Kulturë

“Dasmat dhe Pampersat” peshon progresin e ngecjet në çështje gjinore

Filmi dokumentar “Dasmat dhe Pampersat”, nën regji të Antoneta Kastratit dhe Cassey Cooper Johnson, është rikthyer më shumë se 15 vjet pas realizimit, duke shërbyer si pikënisje e diskutimit për çështje gjinore. Teatri “Adriana” në Ferizaj ka qenë nikoqir i shfaqjes së filmit para audiencës së përbërë kryesisht nga të rinjtë. Katër çifte nga rajone të ndryshme dhe marrëdhënie të veçanta bashkëshortore hapën dyert e shtëpisë së tyre, duke paraqitur partishmërinë e tyre në rrëfim dokumentar. Ka qenë viti 2007 dhe mënyra e ndarjes së punëve në shtëpi, në të shumtën e rasteve nis nga aspekti gjinor. Vetëm njëri prej çifteve, burri e gruaja bashkëveprojnë në rritjen e fëmijëve dhe në përkujdesjen ndaj tyre. “Dasmat...” ec nëpër një varg normash tradicionale që e kushtëzojnë gruan të jetë protagonistja e shumë punëve në shtëpi.

Pikërisht kjo mënyrë e paraqitjes së realitetit shoqëror qe ajo që ngjalli diskutimin midis publikut dhe panelisteve që “truAktiv” solli në skenë.

Diskutimi nisi nga mënyra e trajtimit të gruas në “filmin e realitetit” nga bashkëshortet e tyre, duke kaluar te shembuj të prekshëm të shoqërisë kosovare 16 vjet pas. Vetë organizata “truAktiv” e ka rikthyer dokumentarin me qëllim të krahasimeve në distancë kohore në lidhje me ndarjen e detyrave mes bashkëshorteve në Kosovë, por pa anashkaluar edhe tema të tjera që burim kanë barazinë gjinore.

“Ne e kemi shfaqur ‘Dasmat dhe Pampersat’, që ka dalë në vitin 2007, por mendoj që ende është shumë aktual sepse flet për traditat martesore dhe paraqet dinamikat mes çifteve të martuara. Arsyeja pse erdhëm këtu është të nxisim një debat dhe për t’i bërë të rinjtë t’i mendojnë gjërat pak më ndryshe, sidomos për patriarkat, për tradita”, ka thënë Hana Deva nga “truAktiv”.

Sjellja e filmit dhe diskutimit në qytetin e Ferizajt nuk ishte i rastësishëm.

“’truAktivi’ e ka për qëllim nxitjen e mendimit kritik tek të rinjtë, edhe ne shërbejmë si një platformë apo programi i edukimit alternativ. Për këtë arsye jemi munduar të bëjmë decentralizimin e aktivizimit dhe po ashtu të aktiviteteve. Dhe kemi ardhur këtu në Ferizaj, por e kemi për qëllim të shkojmë edhe në qytete të tjera të Kosovës sepse e kemi vërejtur që bëhen shumë aktivitete në Prishtinë dhe jo aq shumë në vende të tjera”, ka thënë Deva.

Pas përfundimit të dokumentarit, në skenën e teatrit dolën Fortunë Haziri dhe Adelina Tërshani. Ato patën rastin të jenë pjesë e diskutimit të nisur nga “Dasmat...”, për të prekur edhe tema të tjera.

Për Hana Devën, që ka drejtuar diskutimin, prania e aktivisteve në organizimin në Ferizaj është një mënyrë e mirë për të shtyrë përpara tema që prekin shoqërinë.

“Ne si organizatë kemi bashkëpunuar edhe më herët me Adelina Tërshanin. E çmojmë shumë si aktiviste feministe, edhe për këtë arsye e kemi thirrur këtu në panel. Me Fortunën nuk është se kemi bashkëpunuar më herët, por thjesht ka shumë fjalë të mira për të. Menduam se të dyja këto mund të sjellin ndryshime, sidomos në një vend si Ferizaj”, ka thënë ajo.

Adelina Tërshani ka thënë se i pëlqen të dalë nga zona të frekuentuara shpesh nga aktivizmi i saj, për ta sjellë atë edhe në qytete të tjera, siç është Ferizaj.

“Zakonisht mezi pres me dalë nga Prishtina, me zhvendosë aktivizmin edhe me folë për lëvizjen feministe në përgjithësi. Me fytyra të reja, në vende të reja dhe për të mos e centralizuar të gjithë lëvizjen në Prishtinë. Kështu për mua ishte shumë kënaqësi të diskutoj me vajza dhe djem të rinj, e sidomos për filmin që e shikuam sepse prek tema të rëndësishme, të cilat kanë hapësirë për t’u analizuar nga perspektiva gjinore. E pashë që jemi mirë nga pjesa e informimit dhe ka edhe më shumë punë për t’u bërë për me arritë në pikën ku s’kemi me pasë nevojë të diskutojmë normat gjinore”, ka thënë Tërshani.

Dokumentari nuk ka qenë premierë për të.

“Ishte interesant sepse edhe me të pranishmit kur ishim duke e diskutuar në panel e pamë që mund të themi se tash ka shumë çifte si ‘Çifti i Prishtinës’, çifti ku tregon babai se qysh duhet me u ndërru pampersat e fëmijëve, e që ishte një çift pak më model. Edhe në përgjithësi u pajtuam edhe mund të konkludojmë që sot kemi më shumë çifte të tilla. Struktura e familjes, punët brenda shtëpisë, punët në kujdesin e fëmijëve po ndryshojnë edhe kanë filluar të mendohen edhe nga babai edhe nga nëna”, ka thënë ajo, duke u shprehur e kënaqur me reformën gjatë 16 vjetëve.

Jo pak tema e përgjigje zbërthehen në “Dasma dhe Pamperat”.

“Filmi ka qenë i mrekullueshëm sepse gjithë kohën ka nxitur ndjenja që këto mendimet tradicionale i nxisin. Shpesh isha e nevrikosur me karakteret që shfaqeshin në film. Por në bazë të filmit e pash se si ka qenë atëherë, a po ka ndonjë progres, ose cilat janë tash pikat ku duhet të fokusohemi në shoqërinë tonë kur vjen puna të dallimet gjinore edhe vetëdijesimet që edhe gratë tashmë e kanë për veten”, ka thënë Tanush Berisha, pjesëmarrëse në këtë aktivitet.

Si aktivist rinor, Adrian Sadiku ka thënë se janë të domosdoshme aktivitet jo vetëm të një fushe, por edhe kulturore a rinore.

“Sepse rinia ka qasje më të mirë nëse merret me aktivitete se sa të rrijë pasive. Përndryshe unë i ftoj krejt institucionet që me pasë aktivitete të tilla që rinia të ketë një qasje ndryshe, një vend për diskutime”, ka thënë Sadiku, që ka marrë pjesë edhe në diskutime.

Dokumentari që hap kapituj të realitetit, qe rikthyer verën e kaluar edhe në bienalen nomade evropiane “Menifesta 14”, përderisa në Ferizaj u shfaq për herë të parë.