“Ancient Illyria: An archaeological exploration” është vepër klasike nga arkeologu britanik dhe pionieri në studimin e qytetërimit të Egjeut në epokën e bronzit, Sir Arthur Evans. Libri, i cili shqyrton jetën e ilirëve të lashtë dhe përmban shumë njohuri për rajonin, është i mbështetur në udhëtimet e tij në këtë zonë gjatë shekullit XIX. Ndërkaq kapitulli kushtuar tokës dardane, tashmë është përkthyer në gjuhën shqipe nga përkthyesi dhe redaktori Sherif Luzha. Promovimi i “Dardanisë” ka rikthyer debatin që Kosovës t’i ndryshohet emri
Pesha dhe rëndësia e veprës “Ancient Illyria: An archaeological exploration” e arkeologut britanik dhe pionierit në studimin e qytetërimit të Egjeut në epokën e bronzit, Sir Arthur Evans (1851 – 1941) bazuar në hulumtime të gjata arkeologjike e bëjnë punën e tij si një udhëzues për arkeologjinë, në veçanti historinë e Ilirisë së lashtë.
Nisur nga ky fakt, 141 vjet pas botimit të parë të librit, kapitulli i tij për Dardaninë vjen si një libërth i përgatitur dhe i përkthyer nga Sherif Luzha në shqip dhe me parathënie nga shkrimtari e poeti Ag Apolloni. Promovimi i “Dardanisë” të martën në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës ka ardhur në formë diskutimi nga paneli i përbërë nga Luzha, Apolloni dhe arkeologu Arianit Buçinca.
Debati ka marrë kthesë interesante, duke hapur diskutimin për ndryshimin e emrit të Kosovës në Dardani. Polemikat e shkaktuara rreth emrit dhe nxitjes së këtij debati kanë dhënë përshtypjen se ky qe edhe vetë objektivi i promovimit.
Madje edhe vetë ballinën e librit – e cila paraqet hyjneshën në fron, figurinën e periudhës neolitike në një sfond të bardhë – Ag Apolloni e konsideron si qëllimshëm provokative.
Për të, ripagëzimi i shtetit është diçka e mundur dhe duhet shqyrtuar me seriozitet si mundësi, duke iu referuar shteteve të cilat kanë pësuar ndryshime në emër.
“Rëndësia e librit të Evansit për Ilirinë dhe veçmas kjo pjesë që flet për Dardaninë është edhe e natyrës politike, historike krahas asaj arkeologjike. Meqenëse Kosova ende nuk e ka një status të definuar mirë, ky libër ofron mundësi të shumta të diskutimit, po flasim për Dardaninë që Arthur Evansi në libër i referohet si Metohija dhe Kosova. Metohija origjinën e ka nga gjuha greke, ndërkaq Kosova është emërtim serb”, është shprehur Apolloni.
Në këtë çështje të ngritur nga ai ka replikuar arkeologu Buçinca. “Ky emërtim që Arthur Evansi i ka bërë Kosovës, natyrisht që ka të bëjë dhe me faktin se ai gjatë qëndrimit në Kosovë ka qenë kryesisht i shoqëruar nga priftërinjtë serbë, pasi që ata rëndom kanë ditur gjuhë të huaja”, ka shtuar Buçinca duke iu referuar dhe disa lëshimeve në këtë libër, pa çka që ai e quajti si publicistik atë dhe të tolerueshme në këtë rast.
Në përpjekje për të kuptuar kontekstin historik dhe kulturor të Dardanisë, nëpërmjet gjetjeve të Arthur Evansit të përkthyera në shqip, pjesëmarrësit shpërfaqën ndjenja të ndryshme rreth diskutimit që u çel si papritmas, për ndërrimin e emrit të Kosovës.
E “Dardania” i përbërë nga dhjetëra faqe shërben si pasqyrë e punës kërkimore të Evansit në Dardani, e cila u vlerësua si shumë e rëndësishme, pavarësisht kontekstit kohor dhe kushteve të zhvillimit të arkeologjisë tani, në shekullin XXI.
“Evansi ka qenë një arkeolog profesionist për kohën e tij, duke marrë parasysh metodat që kanë qenë atëherë. Për ne, Arthur Evans dhe vepra e tij është temë me interes të veçantë për shkak të informacioneve të detajuara që ai sjell në këtë libër”, ka thënë Buçinca në promovimin e librit.
Për Ag Apollonin, i cili ka shkruar parathënien e librit duke ndjekur gjurmët e Arthur Evansit nëpër Kosovë, ai atij iu referua si një arkeolog i cili nuk ka zbuluar vetëm artefakte, por qytetërime të tëra.
“Edhe pse hulumtimi i Arthur Evansit nuk është i përkryer, mungesa e interesimit deri sot për ta hedhur në qarkullim për lexuesin shqiptar, është një tregues i qartë i letargjisë së pinjojve dardanë. Arkeologu anglez nuk na i rrah supet, por na i hap sytë”, shkruan Apolloni në parathënien e librit.
Arthur Evans, në studimet e tij mbi Ilirinë, hulumton edhe terrenin shqiptar, dhe veçmas provincën ilire të quajtur Dardani, e cila kishte tri qendra: Shkupin, Ulpianën dhe Nishin. Në shtegtimet e tij studimore në Dardani, ai gjurmon, evidenton, vizaton, dëshmon dhe studion mbetjet antike ilire në Gjakovë, Pejë, Lipjan etj. Zbulime të veçanta bën edhe në Kaçanik, ku gjen dëshmi të adhurimit të zotit Andin, perëndisë së bimësisë dhe pjellorisë së tokës.
Krahas gjetjeve arkeologjike, Arthur Evans në librin e tij trajton edhe toponimet e ndryshme të trevave në territorin e sotëm të Kosovës, aspekt ky mbi të cilin u koncentrua diskutimi njëorësh.
“Nyjat e komunikimeve të rrugëve, toponimet, mikrotoponimet nga koha e Arthur Evans janë me rëndësi për ne, pasi që janë ndër dokumentimet më të vjetra të këtyre emërtimeve. Toponime të tilla, që nga koha e Evansit i gjejmë edhe sot, si për shembull: Gradishta e Gushicës, Rruga e Rimit, Kalaja e Llanishtës, e shumë të tjera”, ka thënë Buçinca duke theksuar se të gjitha këto lokalitete të lartpërmendura momentalisht janë të rrezikuara nga mihjet e gurëthyesve, përderisa asnjëra nga to nuk gëzon statusin e mbrojtjes së përkohshme apo të përhershme.
Shkrimi i saktë i toponimeve të përdorura në origjinalin e Evansit ka qenë brenga kryesore e përkthyesit, i cili ka ilustruar këtë çështje edhe me një shembull.
“Për shembull Arthur Evans, toponimin Xërxë e kishte shkruar Dzrdze. Andaj ka qenë e vështirë të kuptohet se për cilin vend po flitet, vetëm në rast se jemi përafruar me vendndodhjen e vendeve të përmendura kemi arritur ta definojmë emrin saktë. Normalisht ka qenë e kuptueshme pasi që atë e kanë përcjellë rëndom njerëz të pashkollë që nuk kanë ditur shkrim e lexim”, është shprehur Luzha duke potencuar se frika kryesore në realizimin e këtij përkthimi ka qenë mundësia evidente që ato të përkthehen gabimisht pa dashje.