Ekranet e mëdha janë ndezur dhe “CineStar Megaplex Prishtina” është gati për një tjetër aventurë të përjetimit të botës së filmit. Rrjeti gjigant tashmë është shtrirë edhe në Kosovë, dhe prej së premtes janë hapur dyert e 15 sallave në “Prishtina Mall” me kapacitet prej rreth 2 mijë ulësesh në tërësi. Është vlerësuar si më e madhja kinema në Evropën Juglindore që e ngrit të shikuarit e filmit në një tjetër nivel
Është vlerësuar si kinemaja më e madhe në Evropën Juglindore dhe lokacionin e ka në Kosovë. “CineStar Megaplex Prishtina”, të premten ka hapur dyert dhe ka ndezur ekranet e mëdha për audiencën e filmdashësit. Të shumtë kanë qenë ata që kanë ardhur për të festuar këtë hapje të madhe dhe për ta filluar rrugëtimin e përjetimit ndryshe të filmave. Se kjo kinema e çon të shikuarit e filmit në një tjetër nivel, nuk ka qenë thjesht një konstatim e maksimë marketingu, por dëshmi.
“CineStar Megaplex Prishtina” në “Prishtina Mall” ka gjithsej 15 salla e rreth 2 mijë ulëse në tërësi. Lista e filmave që do të shfaqen është e gjatë. Surprizat e aktivitetet, po ashtu. Përvoja e kinemasë plotësohet më të gjitha detajet e tjera për të cilat ekipi i kinemasë ka punuar tash e një kohë. Është i dyti rrjet i kinemasë që vjen në kryeqytet, pas “Cineplexxit” të inauguruar në nëntorin e vitit 2016 dhe kinemasë “ABC” në qendër, e riaktivizuar pasluftës, tash më shumë si pionier i mbajtjes gjallë të kinemasë në vendin i cili dikur kishte një rrjet jo pak të shtrirë.
Ekranet 4DX, X, Dolby by Atmos, ekranet ekstreme dhe ato të kategorisë së artë vijnë për herë të parë në Kosovë nëpërmjet “CineStar”, rrjetit gjigant të kinemave themeluar në Gjermani më 1948. “ Blitz-CineStar” ka shtrirjen më të madhe edhe në Ballkanin Perëndimor. Vetëm në këto anë ka 28 qendra në katër shtete. Është zgjeruar në Kosovë pas Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës e Serbisë. Në këto anë, logon e saj e mbajnë 182 salla kinemaje me rreth 28 mijë ulëse gjithsej me 4.5 milionë bileta të shitursa në vit.

Drejtoresha e përgjithshme e rrjetit të kinemave “CineStar”, Jadranka Islamoviq, ka thënë se kinemaja në tërësi është një përvojë e veçantë e kulturë më vete, teksa ka treguar për punën që është bërë deri në hapjen e së premtes.
“I kemi ndërtuar 15 salla me ekrane të mëdha dhe jemi shumë krenarë me këtë projekt dhe kemi pasur shumë dëshirë t’u sjellim qytetarëve të Kosovës diçka të veçantë. Duhet të vini, ta shijoni dhe ju garantoj që do të ktheheni përsëri. Ky është efekti që kjo kinema e ka. Është një mundësi e mirë për kënaqësi, përvojë të paharrueshme dhe për të shijuar filma. Filmi është kulturë, kinemaja është kulturë, kam një ndjenjë sikur e kemi harruar këtë gjë”, ka thënë Islamoviq. Krejt kjo nuk ka të bëjë vetëm me filmin.
“Ka të bëjë me momente së bashku, shkëmbim historish të bukura. Mund të vish dhe të shohësh një film vetëm, por nuk do të ndihesh i vetmuar, sepse je në kinema”, ka thënë ajo.
Veçantitë nuk ndalen vetëm te teknologjitë më të fundit. Në kuadër të programit janë edhe premierat e filmave që pritet të organizohen në të njëjtën kohë me ato botërore. Islamoviq ka thënë se parakalimet mbi qilim të kuq do të jenë pjesë e pandashme e “CineStarit”.
