E rritur në një familje shurdhmemecësh, jeta e saj është në udhëkryqin e një vajze të re me shumë ëndrra që përballet me pikëpyetje. Filmi që shpërfaq jetën e shurdhmemecëve ka triumfuar edicionin e 94-t të çmimeve më prestigjioze në kinematografi. Solidarizim më vete ishte ai me popullin ukrainas që po përballet me agresionin rus. E skandali me shuplakën e Will Smithit ka bërë që ceremonia e sivjetme të mbahet mend edhe për të keq
Historia e një 17-vjeçareje që jeton një realitet jo fort të zakontë e ekranizuar nën titullin “CODA” ka dalë triumfuese në edicionin e 94-t të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar”. Filmi i cili u shpall më i miri, deri vonë ishte konsideruar si një projekt me pak gjasa për fitore.
Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve “Oscar” që u mbajt të dielën mbrëma në teatrin “Dolby” në Hollywood, “CODA” u bë filmi i parë nga platforma “Apple TV+” që e fiton shpërblimin kryesor të “Academy Awards”. “CODA” i regjisores amerikane Sian Heder në fokus ka fatin e Rubyt, e cila është i vetmi zë në shtëpi, që për më tepër synon të depërtojë përtej shtëpisë. E rritur në një familje shurdhmemecësh, jeta e saj është në udhëkryqin e një vajze të re me shumë ëndrra që përballet me pikëpyetje. Mëngjeseve punon në biznesin familjar e në pjesën tjetër të ditës ndjek mësimet për këndim. Fati e mban në udhëkryq midis familjes dhe ëndrrave për këndim.
Kur vjen koha të zgjedhjet vendimtare në jetë, barra e përcaktimit i bëhet edhe më e rëndë. Triumfi i kësaj drame nga regjisorja 44-vjeçare mposhti të nominuarit që konsideroheshin si më favoritë: “Belfast”, “Dune”, “The Power of the Dog” dhe “West Side Story”. Për disa është vlerësuar edhe si fitore befasuese.
Gjatë fjalimit të saj Heder në pranimin e shpërblimit më të rëndësishëm në karrierë u shoqërua në skenë me një interpretuese të gjuhës së shenjave. Përveçqë ka falënderuar të gjithë anëtarët e Akademisë dhe anëtarët e ekipit, një falënderim të veçantë regjisorja ia ka dedikuar komunitetit të të shurdhërve që e kanë frymëzuar gjatë procesit të filmit.
“Ky ka qenë një film i pavarur dhe jashtëzakonisht i vështirë për t’u realizuar. Dua ta falënderoj ekipin tim, producentët dhe të gjithë ata që besuan në mua dhe në mënyrën se si doja ta bëja filmin”, ka thënë ajo në fillim të fjalimit të saj në skenë. Filmi i cili hovin e suksesit e mori në “Sundance Film Festival 2021”, regjisorja ka thënë se ka qenë një eksperiencë që ia ka ndryshuar jetën si artiste dhe si njeri.
Ky film ka qenë adaptim nga filmi francez “La famille Belier” e vitit 2014 nga Victoria Bed. Për realizimin e tij regjisorja, e cila e ka bërë edhe vetë skenarin, kishte futur edhe dromca që lidhen me jetën e saj. Ëndrrën për këtë film e kishte pasur si e re, pasi që e kishte takuar asistentin e babait të saj, i cili kishte qenë po ashtu fëmijë i prindërve të shurdhër. Kur ia kishte rrëfyer një producenti këtë histori, ajo kishte shtuar edhe historinë e saj për t’u bërë këngëtare. Më pas të dyja këto i futi në adaptimin e skenarit për filmin “CODA”.
“Është si një metaforë, sepse e kam ndjenjën që familja nuk më dëgjonte kur isha e vogël. E kisha ndjenjën e të qenit ndryshe në familjen time, dhe kur këndoja mendoja se duke kënduar ata do të më dëgjojnë”, kishte shpjeguar ajo. “CODA” mbrëmjen e së dielës mori tri shpërblime “Oscar” pasi që aktori Troy Kotsur u shpërblye me Çmimin e aktorit më të mirë në rol dytësor, duke u bërë burri i parë memec që fiton një çmim të tillë në aktrim. “CODA” me vete mori dhe trofeun për skenarin më të mirë të adaptuar.
Gruaja e tretë me “Oscar” për regji
Filmi “Dune” doli si triumfues i shumëfishtë me më së shumti trofe. Filmi me regji të Denis Villeneuve është shpërblyer në gjashtë kategoritë: “Montazhi më i mirë i filmit”, “Zërimi më i mirë”, “Efektet më të mira vizuale”, “Dizajni më i mirë i produksionit” , “Kinematografia më e mirë” dhe “Kënga më e mirë origjinale”.
