Animacioni “Clara me mustaqe” me skenar dhe regji të Ilir Blakçorit është në garë në festivalin francez “Annecy International Animation Film Festival”, që njihet si njëri ndër festivalet më të mëdha të animacionit në botë. Është festivali i tretë botëror brenda dy javësh në të cilin përzgjidhet në garë. Kësaj radhe në festivalin francez është përzgjedhur nga një konkurrencë prej 2850 aplikuesish nga 95 shtete
Regjisori Ilir Blakçori duket të ketë goditur në shenjë me filmin e tij të animuar, “Clara me mustaqe”. Brenda gati dy javësh, animacioni i metrazhit të shkurtër ka arritur që të bëhet pjesë e tri festivaleve me nam. Pas “Santa Barbara International Film Festival” dhe “Cleveland International Film Festival” në SHBA, është selektuar që të jetë pjesë e njërit prej festivaleve më të rëndësishme të animacionit në botë – “Annecy International Animation Film Festival”. Festivali i kategorisë A do të mbahet prej 14 deri më 19 qershor. Përmes pjesëmarrjes në këto tri festivale, “Clara me mustaqe” hap rrugë për filmin kosovar e veçanërisht për animacionin.
“Annecy International Animation Film Festival” është themeluar në vitin 1960 dhe mbahet në Annecy të Francës. Fillimisht mbahej çdo dy vjet e prej 1998-s u bë i përvitshëm në qytetin që njihet si “Perla e Alpeve Franceze”, është një nga ngjarjet kryesore.
“Clara me mustaqe” është pjesë e kategorisë “Perspectives Short Films in Competition” në kuadër të këtij edicioni të 60-të që mendohet të mbahet në formatin hibrid.
“Ky festival është një nder festivalet më me nam për filmat e animuar, dhe ndihemi shumë krenarë që nga një konkurrencë prej rreth 2850 aplikuesish të filmave nga 95 shtete, ne kemi arritur që të përzgjidhemi në listën e ngushtë”, ka thënë regjisori Ilir Blakçori për KOHËN.
Në fokus të animacionit është kartëmonedha 100 marka gjermane, ku vërehet portreti i bukur i Clara Schumanit. Kompozitorja dhe mësuesja e pianos është një ndër pianistet më të njohura gjermane të periudhës së romantizmit. Gjatë animacionit, era e lehtë që fryn e dërgon kartëmonedhën gjetkë nëpër vende të ndryshme.
Siç e zbërthen Blakçori, duke udhëtuar nga dora në dorë, Clara zbulon emocione dhe situata të ndryshme njerëzore. Sipas tij, ajo e mishëron veten në luftë, shpëtim të jetës, grabitje, krim, korrupsion, dhe shpresë për një të ardhme më të mirë.
“Filmi u kushtohet 31 milionë fëmijëve në të gjithë botën të cilët sot ende vuajnë nga lufta dhe dhuna, sepse në fund të fundit, ekipi pas këtij filmi ishin vetëm fëmijë gjatë luftës së fundit në Kosovë. E mesazhi është që ëndrrat dhe shpresat për një të ardhme më të mirë asnjëherë mos t’iu shuhen”, ka thënë Blakçori.
Bashkë me ekipin kishin punuar pesë vjet në këtë animacion të shkurtër. Animacioni tregon një histori universale, pa dialogë, por në një mënyrë shumë artistike.
“Luftërat në përgjithësi bëhen për pushtet dhe autoritet dhe gjithmonë motivuesi kryesor prapa këtyre të dyjave është paraja”, është shpjegimi që jep Blakçori, duke kujtuar se prej 1990 deri në vitin 2002, Kosova ka pasur një lidhje të veçantë me markën gjermane.
“Për këtë arsye atë e shohim si një dëshmitare të përvojave të tmerrshme që njerëzit e Kosovës kaluan gjatë gjithë atyre viteve, veçanërisht atyre 1998-1999”, ka thënë ai kur ka folur për “personazhin” e animacionit.
Produksioni është realizuar nga “Molos” dhe mbikëqyrëse e animacionit është Vala Blakçori, e cila ka master për animacion të karakterit në “Animation Mentor” në Kaliforni. Në anën tjetër, muzika e mirëfilltë që përcjell pamjet vizuale gjatë gjithë filmit është vepër e kompozitorit francez Romain Zante, që u orkestrua nga “Budapest Art Orchestra”, në përbërje të mbi 50 instrumentistëve. Një pjesë e kolonës zanore është kompozim i vetë kompozitores dhe pianistes Clara Schumman, por e risjellë në mënyrë të veçantë nga kompozitori francez.
Fillimisht “Clara me mustaqe” u selektua për të dhënë premierën botërore në festivalin e njohur “Santa Barbara International Film Festival” në Santa Barbara të Kalifornisë, që të mërkurën hapi edicionin e sivjetmë dhe do të zgjasë deri më 10 prill.
Pa u bërë një javë erdhi lajmi se animacioni 10-mintuësh është selektuar për një tjetër festival të njohur amerikan, edicionin e 45-të të “Cleveland Film Festival” në Ohio. Edicioni i sivjetmë i “Cleveland Film Festival” do të mbahet online prej 7 deri më 20 prill, ku do të shfaqen 116 filma të metrazhit të gjatë dhe 182 filma të metrazhit të shkurtër.
Në festivalet ku garon “Clara me mustaqe”, filmave fitues u jepet mundësia që të kualifikohen për pjesëmarrje në akademinë e çmimeve “Oscars”.
Në “Annecy International Animation Film Festival”, animacioni i Kosovës është në garë me 21 animacione të tjera: “A Boy I Never Knew” nën regji të Daria Dedok, “Amayi” nën regji të Subarna Das, “Chasse Galerite” nën regjit të Brian Hawkins, “Congregation” nën regji të Nick Simpson, “Divare Chaharom” nën regji të Mahboobeh Kalaee, “Fainanın sirri” nën regji të Durna Safarova, “I am Chuma” nën regji të Clea Mallinson dhe Wendy Spinks, “La copia feliz del edén” nën regji të Samuel Restucci dhe Emilio Romero, “La prima çosa” nën regji të Shira Ukrainitz dhe Omar Razzak, “Llueve” nën regji të Carolina Corral dhe Magali Rocha Donnadieu, “Lolos” nën regji të Marie Valade, “Magutny Bozha - Prayer for Belarus” nën regji të Yulia Ruditskaya, “Malumore” nën regji të Loris Giuseppe Nese, “Mitovebuli Sofeli” nën regji të Mariam Kapanadze, “Play the Game” nën regji të Sandra Mounir, “Quarantine” nën regji të Ivan Andreevski, “Room 5” nën regji të Francis Yushau Brown, “Swipe” nën regji të Arafat Mazhar, “Tamgù” nën regji të Isabel Loyer dhe Luis Paris, “Wochenbett” nën regji të Henriette Rietz, dhe “Y'a bon ?” nën regji të Marc Faye.