Kulturë

“Correr o fado” kap ritmin dhe zhytet në kulturën portugeze

Nën ritmin e këngëve fado, të cilat të sjellin ndërmend kulturën e vallëzimin portugez, trupa nis t’i japë formë “Correr o fados”, një shfaqje bashkëkohore që luan mjeshtërisht me estetikën e lëvizjeve dhe skenografia është në funksion të plotë të saj. Si e tillë shfaqja është një zhytje në kulturën portugeze prej nga vjen edhe koreografi i kësaj shfaqjeje, Daniel Cardoso. Edhe uji është element i shfaqjes dhe ka arsye për këtë

Si shëtitje nëpër kulturën portugeze vjen shfaqja “Correr o fado”, e dhënë premierë nga Baleti Kombëtar i Kosovës. Nën direktivat e koreografit portugez, Daniel Cardoso, balerinët kapin ritmin fados, një muzikë tradicionale portugeze që shquhet nga melankolia e me temë për detin dhe jetën e varfër. E pasur në skenë është “Correr o fado”, premiera e dytë e BKK-së për sivjet.

Takimi i parë i publikut – tek hyn në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës – është skenografia, dy soje vaskash a akuariumesh në të dyja anët.

Një objekt i tillë, por paksa më i madh se këto anash zë pjesën përballë publikut. Secili ndriçohet në të kaltër e pjesa tjetër në errësirë. E tillë mbetet skenografia e kur balerinët dalin në skenë. Ndriçohet dalëngadalë deri sa publiku arrin t’i shohë qartë edhe fytyrat e balerinëve.

Nën ritmin e këngëve fado, të cilat të sjellin ndërmend kulturën e vallëzimin portugez, trupa nis t’i japë formë. Janë tetë balerinët – Jeta Musolli, Mërgime Morina, Vjollca Llugiqi, Fatmir Smani, Kreshnik Musolli, Sead Vuniqi, Fisnik Smani dhe Leonora Rexhepi – që nëpërmjet lëvizjeve të shkathëta e kërcimeve delikate vjedhin vëmendjen e publikut. Fillimisht e gjejnë harmoninë bashkë e më pas u japin hapësirë edhe lojës në dyshe. Përfundimi i një pjese konfirmohet më fikjen e dritave pas së cilave në sallë shpërthejnë duartrokitjet. Pjesa e dyta e lejoi trupën që të vijë në performanca dyshe. Teksa çiftet vallëzojnë nën dritën e reflektorit, pjesa tjetër e trupës qëndron ulur mbi kubet me ujë, duke shikuar me admirim vallëzimin e palës tjetër. Ndonëse shfaqja në përgjithësi shquhet nga nota sentimentale, të buta e plot melankoli, vallëzimi në çift sjell edhe momente romantike, shoqëruar edhe me betejë për të arritur dashurinë e tjetrit.

Pjesa kulmore e shfaqjes si zakonisht vjen gati në fund. Balerina Vjollca Llugiqi solli njërin ndër interpretimet më të veçanta të vëna në skenë nga Baleti Kombëtar i Kosovës. E shtyrë nga dy balerinë, Llugiqi zhytet brenda objektit më ujë. U deshën pak sekonda që Llugiqi ta niste performancën brenda ujit. Lakohet, zhytet e spërkat nëpër sallë. Llugiqi noton nga njëra anë në tjetrën, duke qenë plotësisht nën ujë. Këtë e bën edhe dy herë të tjera, çka bëri që në sallë të shpërthenin me të madhe duartrokitjet.

Koreografi nga Portugalia, Daniel Cardoso, është shprehur i lumtur me bashkëpunimin me trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës. Teksa ka treguar që nuk kishin pasur edhe shumë kohë për prova, Cardoso ka lavdëruar ekipin për arritjen e madhe në realizimin e kësaj shfaqjeje.

Image
Pjesa kulmore e shfaqjes si zakonisht vjen gati në fund. Balerina Vjollca Llugiqi vallëzon nën ujë (Foto: Bardha Neziri)

“Ishte një eksperiencë shumë e mirë. Isha shumë i lumtur veçanërisht me rezultatet përfundimtare. Kemi punuar vetëm për një muaj e pak, nuk ishte një kohë e gjatë. Ata kanë punuar shumë dhe intensivisht që të arrijnë t’i kapin lëvizjet e mia, të kapin kualitetin tim dhe mënyrën e punës sime. Kjo ishte hera e parë që punuam bashkë. Tani që po i shoh rezultatet përfundimtare, jam shumë, shumë i lumtur. Kanë bërë një punë të mirë dhe e përgëzoj ekipin”, ka thënë ai.

