çfarë vështirësish e presionesh ka pasur. Të gjitha këto i kam marrë si informacion për të mundur ta ndërtoj këtë shfaqje. Fillimi tregon se si njerëzit nisin ditën në mëngjes në punë, bisedojnë. Pronari i një redaksie është ai që thotë se ‘kështu nuk shkon dhe kështu nuk vjen suksesi’”, ka thënë Vuniqi, i cili ka bërë të ditur se shfaqja fillon me presion dhe në të njëjtën formë mbaron.
Por në një kohë kur prej rreth gjashtë vjetësh nuk shtypen gazeta, pos në raste të veçanta, për shfaqjen që në qendër ka gazetën, ajo vështirë gjendet si rekuizitë e shfaqjes.
“Sa u përket gazetave, fatmirësisht që ‘Koha Ditore’ nganjëherë shtyp. E kemi bërë një kërkesë për të na huazuar një numër, edhe pse nuk kanë qenë të mjaftueshme, pasi na duheshin më shumë për lojë, skenografi dhe gjithçka. Disa i kemi huazuar edhe në Shqipëri. Kjo ka qenë edhe arsyeja e përcjelljes tek opinioni që, këto gazeta janë zhdukur në vendin tonë, por mendoj se kanë qenë shumë të rëndësishme në atë kohë”, është shprehur Vuniqi.

Edhe më e largët është makina e shkrimit. Të tilla janë tetë në “redaksinë” e Baletit Kombëtar.
“Ka qenë e vështirë të sigurohen makinat, pasi janë në zhdukje e sipër, por fatmirësisht Teatri Kombëtar ka pasur diçka si dhe balerinët, disa, i kanë pasur në shtëpi. I kam huazuar edhe nga disa miq, në kafeteri ku kam pasur rastin t’i shoh”, ka thënë Vuniqi.
Shpeshherë zhurma e këtyre makinave te shkrimit është muzika qendrore e shfaqjes. Aty është edhe makina e ish-gazetares së “Rilindjes”, Nezaqete Rugovci.
“Kjo është një makinë e punës sime, të cilën e kam shfrytëzuar dhe me të kam punuar nga fillimi e deri në përfundim të ‘Rilindjes’. Kjo shfaqje ndërlidhet pak a shumë edhe me 80-vjetorin e botimit të parë të gazetës ‘Rilindja’, e cila ka qenë në vitin 1945. Është një kontribut i jashtëzakonshëm i Baletit Kombëtar për realizimin artistik të një profesioni kaq të rëndësishëm, kaq të veçantë dhe jashtëzakonisht të vështirë, sikurse është gazetaria”, është shprehur Rugovci.
Siç ka treguar ajo, tetë makinat e shkrimit në shfaqje ndërlidhen me numrin e makinave të shkrimit në “Rilindje” dhe flet për mungesën e kushteve për punë.
“I shihnim balerinët duke performuar pikërisht me ato ndjenja që ne kemi pasur gjatë shkrimit të një lajmi. Në skenë ishin gjithsej tetë makina, ashtu sikur ka qenë në kohën time. Fillimisht këtë makinë e kam ndarë me një koleg timin. Sfida më e madhe ka qenë sfida e kohës, e dorëzimit të shkrimit për publikim”, ka thënë ajo.
Në “Deadline” ka presione, qortime, tension. Kostumografia e realizuar nga Elva Bella dhe Sanije Imeraj-Zatriqi, flet për një histori të largët. Aq e largët sa gazeta në skenën mediale në Kosovë.
Shfaqja kthen nostalgjinë dhe kureshtjen për të parë punën në një redaksi gazete. Redaktori është ndarës përgjegjësish, burim i presionit e tensionit e edhe lajmëtar e paralajmërues i përgjigjes së publikut e institucioneve ndaj lajmit.
Në këtë institucion thelbësor ka edhe momente mërzie e edhe histori dashurie që lindin po aty. Ka edhe mospajtime e kacafytje. Shitja e gazetës është kapitull më vete në kronikën e rrëfimit. Përhapja e informacionit konsiderohet e rëndësishme e shkëmbimi i gazetës me monedha shpesh bie.
