Kulturë

Çlirimi i Kosovës, mësim i jashtëzakonshëm i historisë për aleancat politike

Konferenca e ASHAK-ut

“Të dominuar nga kujtimet dhe përjetimet e luftës, të rënduar nga vuajtjet dhe nga traumat, akademitë përkujtimore dhe konferencat tona shkencore, deri tani kanë qenë më shumë përkujtimore sesa akademi, më shumë faktografike dhe më pak shkencore. Tani që po bëhen 25 vjet nga lufta e Kosovës, kur një brez i tërë i lindur pas luftës është rritur dhe maturuar, është koha e duhur që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet tona, shkrimet dhe botimet tona, të shkojnë secilën herë e më shumë duke u bërë më akademike dhe më shkencore, më konceptuale dhe më teorizuese”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ngjarja që ka bashkuar akademikë të Kosovës dhe Shqipërisë e po ashtu politikanë aktivë dhe joaktivë, pos porosive, ka zbardhur edhe studime nga perspektiva të ndryshme. Përderisa kryeministri Albin Kurti ka dhënë porosi për më shumë studime e shkencë në raport me të kaluarën, akademikët në anën tjetër, u kanë dhënë porosi politikës dhe shoqërisë që të kenë kujdes me aleanca politike. “Për ne, ndërkaq, që mësuam historinë, por nuk ishim aq të sigurt nëse do ta jetonim atë, çlirimi i Kosovës nuk do të pushojë të jetë, përveçse ngjarje me vlerë sipërore, edhe një mësim i jashtëzakonshëm i historisë për aleancat politike, sepse tashmë është e qartë se Shqipërinë dhe Kosovën, me gjithë ankesat tona të hershme dhe të vona, e bëri mendimi politik oksidental dhe nuk e morëm asnjë ndihmë sado të vogël ose mbështetje nga gjysma tjetër e globit”, ka thënë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve i Kosovës, Mehmet Kraja

Se popullit të Kosovës nën robëri e luftë dielli i lindi nga perëndimi në vitin 1999, është gjë e ditur. Por ky rast duhet të merret si mësim për aleancat politike. Kjo porosi është një prej atyre që është dhënë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të hënën gjatë punimeve të konferencës shkencore “25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës: një çerek shekull shtetndërtim, arritje dhe sfida - qasje multidisiplinare”. Ngjarja që ka bashkuar akademikë të Kosovës dhe Shqipërisë, e po ashtu politikanë aktivë dhe joaktivë  pos porosive, ka zbardhur edhe studime nga perspektiva të ndryshme. Përderisa kryeministri Albin Kurti ka dhënë porosi për më shumë studime e shkencë në raport me të kaluarën, akademikët në anën tjetër, u kanë dhënë porosi politikës dhe shoqërisë që të kenë kujdes me aleanca politike.

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve i Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se për kombin shqiptar çlirimi i Kosovës ishte ngjarja e dytë më me rëndësi në historinë shqiptare të shekullit XX, krahas pavarësisë së Shqipërisë.

“Por ajo që na bën të mendohemi më gjatë për këtë ngjarje historike, të pangjashme në historinë tonë, është dimensioni kontemporan, botëror, që mori ky zhvillim i pazakonshëm për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe botën demokratike: askush më nuk e konteston se lufta për Kosovën bëri një ndryshim thelbësor në mënyrën e konceptimit të lirisë së popujve, demokracisë dhe vetadministrimit, parime këto që për shumë kohë u shkelën rëndë në vendimmarrjet historike, veçmas në konferencat e paqes. Pra, një ndryshim konceptual, botëkuptimor, në njohjen e së drejtës për liri të kombeve dhe jetë të dinjitetshme të të gjithë njerëzve të mbarë planetit”, ka thënë ai. 

Sipas Krajës, ndërhyrja e NATO-s dhe çlirimi i Kosovës është ndryshim konceptual dhe vlerë botërore edhe për një mori çështjesh të tjera, që lidhen me perceptimin e së drejtës në marrëdhëniet ndërkombëtare, në sovranitetin e shteteve, ndryshime këto që bashkëkohësuan mendimin politik dhe i dhanë dimension human të drejtës së ftohtë dhe ndonjëherë të egër të lirisë dhe vetëvendosjes së popujve.

“Për ne, ndërkaq, që mësuam historinë, por nuk ishim aq të sigurt nëse do ta jetonim atë, çlirimi i Kosovës nuk do të pushojë të jetë, përveçse ngjarje me vlerë sipërore, edhe një mësim i jashtëzakonshëm i historisë për aleancat politike, sepse tashmë është e qartë se Shqipërinë dhe Kosovën, me gjithë ankesat tona të hershme dhe të vona, e bëri mendimi politik oksidental dhe nuk e morëm asnjë ndihmë sado të vogël ose mbështetje nga gjysma tjetër e globit”, ka thënë ai. Ka treguar se nuk beson në koincidenca as profeci, por në vullnetin e njeriut, në mendjen dhe pasionet e tij. 

“Por këtë bindje ma luhat një fakt i çuditshëm: çlirimi i Kosovës ndodhi mu ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Thashë, nuk i besoj koincidencës, por i besoj një fakti tashmë të ngulitur në vetëdije, se dy shekujt e shkuar bënë kombin dhe shtetet tona: Lidhja e Prizrenit bëri kombin shqiptar, shekulli 20 bëri dy shtetet tona. Shekulli 21 nuk e ka thënë ende fjalën e vet për ne”, ka thënë ai. 
Në këtë konferencë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur gjatë – siç e ka edhe zakon – duke përmendur shifra, data e detaje të tjera për vitin 1999. 
Ka kritikuar goxha konferencat. 

