Kulturë

Darka e gabuar

Ose: Peter Handke, përse jeni me vrasësit?!

Të gjitha gazetat dhe portalet shqiptare botuan këto ditë një tekst me titull “Çfarë ka shkruar Kadare për Peter Handken njëzet vjet më parë në ditarin e tij për Kosovën ‘Ra ky mort e u pamë’”.

Fillimisht, teksti në fjalë doli në gazetën letrare “ExLibris” të botuesit të Kadaresë dhe pastaj e publikuan pothuajse të gjitha mediat në Tiranë, në Prishtinë e gjetkë.

Në këtë tekst, të cilin po e citojmë të plotë, thuhet: “Televizioni austriak më kërkon një mendim për qëndrimin e Peter Handkes. Në Austri dhe në Gjermani ka fushatë të ashpër kundër tij. Ai qëndrim, ç’është e vërteta, më shumë se zemërim, më ka shkaktuar brengë. Siç ndodh me njerëzit që i njeh. Siç ndodh me sjelljet që ndryjnë brenda një mister. Shkrimtari më i njohur i Austrisë. Me nënë sllovene. Frankofon. Prej vitesh, duke qenë këshilltar pranë shtëpisë botuese austriake ‘Residennz Verlag’, është ai që ka propozuar librat e mi për përkthim. E kam njohur para ca vitesh në Paris. Ambasadorja e Austrisë në Francë na ftoi për darkë të dyve, bashkë me gratë. Gruaja e tij franceze është e admirueshme. Nuk e gjej dot ç’grerëz e ka pickuar. Gjithë ai tërbim kundër shkrimtarëve boshnjakë, gjithë ai zell për të mbrojtur krimet serbe në Bosnjë e pastaj në Kosovë. Një shkrimtar kroat përpiqet ta shpjegojë me zanafillë frojdiste. Nuk më besohet. Ndërkaq, nga darka në Ambasadën austriake më kujtohet një frazë e tij. Një frazë disi e veçantë, e thënë me njëfarë pikëllimi:’nuk jam më i njohur si më parë’. A mund të jetë atje ana e së keqes? Ndoshta, pse jo”. (Shënimi mban datën: 20 prill 1999).

Puna e parë që bëra pas leximit të këtij teksti qe shfletimi i librit “Ra ky mort e u pamë”. E kam lexuar këtë libër qysh në kohën kur doli nga shtypi, në vjeshtë të vitit 1999 dhe i jam kthyer disa herë të tjera më vonë, por ja që ky tekst nuk më kujtohej. Dhe s’kishte si të më kujtohej, sepse ai mungon në botimin e parë. Aty ka një shënim të datës 17 prill dhe një tjetër të datës 21 prill, por 20 prilli është bosh. Nuk ka asnjë shkronjë, madje as ndonjë shenjë tjetër, fjala vjen, pikat e heshtjes (…) .

Pak është të thuash se u befasova, sepse botuesi nuk e shoqëron tekstin me kurrfarë shpjegimi, pra nuk thuhet se nga cili botim është marrë shkrimi, ndërkohë që lexuesit i referohen rëndom botimit të parë, që është edhe më i rëndësishmi. Si shpjegohet fakti që në botimin frëngjisht, botuar po atë vit (1999), ky tekst figuron, kurse në botimin shqip mungon? Gabim teknik apo shmangie e qëllimshme? Për të mos i irrituar lexuesit shqiptarë, veçanërisht ata kosovarë, në njërën anë, por edhe për të mos u hatëruar me Handken, “këshilltarin e shtëpisë botuese austriake ‘Residennz Verlag’”, në anën tjetër, ky tekst është hequr në botimin shqip, por nuk është prekur në botimin frëngjisht. Sepse, “Handke është frankofon”; gruaja e tij është franceze; jetojnë në Francë… Do të doja ta kem gabim, por kësaj i vjen, me keqardhje po e them, era kalkulim! (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)