Jane Campion u bë gruaja e tretë që fitoi “Oscar” për regjinë më të mirë për filmin “Power of the Dog”. Regjisorja nga Zelanda e Re u nderua për punën e mrekullueshme në filmin më të nominuar të këtij edicioni. Ky film ishte i nominuar në gjithsej 12 kategori. Filmi tregon historinë e një fermeri të ashpër në Montana të vitit 1925, i cili terrorizon gruan e re të vëllait dhe djalin e saj, në një përpjekje për të maskuar të vërtetën e tij dhe për të përmbushur idealet mashkullore.
Fitorja e Campionit ishte e rëndësishme për historinë e ceremonisë “Oscar”, pasi për të dytin vit me radhë në kategorinë kryesisht të dominuar nga burrat triumfoi një grua. Vitin e kaluar këtë shpërblim e fitoi regjisorja, Chloé Zhao, për filmin “Nomadland”.
“Më pëlqen regjia, sepse është një zhytje e thellë nëpër tregime, megjithatë detyra për të manifestuar një botë mund të jetë dërrmuese”, ka thënë Campion në fjalimin e saj gjatë pranimit të çmimit. Ajo ka falënderuar gjithë ekipin, veçmas aktorët të cilët ka thënë se tani i cilëson si miqtë e saj.
Jessica Chestain triumfoi në kategorinë “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin, “The Eyes of Tammy Faye”, duke ia dalë në një konkurrencë të fortë të përbërë nga aktoret: Nicole Kidman, Penelope Cruz, Olivia Colman dhe Kristen Steëart.
“Oscar” për rolin më të mirë në rol dytësor shkoi për aktoren e filmit “West Side Story”, Ariana DeBose, e cila u bë gruaja e parë me ngjyrë dhe homoseksuale që fiton “Oscar” për aktrim.
Ashtu siç ishte parashikuar, Billie Eilish dhe vëllai i saj Finneas e fituan çmimin për këngën më të mirë origjinale, për kolonën zanore të filmit me agjentin James Bond, “No Time To Die”. Projekti filmik nga Japonia, “Drive My Car” u shpall si më i miri në gjuhë të huaj, kategori ku në rrethin e ngushtë para nominimeve ishte edhe filmi kosovar “Hive”, i regjisores Blerta Basholli.
Ndërkaq me “Oscarin” për filmin më të mirë të animuar u nderua filmi “Encanto”. Filmi i regjisorit Kenneth Branagh, “Belfast”, u shpërblye në kategorinë “Skenari më i mirë origjinal”.
Veprimi i paparashikueshëm
Dita e së hënës në vorbullën e komentimeve të shumta për ceremoninë prestigjioze u orientua te veprimi i aktorit Will Smith, i cili para se të ngjitet për ta marrë një prej çmimeve më të rëndësishme në karrierën e tij, në skenë u ngjit për një arsye krejtësisht tjetër. Me këtë krijoi një prej skenave që nuk është parë më herët në ceremoni të tilla. Në mes të sallës ku po mbahej ceremonia më e rëndësishme kinematografike e goditi Chris Rockun në fytyrë. Dhe ceremonia e edicionit të 94-t të ndarjes së shpërblimeve “Oscar” vështirë se do mbahet mend për diçka tjetër.
Si befasuese dhe mes mëdyshjes nëse ishte shaka u prit fillimisht veprimi i Smith. Nga ulësja ku u kthye, Smith vërtetoi se veprimi i tij ishte me gjithë mend. Me një zë të ashpërsuar i kërkoi komedianit Rock që mos të flasë më kurrë për gruan e tij. E gjitha ndodhi kur në përpjekje për të bërë humor, Chris Rick iu drejtua aktores Jada Pinket Smith duke i thënë se mezi pret ta shohë të luajë në filmin “G.I. Jane 2”, me ç’rast iu referua kokës së saj tullace. Smith ka folur disa herë publikisht rreth faktit se vuan nga rënia e flokëve si pasojë e sëmundjes të quajtur Alopecia.
Kjo ngjarje, e cila nuk kishte ndodhur më parë në një organizim të përmasave të tilla, natyrisht se bëri që të pranishmit, por edhe publiku që po e ndiqte ceremoninë nga shtëpia të mbesnin të habitur duke mos ditur se si të reagojnë ndaj asaj që ndodhi.
Megjithëkëtë, mbrëmja vazhdoi tutje pa incidente tjera, Chris Rock ia ndau “Oscarin” për dokumentarin më të mirë muzikantit QuestLove, për filmin “Summer of Soul” dhe më vonë Will Smith doli në skenë për ta pranuar shpërblimin më të rëndësishëm të karrierës së tij, “Oscarin” për aktorin më të mirë, për portretizimin e babait të tenisteve, Serena dhe Venus Williams, në filmin “King Richard”. Fjalimin e mbajti mes lotësh nëpërmjet së cilit u kërkoi falje organizatorëve të ceremonisë “Oscar” dhe të gjithë kolegëve të tij të nominuar gjatë mbrëmjes.