Me anë të kërcimit shpalosen botët e personalitetet e gazetarëve. Burrat janë të fortë emocionalisht, kanë përplasje me kolegët e tyre, por ato duket se mbesin në kontekstin e punës. Gratë në anën tjetër kanë lidhje të forta midis vete, janë bashkëpunuese, shprehin shumë emocione. Aty shfaqet edhe beteja për pozitën e gazetarit e lufta e ashpër për ta ruajtur pozitën.

Balerina Aulonë Nuhiu, e cila ka pasur një prej roleve kryesore në shfaqje, ka thënë se në “Deadline” secili gazetar do që puna e tij të shihet.
“Shfaqja zhvillohet në një redaksi të lajmeve rreth viteve 1920-1930. Në atë kohë kishte presion të madh për publikimin e lajmeve. Secili gazetar do që të shprehet puna e tij dhe të shihet. Në këtë mënyrë jemi munduar ta shfaqim gjithë këtë storie me anë të lëvizjeve, me koreografi të kolegut tonë Sead Vuniqit. Mendoj se është një shfaqje shumë atraktive edhe për publikun. Një shfaqje interesante dhe kënaqësi edhe për ne ta shfaqim para publikut”, është shprehur Nuhiu.
Ka thënë se ka qenë një lloj përzierje e stileve kur rrëfimi vjen si klasik e transmetuar me balet modern.
“Stili i kostumeve, dukjes sonë është i viteve 1920-1930, por lëvizjet janë të baletit modern që mendoj se Seadi ka bërë një punë të mrekullueshme me ndërlidhjen e lëvizjeve dhe gjithë shfaqjen, si me kombinimin e muzikave, kishte tango, klasike, moderne. Është bërë një miks i mirë mendoj dhe ka dalë një shfaqje e mirë”, ka thënë Nuhiu.
E balerina Jeta Musolli e ka konsideruar përvojë më vete të qenët gazetare në shfaqje baleti.
“Kanë qenë gjashtë javë prova intensive, pa orar të caktuar. Shfaqja, siç shihet, është shumë e ngarkuar si me lëvizje, me karaktere, skenografi, personazhe. Jemi 22 balerinë në skenë. Besoj se ia kemi dalë. Të jesh gazetare në një shfaqje ishte përvojë mjaft e mirë, e bukur, një eksperiencë, shfaqje pak më ndryshe se të tjerat dhe me temë më ndryshe”, ka thënë Musolli.
Gjermania Eva Wagner, e cila ka punuar libretin dhe dramaturgjinë e shfaqjes, ka thënë se procesi i punës për të ka qenë përvojë e mrekullueshme me ansamblin e balerinëve.
“Isha shumë entuziaste për këtë vepër, sepse më pëlqeu qasja ndaj kësaj teme intelektuale që ka të bëjë me gazetën, të lexuarit, informacionin, njohurinë. Por në anën tjetër flet për emocionin dhe për atmosferën. Njerëzit punojnë në ekip dhe në besim, duan të mësojnë, të kenë kontakte me lexuesit. Fillova të propozoj role kryesore, situata simbolike, tema. E zhvilluam rrëfimin dhe linjën e tij dhe më pas isha dy javët e fundit këtu në prova”, ka thënë ajo për “Deadline”, premierë e dytë e BKK-së pas “Hope”, po me koreografi të Sead Vuniqit e dhënë në shkurt të këtij viti.
Skena vendoset në një metropol evropian të viteve 1920 – një epokë e artë për gazetarinë dhe shtypin.
“Shikuesit do të ndjekin gazetarët teksa i përkushtohen punës së tyre, duke balancuar mes gazetarisë skandaloze me tirazh të lartë dhe raportimit investigativ si dhe duke eksploruar zhvillimet e reja në fotoreportazh”, shkruhet për shfaqjen “Deadline”, e cila e pati reprizën e parë të premten, një ditë pas premierës.