Cikli i parë i leximeve skenike të dramës bashkëkohore të Kosovës nga teatri “Bekim Fehmiu” është përmbyllur me veprën “Ping Pong & Dashuri” të autorit Butrint Pasha, nën regjinë e Kreshnike Osmanit. Në këtë cikël, në prani të publikut në “DokuKino”, paraprakisht nga autorët e këtij teatri janë lexuar edhe dy drama të tjera, “Crypto Kosova” nga Agush Mulliqi, nën regjinë e Xheraldina Krasniqit, dhe “Pluhur Luminarie” nga Arijeta Ajeti, nën regjinë e Kaltrim Balajt. Juria profesionale e këtij cikli ka vlerësuar se që të tria këto vepra mund të inskenohen, megjithëse ka ofruar edhe një renditje për inskenimin e tyre.
Juria është përbërë nga Doruntina Basha, dramaturge, Alban Morina, aktor, dhe Fatos Berisha, regjisor.
“Juria vlerëson lart punën e autorëve të dramave të reja. Të tri veprat dramatike kanë potencial për inskenim, andaj i propozon teatrit ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren inskenimin e veprave në të ardhmen, në këtë renditje: 1. ‘Ping Pong & Dashuri’; 2. ‘Crypto Kosova’; dhe 3. ‘Pluhur Luminarie’”, thuhet në deklaratën e jurisë së ciklit të parë.
Drejtori i teatrit “Bekim Fehmiu”, Burim Mustafa, ka theksuar se cikli i parë i projektit të ri të teatrit i titulluar “Contempora” është realizuar me sukses duke sjellë risi në punën artistike. “Tri dramat e reja nga autorët vendorë, që patën lexime skenike publike, u mirëpritën nga publiku dhe komuniteti artistik. Me projektin ‘Contempora’, teatri ‘Bekim Fehmiu’ në Prizren mëton zhvillimin e dramës së re shqipe jo vetëm me lexime skenike, por edhe me vazhdimin e zhvillimit të dramave në bashkëpunim me konsulentë dramaturgjikë deri te vënia në skenën e teatrit tonë”, ka thënë Mustafa.
Në të njëjtën kohë ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë autorët, regjisorët, aktorët e aktoret, punëtorët e teatrit, kolegët dhe publikun për bashkëpunim dhe mbështetje në zbatimin e këtij projekti të ri.
Fatos Berisha, drejtor artistik i teatrit “Bekim Fehmiu” dhe anëtar i jurisë, javë më parë pati pohuar se “Contempora” si një projekt më afatgjatë synon t’i promovojë dramat e reja vendore duke krijuar ura lidhëse edhe me regjisorët e rinj. “Është projekt që synon përmes leximeve skenike të autorëve të rinj të zhvillojmë fillimisht dramaturgjinë vendore e pastaj edhe me regjisorët e rinj të bashkëpunojmë, njëkohësisht në të njëjtin projekt, që domethënë edhe t’i njohim ne ata, edhe ata ne, të krijojmë një përvojë...”, ka sqaruar ai.
Cikli i leximeve skenike ishte përshkruar si një përvojë e veçantë nga regjisori Kaltrim Balaj pasi, sipas tij, publikut i ofrohet mundësia që tekstin ta “lexojë” me zërin e aktorëve. Ai ka vlerësuar se me disa lexime skenike rresht Teatri i Prizrenit ua ka dhënë mundësinë autorëve të rinj që të promovohen, por edhe publikut me qenë në hap me zhvillimet e fundit dramaturgjike të vendit.
Aktori Xhevdet Doda ka pohuar se cikli i leximeve skenike tregon përkushtimin e trupës teatrore për punë. “Mr gjithë situatën në të cilën gjendet Teatri i Prizrenit gjatë procesit të rinovimit, ne po tregojmë që e duam punën tonë, profesionin tonë dhe po japim shembull konkret të vullnetit tonë dhe të përkushtimit për profesionin tonë, duke i bërë këto lexime skenike, të cilat janë një shembull shumë i veçantë...”, ka thënë Doda.
Ndërtesa ku funksionon teatri “Bekim Fehmiu” është në rinovim që prej verës së vitit të shkuar. Teatri është munduar ta përshtaste aktivitetin konform këtyre rrethanave.
Teksti më i mirë i këtij edicioni të “Contemporas”, sipas planeve të drejtuesve të këtij teatri, do të inskenohet gjatë vitit të ardhshëm.