Kulturë

“Contemporary Ethno Orchestra” bashkon etnitë me këngë

Në shumë qendra në vend marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të etnive të ndryshme historikisht mbesin të afërta. Por kur përmendet diversiteti kulturor në këtë aspekt, sinonimi është Prizreni si strehë e komuniteteve etnike, sikurse flamuri që u bën vend gjashtë yjeve që janë simbolikë në vete. Në këtë drejtim, formacioni i grupit muzikor “Contemporary Ethno Orchestra” ka qenë dëshmi me koncertin madhështor në hapësirën e “Autostrada Biennale”

Jo rrallë Prizreni është vlerësuar si qytet i bashkëjetesës multietnike dhe koncerti “Diversiteti dhe trashëgimia kulturore përmes muzikës” ka qenë një tjetër dëshmi. Kënga shqipe, turke, rome, boshnjake e gorane ka bërë bashkë këngëtarët e këtyre komuniteteve në skenën e “Autostrada Biennale”. Grupi muzikor “Contemporary Ethno Orchestra” qe dëshmi e shembull për tolerancën e bashkëjetesën ndëretnike. Ata tingujt e muzikës dhe vargjet e këngëve i përpunojnë në versionin bashkëkohor me qëllim ruajtjen e vlerave kulturore të komuniteteve.

Në shumë qendra në vend marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të etnive të ndryshme historikisht mbesin të afërta. Por kur përmendet diversiteti kulturor në këtë aspekt, sinonimi është Prizreni si strehë e komuniteteve etnike, sikurse flamuri që u bën vend gjashtë yjeve që janë simbolikë në vete. Në këtë drejtim, formacioni i grupit muzikor “Contemporary Ethno Orchestra” ka qenë dëshmi me koncertin madhështor në hapësirën e “Autostrada Biennale”.

Paralajmërim për festë ishin dritat lëvizëse shumëngjyrëshe që depërtonin jashtë hapësirës së adaptuar në qendër kulturore multidisiplinare. Provat e përgatitjet kishin filluar disa orë para koncertit e çdo detaj teknik i organizatorëve ishte shpalosje për përkushtimin dhe rëndësinë e paraqitjes sa më dinjitoze para publikut. Hapësira, të shtunën mbrëma po mbushej në çdo cep dhe po bëhej çdoherë më e ngushtë. Tavolina në njërin cep të hapësirës ishte mbushur me pije e ushqime me të cilat të pranishmit janë shërbyer. I etnive të ndryshme ishte publiku i mbledhur, por nuk ka qenë për asnjë moment barrierë për bisedat në grupe e argëtimi së bashku.

Ka vazhduar edhe më tej kur ka filluar koncerti që e ka nisur Feray Dervish me këngën “Sultani Yegahi”. Këngë tradicionale nga baladat e ato ritmike janë interpretuar si ripërpunime bashkëkohore të këngëve popullore si pikë baraspeshuese mes gjeneratave të ndryshme që kanë përbërë publikun. Interpretimi në skenë ka shpalosur talentin e këngëtarëve, ani pse ka pasur prej tyre që nuk janë profesionistë të fushës.

Ritmi i muzikës e kënga në gjuhën amtare ka qenë ilustrim e prezantim i kulturës para publikut. Egje Renda ka prezantuar këngën boshnjake me “Vrbice Vrbo” e “Cudna Jada” ndërsa Edis Galushi atë rome me “Kerta Keta”.

“Projekti ka për qëllim përqafimin e të gjitha vlerave kulturore që secila etni jep në Kosovë. Sonte jemi duke festuar gjithë këto vlera që qytetarët ia japin Kosovës e shoqërisë sonë dhe për mua është nder të jem pjesë e këtij projekti. Në fakt jo të gjithë jemi profesionistë të kësaj fushe, por jemi aktivistë që punojmë në ruajtjen e vlerave gjuhësore dhe kulturore dhe për këtë na është dhënë ky nder”, është shprehur Edis Galushi që është edhe organizator në “Autostrada Biennale” në Prizren.

Kënga shqipe është prezantuar nëpërmjet “O bylbyl” që është interpretuar nga Dhurata Rexhëbeqaj e “Moj Dilbere” nga Melis Bilibani. Kënga turke “Canakkale” është interpretuar edhe në shqip. Në skenë ka bërë bashkë Tolga Kazas dhe Besmir Shishkon, ideator i projektit. Kazas e ka vlerësuar kombinimin e këngës në dy gjuhë si simbol të bashkëjetesës së dy komuniteteve në Prizren.

“Unë këndoj përafërsisht 30 vjet në gjuhën turke, shqipe e angleze. Për ne është normale të këndojmë gjuhën turke në Prizren e në Kosovë në përgjithësi. Në Prizren është edhe traditë gjuha turke”, është shprehur ai.

Fatih Qukiqi ka interpretuar “Ka merav” ndërsa të gjithë janë bërë bashkë në skenë në interpretim të këngës “Katibim” ku secili e ka përcjellë kuptimin e saj në gjuhën e tyre. Të jashtëzakonshme e kanë bërë atmosferën bendi i grupit “Contemporary Ethno Orchestra” me energjinë e tyre. Artan Elshani në sint, Dukagjin Muhaxheri në saksofon, Granit Paqarada në bateri, Besnik Bobaj në klarinetë, Armend Shala e Fisnik Hoxha me lojë në kitarë dhe Xhemil Gjini në perkusione, e kanë elektrizuar secilin me muzikë.

Koncerti i grupit muzikor ka qenë në kuadër të projektit nëpërmjet të cilin synohet prezantimi i artit dhe trashëgimisë së komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ideatori i tij, Besmir Shishko, ka treguar se me koncertin e njëjtë ishin paraqitur edhe në jazz festivalin në Bingen të Gjermanisë në vitin 2019. “Qyteti ynë, Prizreni, pasurinë më të madhe e ka diversitetin kulturor, jetojnë shumë komunitete. Qëllimi im është që gjithë këto t’i përcjellin gjeneratat e reja, në mënyrë që të mos ketë paragjykime mes tyre, por edhe që ne shqiptarët dhe etnitë tjera të njihemi me trashëgimitë kulturore të njëri-tjetrit”, ka thënë Shishko, i cili është shprehur se po synojnë rritjen e anëtarëve të grupit dhe depërtimin e qëllimit të tij me pjesëmarrje në festivale e koncerte përtej Kosovës. “Projekti ndërlidhet me diversitetin, me trashëgiminë kulturore dhe në përgjithësi me kulturën e qytetit të Prizrenit. Unë si ideator i projektit kam mbledhur këngë të ndryshme nga Prizreni që këndohen nga komunitete të ndryshme. Këto këngë performohen në gjuhët e këngëtareve ndërsa kënga është një lloj muzike moderne e përzier me jazz, pop, rock si mundësi që të gjithë të dëgjojnë këngët e vjetra tradicionale të Prizrenit”, ka përfunduar ai.