“Të dominuar nga kujtimet dhe përjetimet e luftës, të rënduar nga vuajtjet dhe nga traumat, akademitë përkujtimore dhe konferencat tona shkencore, deri tani kanë qenë më shumë përkujtimore sesa akademi, më shumë faktografike dhe më pak shkencore. Tani që po bëhen 25 vjet nga lufta e Kosovës, kur një brez i tërë i lindur pas luftës është rritur dhe maturuar, është koha e duhur që diskutimet dhe debatet tona, hulumtimet dhe studimet tona, shkrimet dhe botimet tona, të shkojnë secilën herë e më shumë duke u bërë më akademike dhe më shkencore, më konceptuale dhe më teorizuese”, ka thënë ai. Sipas tij, historia dhe trashëgimia e luftës në Kosovë, kanë aq shumë nevojë për t’u studiuar, hulumtuar dhe për t’u, siç ka thënë ai, shkencëruar. 

“Ngase ne si shoqëri dhe si shtet, kemi nevojë për diskurse të mirëfillta shkencore dhe për narracione sa më të plota dhe të vërteta historike për luftën tonë. Kemi nevojë për shumë studime shkencore dhe gjithashtu për botime akademike për gjithë çfarë ka ndodhur gjatë gjithë luftës në vendin tonë: për viktimat e luftës, për luftëtarët e lirisë, për dëmet e luftës, për kujtesën kolektive të luftës, për gjykimet për krime të luftës, për masakrat dhe për gjenocidin, pastaj për hyrjen e papritur të ushtarëve rusë më 11 qershor 1999 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe largimin e tyre në vitin 2003, intervenimet ushtarake humanitare dhe për mësimet prej tyre, si në histori, ashtu edhe në ushtri dhe diplomaci”, ka thënë Kurti. 

Kryetari i Akademisë së Shkencave i Shqipërisë, Skënder Gjinushi, është marrë me rreshtimin dhe përbashkimin e shqiptarëve në kohë të vështira. Ka thënë se në mbyllje të bisedimeve të Rambouillet, dilema e madhe qe pranimi ose jo i projekt-marrëveshjes, meqenëse pavarësia nuk garantohej në mënyrë eksplicite, ashtu si para saj ishte dilema nëse duhej rezistenca e armatosur e shqiptarëve. “Dallimet të cilat qenë edhe brenda faktorit shqiptar. Por shqiptarët ditën të zgjedhin duke zgjedhur anën e duhur në Rambouillet, ashtu edhe momentin e përshtatshëm për marrjen e armëve. Pranimi i marrëveshjes flet për rreshtimin e shqiptarëve, proces që vazhdon dhe do të jetë objekt i konferencave të tilla”, ka thënë ai. 

Juristi Fatmir Sejdiu, i cili në kohë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte president i vendit, ka thënë se në ditë të vështira shqiptarët nuk u nënshtruan, por rezistuan të prirë nga UÇK-ja. Duke folur për tmerrin që ka ndodhur në Kosovë, ka thënë se Serbia edhe sot e kësaj dite mban informatat për të zhdukurit si armë terrori kundër familjeve të qytetarëve të Kosovës. 
“Mbi të gjitha, patëm dyer për të trokitur jashtë Kosovës, diçka që shumë popuj nëpër histori nuk e kanë pasur. Shpallja e pavarësisë solli përgjegjësi të reja për Kosovën. Viteve të fundit, sidomos pas shkurtit të vitit 2022, gjeopolitika po ndryshon. Kosovës i duhen dy dialogë, një me vetveten dhe një me Perëndimin”, ka thënë ai. 

Juristi Arsim Bajrami, njëherësh anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve i Kosovës, ka thënë se Kosova u përdor për të ngritur nacionalizmin serb që donte Serbinë e madhe dhe logjikisht kjo krizë përfundoi në Kosovë. Ka thënë së në fund Kosova u bë edhe varri i Sllobodan Millosheviqit. 

“Në prapaskena ka pasur dy tendenca në Rambouillet. Tendenca e parë ishte që të detyrohet Millosheviqi të pranojë marrëveshjen. Presionet ishin shumë të mëdha. Më pas me deklasifikimin e dokumenteve të Departamentit të Shtetit, kam kuptuar se ka pasur divergjenca edhe midis zyrtarëve amerikanë. Kam të dhëna të sakta që Richard Holbrooke dhe Christopher Hill kanë dashur që Konferenca të ketë sukses dhe Millosheviqi të bindet për të nënshkruar marrëveshjen dhe të mos ketë bombardime. Kur ka ardhur Madeleine Albright ka dashur vetëm nënshkrimin e palës shqiptare. Pra ishte një konferencë shumë interesante. Franca, Gjermania dhe Italia nuk ishin të lumtura për të bombarduar”, ka thënë Bajrami, i cili edhe ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në këtë Konferencë.

Në kuadër të përvjetorit të 25-të të çlirimit gjatë konferencës njëditore janë shpalosur perspektiva të ndryshme mbi shtetndërtimin nga studiues shqiptarë e të huaj.