“Kjo kinema ofron mundësi të shumta. Do të organizojmë premiera të filmave paralelisht me ato botërore. Do të organizojmë ngjarje për të festuar bukuritë e kinematografisë. Kemi diçka për secilin. Për fëmijë, për familje. E kemi po ashtu programin e anëtarësimit i cili është shumë i rëndësishëm, sepse i shpërblen anëtarët e familjes sonë të madhe. Ejani dhe shijojeni. Kjo është ftesa ime për të gjithë”, ka thënë ajo.
Shëtitjes nëpër sallat e kinemasë i ka paraprirë konferenca për media ku janë prezantuar vizioni e detajet specifike të kinemasë. Pos Jadranka Islamoviqit, në panel kanë qenë edhe përfaqësues të tjerë të kompanisë.
Maja Valak, anëtare e bordit menaxhues dhe CEO, menaxhere e marketingut ”Destination Cinema”, teksa ka shpalosur projektin ka thënë se para dy vjetësh kishin dizajnuar qartë vizionin se si do të dukej.
tash, kur e kemi përfunduar, duket edhe më mirë. Në këtë kinema shikuesit do të mund të përzgjedhin njërin prej 15 filmave në ditë dhe me këtë ne krenohemi”, ka thënë Valak, duke precizuar anët teknike që mundësojnë përvoja unike dhe vijnë për herë të parë në Kosovë.
Zvonimir Mihaleviq, drejtor i projeksioneve, ka folur për formatin premium, teksa ka paralajmëruar ardhjen e “4DX Screen” prej 15 qershorit.
“Kjo teknologji e çon të shikuarit e filmit në një tjetër nivel. Krejt këto efekte e bëjnë filmit të gjallë, shikuesin e bëjnë pjesë të tregimit filmik”, ka thënë ai.
Artan Shabani, menaxher i kinemasë, ka qenë krejt i shkurtër në prezantimin e tij. Ka pasur një thirrje të qartë: “Shijojeni rehatinë e komoditetin që ofron kinemaja jonë”, ka thënë ai.
Dita e hapjes nuk përfundoi me konferencën për media. Të pranishmit bënë një shëtitje nëpër 15 sallat e shfaqjes së filmave, secila me karakteristikat e veta, duke përfshirë numrin e ulëseve, sistemin e zërimit dhe të ekraneve e po ashtu edhe atmosfera ndryshe që krijohet brenda secilës. Për të arritur këtë rezultat, Islamoviq ka treguar se është dashur punë me shumë përkushtim e pasion. Dhe fakti se tash njëmend mund të quhet një kinema me pesë yje, e bën atë të lumtur dhe i jep shpresë që edhe filmdashësit të ndihen njësoj.
“Kur e ke një ekip të mirë dhe kur ke një udhëheqës të mirë, edhe projekte të tilla sikurse ‘CineStar’ kthehen në pasion sikurse na ka ndodhur edhe neve për aq sa kemi punuar këtu. Mendoj se kjo është e rëndësishme. Ne kemi dashuri për kinemanë, punën tonë dhe filmat sigurisht. Njëmend jemi kinema me pesë yje. Klientët tanë duhet të vijnë dhe të shijojnë diçka përtej pritshmërive. Të shohin dallimin dhe ta ndiejnë atë po ashtu. Kemi marrë edhe çmime në Barcelonë për punën tonë dhe jemi shumë krenarë. Secili projekt është i rëndësishëm, por ky është më i rëndësishmi”, ka thënë Islamoviq.
Fundjavat familjare, mëngjeset për fëmijë, kinemaja private, kinemaja për zonja dhe ajo për fansa të flaktë, janë programe të cilat do të zhvillohen varësisht nga kategoria. E vetëm një ditë pas hapjes zyrtare, “CineStar” ka dhuratë për klientët. Zbritje 50 për qind gjatë tërë fundjavës.
“Këto zbritje janë një mundësi që secili të bëhet pjesë e rrugëtimit tonë. Këtë fundjavë gjithashtu do të kemi muzikë, filma të animuar dhe filma për shijen e çdonjërit”, ka thënë ajo.
“Transformers”, “Barbie”, “Flash”, Teengae Mutant Ninja Turtles”, “Blue Beetle”, “The Black Demon” janë vetën disa prej filmave që këtë muaj janë në repertorin e “CineStar Megaplex Prishtina”.
{gallery}