Galeria Kombëtare e Kosovës organizon edicionin e 14-të të ekspozitës ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi 2022” dhe shpall konkurs për pranimin e punimeve nga të gjitha mediumet e arteve bashkëkohore që reflektojnë konceptin kuratorial. Kuratori nga Gjermania, Raimund Stecker, i ka ftuar artistët lokalë që t’i bashkohen garës për këtë ekspozitë, ndërsa ka premtuar se do të sjellin edhe artistë të huaj me të cilët do ta shtrijnë konceptin e sivjetmë edhe jashtë galerisë
Ndërprerja e energjisë elektrike, tashmë e zakontë, këto ditë e vonoi për pak minuta konferencën që ishte paraparë të fillonte në 12:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Folësit e saj bashkë me përfaqësuesit e mediave janë zhvendosur në hollin e GKK-së për të prezantuar detaje për konkursin e ekspozitës “Çmimi Muslim Mulliqi 2022”. Konkursi që u hap më 20 korrik të këtij viti është pritur me interesim nga artistët vendor që ia mësyjnë garës për Çmimin tashmë tradicional që mbanë emrin e piktorit të njohur kosovar që punën e vet e shtrinte mes stilit impresionist dhe ekspresionist. Në organizimin tradicional të kësaj ekspozite, Galeria Kombëtare e Kosovës shndërrohet në një bienale që prezanton mozaik veprash që i përmban konceptit kuratorial që vijnë nga emra të dëshmuar të artit në botë.
Edicioni i 14-të ka qenë i paraparë të mbahej në vitin 2020, por ishte anuluar për shkak të pandemisë. Për rikthimin e këtij konkursi që mbledh punime të artistëve në ekspozitë, Galeria Kombëtare e Kosovës ka përzgjedhur njerëz profesionalë që i kontribuojnë këtij çmimi. Sipas zëvendësuesit të drejtorit të Galerisë, Naim Spahiu, deri tash interesimi është goxha i madh ndërsa ftesa mbetet e hapur edhe për më shumë artistë që mund ta lidhin temën me konceptin që i jep formë kësaj bienale, e cila këtë vit për fokus e ka temën e “respektit” – duke e transformuar atë në rrafshin artistik.
“Ne, si menaxhment i galerisë pa humbur kohë, kemi kontaktuar kuratorët, njerëz profesionalë që i ndihmojnë këtij çmimi që vlerat që janë trashëguar me vite të tëra të vazhdojnë tutje dhe të na sjellin prurje të reja”, ka thënë zëvendësuesi i drejtorit të GKK-së Naim Spahiu. Kuratorët e kësaj ekspozite janë Christian Mosar nga Luksemburgu dhe Raimund Plug nga Dusseldorfi. Fjalët kyç me të cilat duhet të përafrohet koncepti i artistëve konkurrent janë: “Gjest respekti, Re-tro-spektive, ri-shikimi, ri-kthimi, re-spekti, ri-spekulimi dhe respektakular. Diskutimet do të lidhen me raportin e pikturës sot. Në këtë rrafsh, pyetja që shtrojnë kuratorët është kjo: "E dini, piktura ka historinë më të madhe, piktura ka të ardhmen më të madhe!". Kuratorët ngulmojnë se respekti për tradicionalen i është mveshur artit si një lloj gjesti mirësjelljeje.
“Mendoj është e mrekullueshme që ta shohim sot se si ne përballemi me pikturën, sepse ne gjatë gjithë ditës jemi duke shikuar piktura në telefon. Askush nuk po e shikon pikturën në versionin origjinal. Ndoshta kjo duhet të jetë ajo mbi të cilën do ta ndërtojmë këtë ekspozitë”, ka thënë kuratori nga Gjermania, Raimund Stecker. Stecker nga viti 2009 deri në vitin 2013 ka qenë drejtor artistik i Muzeut Lehmbruck në Duisburg. Që nga viti 2015, Raimund Stecker është ligjërues i historisë së artit në Universitetin e Arteve të Bukura në Essen, dhe ai ka qenë profesor i historisë së artit atje që nga viti 2016. Ai para mediave ka treguar një histori në një katalog të vjetër ku ilustrohet dialogu i një nënë të re e cila po e kalonte rrugën me fëmijën e saj, kur një fqinj i tha komplimente për fëmijën e saj. E ajo i tha se atë duhet ta shikonte në fotografi. Këtë dialog thotë se do ta zhvendosin në pikturën që do ta marrë formën e ekspozitës pas përmbylljes së konkursit në shtator të këtij viti. Kuratori Stecker ka theksuar se në këtë edicion do të mundohen të zgjerohen edhe jashtë objektit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ai ka shtuar se do të ftojnë edhe artistë të nivelit ndërkombëtar që t’i bashkohen edicionit të 14-të të kësaj ekspozite.
“Ne jemi të interesuar të sjellim në Prishtinë edhe artistë të nivelit ndërkombëtar. E para që të fillojnë dialogun se çfarë janë fotografia dhe piktura sot dhe çfarë mund të jetë piktura sot. Nuk ka kuptim për mua që të ketë ndarje mes piktorëve, artistëve vizuelë, performuesve, vizatuesve skulptorëve. Ne po flasim për artin dhe gjuhën”, ka thënë Stecker në konferencën që është mbajtur në mesditë në GKK. Është ndalur te fuqia e artit në raport me gjuhën, duke thënë se nuk të duhet ndonjë gjuhë për të vizituar muzetë. Dhe kjo edhe i ka shtyrë kuratorët që të bëhen pjesë e kësaj ekspozite. Javën tjetër do ta kenë një takim në Luksemburg ku do të flasin edhe më tej për shtrirjen e ekspozitës, ndërsa theksojnë se mezi presin t’i shohin punimet e aplikantëve. Kjo do t’i shtyjë të punojnë edhe më tej për të sjell punë të reja të artistëve me nam në botë. “Pra, Bienalja jonë dëshiron të jetë e qëndrueshme historikisht në të ardhmen”, është fjalia me të cilën kuratorët e përmbyllin fjalën e tyre duke premtuar një edicion që endet në sfidimin e kohëve.
Ekspozita “Çmimi Muslim Mulliqi” tashmë është shndërruar në një organizim tradicional e që mbahet për çdo dy vjet. Tema e vitit 2018 ishte “A janë histori tregimet tona” dhe fitues të çmimit prestigjioz u zgjodhën Valdrin Thaqi e Artan Hajrullahu. Konkursi për çmimin “Muslim Mulliqi” është hapur më 20 korrik dhe do të jetë i hapur deri më 20 shtator. Punimi më i suksesshëm do të shpërblehet me “Çmimin Muslim Mulliqi” në vlerë prej 3 mijë eurosh.