Kulturë

“Çka nëse një rrugëtim…” me “Autostrada Biennale” në tri qytete

“Autostrada Biennale” tashmë po merr formë. Të martën ka bërë të ditur artistët, idetë, hapësirat dhe datat e edicionit të saj të tretë. “Çka nëse një rrugëtim…” siç është titulli i këtij edicioni të kuruar nga Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza, vjen si një “ekspozitë për të papërfunduarën”.

“Mund të jetë një rrugë, një hartë elektrifikimi, një shtëpi, një fushë me lule, një tregim, një marrëdhënie ose një shtet. Është ekspozitë që paplotësinë e merr si ftesë për t’u përgjigjur, për t’u lidhur dhe për t’u rritur”, është shkruar në komunikatën për media. Sipas përshkrimit “Çka nëse një rrugëtim…” është ekspozitë për dy skajet e një rruge që takohen ndërmjet mikpritësit e të ftuarit, të mërguarës e vendores, ndërmjet infrastrukturës dhe intimitetit. E po ashtu është shkruar se ajo është edhe ekspozitë për artin si formë e rikuperimit nga kurthet e përditshmërisë.

“Të merr me vete e të shpie në një rrugëtim, duke filluar nga qendra e Prishtinës, e përgjatë rrjedhës së Lumbardhit në Prizren, për të përfunduar në një bar arti në Pejë”, është shkruar në komunikatë.

E kuratorët e “Autostrada Biennale”, Övül Ö. Durmuşoğlu dhe Joanna Warsza, citohet të kenë thënë se në udhëtimin e tyre të parë kërkimor në Prizren, në vjeshtën e vitit 2020, ata dëgjuam histori që nevojiteshin të dëgjoheshin: nga artistë, organizatorë, etnologë të ushqimit, një aktivist rom, një mbrojtës i trashëgimisë, një sociolog urban dhe një filozof, ndër shumë të tjerë.

“Ekspozita është përgjigjja jonë ndaj atyre historive. Grumbulli i endur i rrugëve të mbivendosura të artistes Valbona Zherka na ofroi një hartë orientimi të përbërë nga rrjedhat e lumenjve, rrugët e arratisjes, shtigjet e migrimit, parregullsitë pozitive, kthesat në formë U, mënyrat e papritura të nisjes dhe mbërritjes”, kanë thënë ato. Kanë treguar se edicioni i 3-të i “Autostrada Biennale” është ftesë për një rrugëtim të papërfunduar, brenda dhe jashtë Kosovës – për në Berlin, Stamboll, Varshavë dhe prapa. “Ose diku ndërmjet”, siç janë cituar kuratoret.

Në Prishtinë prej 1 korriku deri më 11 shtator do të ekspozohet vepra e Agnes Denes, Petrit Halilajt dhe Alvaro Urbanos. “Lule mos më harro” është titulli i ekspozitës së tij të re, që do ta sjellë në kryeqytet dyshen Halilaj-Urbanos.

E në Prizren prej 17 korrikut e deri më 11 shtator në forma të ndryshme do të shpalosen veprat e një grupi artistesh vendorë e ndërkombëtarë. Në Pejë rrugëtimi do të nisë prej 19 korrikut deri më 11 shtator.

“Autostrada Biennale” është krijuar nga dy artistë dhe një pedagog në vitin 2014. Si institucioni i vetëm i artit bashkëkohor në Prizren funksionon me dy shpejtësi, njëra është ekspozita fizike që ndodh çdo dy vjet në hapësirën publike dhe, e dyta, plani ynë afatgjatë për të krijuar qendrën edukative në ish-bazën ushtarake te KFOR-it në Prizren, ku procesi i përgatitjes së ekspozitës është i hapur për publikun, duke e bërë krijimin e veprave artistike një formë të të mësuarit dhe të menduarit kritik.