Me të dalë në skenë për ta pranuar çmimin “Oscar”, Smith vazhdimisht i referohej një fuqie më të lartë, për të cilën ka thënë se po i bënte thirrje t’i dashurojë njerëzit dhe t’i mbrojë ata. Ai shtoi se është i vetëdijshëm që duke qenë person i famshëm, i duhet ta durojë abuzimin, mosrespektin dhe njerëzit që flasin gjëra të këqija për të dhe familjen e tij, dhe se ai duhet të buzëqesh dhe të shtiret se gjithçka është në rregull. Po ashtu, Smith ka thënë se dashuria të bën të bësh gjëra të çmendura, si dhe i vjen keq që nëna e tij u desh ta shikonte një moment të tillë nga shtëpia.
“Arti imiton jetën. Dukem si babai i çmendur, ashtu siç thoshin për Richard Williams. Por dashuria do t'ju bëjë të bëni gjëra të çmendura”, ka thënë ai përgjatë fjalimit të tij.
Akademia, e cila merret me organizimin e ceremonisë prestigjioze ka reaguar përmes “Twitter”-it për këtë veprim, duke e refuzuar kërkimfaljen e Smith-it.
“Akademia nuk e fal dhunën në asnjë formë. Sonte jemi të lumtur t’i nderojmë fituesit të edicionit të 94-t të ceremonisë sonë, të cilët e meritojnë këtë moment të vlerësimit nga kolegët dhe adhuruesit e filmit anembanë botës”, shkruhet në postim.
Për veprimin e tij është komentuar shumë, disa e kanë lidhur atë me traumat e fëmijërisë së Smith. Në librin autobiografik të publikuar në nëntor të vitit 2021, Smith e përshkruan në hollësi dhunën që nëna e tij Caroline e kishte përjetuar nga babai i aktorit, William, për të cilën ai bashkë me motrat dhe vëllezërit e tij kishin qenë dëshmitarë, raportoi të hënën “The Guardian”.
“Kur isha 9-vjeçar e kam parë babanë duke e goditur nënën time në kokë aq shumë, sa ajo i humbi ndjenjat. E pashë teksa pështynte gjak nga goja. Ai moment në dhomën e gjumit ndoshta më shumë se cilido moment i jetës sime më ka bërë burrin që jam sot”, ka shkruar ai në librin autobiografik.
Thirrjet për ndihmë ndaj Ukrainës
Si një sjellje që nuk ka vend në skenë është vlerësuar anekënd botës, ajo e aktorit William Smith. Të tjerët e kanë pranuar si reagim i nxitur nën afekt. Si e papranueshme është vlerësuar edhe nga regjisori i njohur nga Kosova, Isa Qosja. Sipas tij, një veprim i tillë ia ka zbehur hijeshinë ngjarjes glamuroze.
“Konsideroj që ‘Oscarin’ e mbrëmshëm, çfarëdo të ishte ai, e njollosi sjellja e William Smith. Një shuplakë e papritur nga një bartës i ‘Oscarit’ është shuplakë ndaj manifestimit më namëmadh të kulturës në botë. E papranueshme dhe komprometuese”, i ka thënë KOHËS, regjisori Qosja.
Edhe për regjisorin Qosja, shpërblimi kryesor për filmin “CODA” ka qenë një fitore befasuese. Shpresat më të mëdha për të kanë qenë në filmin “The Power of the Dog” i regjisores Jane Campion.
“Filmi i huaj ‘Drive my car’ është ‘Oscar’ i papritur dhe i merituar, i merituar për faktin se nuk e kishte konkurrencën e denjë në këtë kategori. ‘Oscar’ për filmin amerikan e për mua ishte një befasi. Prisja të triumfonte në disa kategori “The Power of the Dog” i Jane Campion, por triumfoi papritur për mua dhe besoj për shumëkënd filmi ‘CODA’. Laureatët e tjerë janë kryesisht fitues të parashikuar dhe të predikuar”, ka thënë ai.
Gjatë ceremonisë treorëshe, një minutë heshtje shkoi për ata që po luftojnë çdo ditë për jetën dhe vendin e tyre. Përgjatë heshtjes në sallë, në ekran është treguar mbështetja me popullin e Ukrainës, që aktualisht përballet me pushtimin, konfliktin dhe paragjykimin brenda kufijve të tyre.
“Ndërsa filmi është një rrugë e rëndësishme për ne për të shprehur humanizmin tonë në kohë konflikti, realiteti është se miliona familje në Ukrainë kanë nevojë për ushqim, kujdes mjekësor, ujë të pastër dhe shërbime emergjente”, është thënë tutje, duke bërë thirrje më të madhe për mbështetje ndaj Ukrainës. Mes triumfit befasues, dhunës së papritur dhe humanizmit me shtetin e pushtuar, ceremonia e ndarjes së çmimeve “Oscar” përmbylli edicionin e 94-t me radhë.