Në rolin e koreografit, Cardoso ka shpjeguar edhe natyrën dhe veçantinë e kësaj vepre. Ka thënë se ka dashur që të sjellë kulturën portugeze dhe jo vetëm.

“Është një vepër bashkëkohore, nuk është një vepër letrare, nuk ka një linjë të tregimit. Kemi punuar rreth emocioneve midis grave dhe burrave dhe uji është aty për shkak se kjo vepër është krijuar në vendin prej nga vij, Portugalia. Është krijuar si një vepër me synim reprezentimin e kulturës sime, asaj portugeze dhe kjo ishte arsyeja edhe pse muzika ishte portugeze”, ka thënë ai. Ka shtuar se nëpërmjet ujit ngrit veprën në një nivel më të lartë të artit pamor.

“Uji është aty sepse është uji ai që e ka bërë Portugalinë të njohur në botë. Kjo ishte arsyeja pse uji ishte element i shfaqjes dhe unë desha ta vë në skenë. Nuk është një gjë e lehtë për t’u bërë, teknikisht nuk është shumë e lehtë, është e rrezikshme, është ujë në teatër. Ishte shumë e rëndësishme për mua që të kisha një element që do ta çonte veprën në një nivel tjetër në aspektin e arteve pamore”, ka shpjeguar ai.

Balerina Vjollca Llugiqi ka treguar se vallëzimi nën ritmet e muzikë fado ishte një gjë që ajo e kishte ëndërruar për një kohë të gjatë.

“Ka qenë një proces shumë i mirë qysh nga fillimi. Ka qenë një emocion i veçantë sepse ne veçse e kemi ditur me çfarë muzike kemi të bëjmë, të paktën unë që kam dëgjuar goxha shumë muzikë fado para se ta kuptoj se kjo shfaqje është me muzikë fado. Unë e adhuroj muzikën fado dhe gjithmonë e kam pasur ëndërr që një herë të bëj diçka me këtë muzikë. Mendoj që ëndrra ime më është realizuar me këtë performancë sonte, publiku e priti mirë”, ka thënë ajo, ende në emocionet e skenës.

Llugiqi, e cila me delikatesë zhytet në ujin e ftohtë, ku për disa minuta sjell një interpretim tejet unik, ka thënë se “sfida me ujë ka qenë më të vërtetë sfidë në vete” sepse për shkak të kushteve nuk kishin pasur mundësi të bënin prova aq sa kishte qenë e nevojshme.

Në publik ka qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Është shprehur i lumtur me performancën e balerinëve.

“Ishte një performancë pak më ndryshe se herët e tjera. Sonte kisha ftuar edhe shumë mysafirë këtu. Ishin këshilli iniciues i Muzeut të Artit Bashkëkohor, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kishte edhe shumë figura eminente të artit të Kosovës dhe jam shumë i lumtur që u bëmë pjesë e një performance shumë të bukur, shumë të veçantë, me ca stërpika uji që erdhën edhe deri te publiku në fund”, ka thënë ai.

Teksa ka përmendur vështirësitë e një shfaqjeje të tillë, balerini Sead Vuniqi është shprehur krenar me punën që kanë bërë balerinët.

“Ne po ndihemi shumë të lumtur pas asaj që e pamë. Duartrokitjet e publikut janë ai frymëzimi ynë që ne gjithmonë luftojmë për ato. Secili prej balerinëve sot ndihet shumë i mrekullueshëm dhe shumë krenar, duke e ditur që sfidën që e kemi pasur në këtë shfaqje, ka qenë një sfidë goxha e madhe. Duke e parë vullnetin e secilit prej nesh, jemi merak ta sfidojmë vetveten dhe gjithmonë mundohemi ta japin maksimumin dhe të arrijmë synimin e secilës shfaqje, secilit projekt”, ka thënë ai.

“Correr o fado” ka pasur reprizën e parë të premten me solistët: Luljeta Ademi, Aulonë Nuhiu, Fatmir Smani, Kreshnik Musolli, Sead Vuniqi, Muhamet Bikliqi, Mërgime Morina dhe Marigonë Hoxha.