Kulturë

Christophe Meyer me “NøMad” i këndon jetës e dashurisë edhe në Kosovë

Njashtu sikurse titulli i albumit, edhe Christophe Meyer është një lloj nomadi me muzikën e tij. Ka ardhur në Kosovë, në Pejë, e me publikun ka ndarë rrëfimin e tij nëpërmjet këngës. Aty është jeta e tij, e mbi të gjitha, dashuria. Është hera e parë që unë luaj në Kosovë dhe ishte si një ëndërr. Kjo për dy arsye. E para: njerëzit…”, ka thënë Meyer, koncerti i të cilit është organizuar në kuadër të edicionit të 23-të të “Javës së Frankofonisë në Kosovë”

Artisti Christophe Meyer nga Zvicra ka qenë ai që ka argëtuar publikun në natën e katërt të Javës së Frankofonisë. Nën shoqërinë e bateristit Paul Maillard, ka interpretuar disa nga këngët e rock-albumit të tij më të ri, “NøMad”. Për ta promovuar këtë album, në janar të këtij viti Mayer kishte nisur një turne i cili është planifikuar të zgjaste pesë muaj. Ideja e artistit ishte që albumin me këngë frënge ta promovonte nëpër vende ku nuk flitej gjuha frënge dhe Kosova qe njëri prej tyre.

Dashuria, jeta, rinia, tinitusi apo sëmundja e veshit, janë temat që albumi “NøMad”i shtjellon. Që të gjitha këngët pa përjashtim janë në gjuhën frënge. Megjithatë Meyer ka vendosur që klipet e tyre t’i realizojë nëpër vende ku nuk flitet kjo gjuhë. Edhe turneun e ka fokusuar në këto vende dhe “NøMad” e solli në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. “Utopia”, “Je mentir toujours : je m’en tire toujours”, “Bleu”, “Sentimentet étranges”, “Avec un k” kanë qenë disa prej këngëve në repertor. Meqenëse pjesa më e madhe e publikut nuk e kuptonte frëngjishten, komunikimi u bë nëpërmjet anglishtes. Këtë e kishte menduar qysh para se të niste turneu nëpër vendet ballkanike. Në ekranin përballë publikut qëndronte një ‘QR code’ që çonte në ueb-faqen e artistit. Në ballinë janë gjashtë vjegëza në gjuhë të ndryshme ballkanike përfshirë edhe shqipen. Aty Meyer ka vendosur përkthimin e këngëve në secilën gjuhë.

Ndonëse salla e kinemasë “Jusuf Gërvalla” ishte pothuajse e zbrazët, mënyra e komunikimit të artistit me publikun bëri që ata pak sa ishin ta shijonin koncertin. Përpara secilës këngë solisti ka rrëfyer për temën. Ka treguar se, meqenëse ka tridhjetë vjet në skenë, kishte ca vite që vuante nga një sëmundje, e njohur me emrin tinitus, e cila i sillte zhurma në vesh. Kënga kishte disa pjesë kur tingujt krijoheshin përmes një “la la la-je” në të cilën e shoqëroi edhe publiku. Edhe pse shumica e këngëve nisnin me nota të larta, Mayer ka një zë të butë të cilin në të shumtën e herëve e shoqëron një melodi melankolike. Qëndron i ulur në mes të skenës krejt minimaliste me një qilim shtruar. Në të djathtë të tij e ka shoqëruar bateristi Paul Maillard.

Meyer ka ofruar edhe momente komike. Kur nisi interpretimin e këngës, përkthimi i së cilës ishte “I lodhur”, Meyer u ndal në mes të këngës e tha: “Jam lodhur” dhe lëshoi trupin përpara. U deshën disa sekonda që në publik të dëgjohej tingulli i kitarës me të cilën ai përcolli të gjitha këngët.

Ardhja në Kosovë i kishte lënë përshtypje tejet të mirë. Kjo për shkak të pritjes që i kishin bërë njerëzit qysh në momentin kur kishte mbërritur në kufi.

“Është hera e parë që unë luaj në Kosovë dhe ishte si një ëndërr. Kjo për dy arsye. E para: njerëzit. Ishte mënyrë se si njerëzit na pritën në kufi kur erdhëm në Kosovë: ‘Hej, ju jeni muzikanti zviceran! Mirë se erdhe në Kosovë! Posa hyra në Kosova thash: vov, bukur! Pastaj ishte publiku këtu dhe vendi. Kjo akustikë e kësaj kinemaje për mua ishte perfekte. Kështu që ishe shumë lehtë të performoje këtu”, është shprehur Mayer me plot emocion.

Meyer ka ardhur në Kosovë si rezultat i bashkëpunimit midis Ambasadës së Francës dhe asaj të Zvicrës në Kosovë.

Në koncert ka qenë e pranishme edhe zëvendësambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Pauline Menthonnex- Gacaferri.

“Në Zvicër më shumë se 20 për qind e popullatës flet frëngjisht dhe për ne është një kënaqësi që sivjet, sikurse edhe vitet e tjera, kemi mundësi ta promovojmë edhe gjuhën, edhe kulturën zvicerane dhe Christoph Meyer është një muzikant shumë i njohur nga Zvicra. Me ardhë jo vetëm në Kosovë por edhe në Pejë, me bë një koncert për një publik që është shumë entuziast ishte një kënaqësi dhe mundësi shumë e veçantë”, ka thënë Menthonnex- Gacaferri.

Ftesa për të performuar në Kosovë e kishte gëzuar pa fund edhe vetë artistin i cili në ditën në vazhdim pritet të performojë edhe nëpër disa qytete të Shqipërisë, përfshirë Beratin dhe Tiranën.

“Unë flas frëngjisht dhe më pëlqen të luaj në vende ku nuk flitet kjo gjuhë. Kam muzikën time dhe shpresoj që njerëzit e pëlqejnë atë. Kur Ambasada zvicerane dhe përfaqësuesit e kinemasë thanë se unë do të performoj në Kosovë isha shumë i lumtur, si një fëmijë që merr një dhuratë krishtlindjeje. Tashmë kam 30 vjet që luaj muzikë dhe gjithmonë është njëjtë: kur marr një ftesë për koncert jam i lumtur”, është shprehur ai.

Mayer ka folur edhe për titullin dhe tematikën e albumit të tij “NøMad”, sepse turneu i tij u ngjan nomadëve, njerëzve pa shtëpi që bredhin sa në njërin vend sa në tjetrin. Për krijimin e tij ai kishte bashkëpunuar edhe me Clive Deamer, bateristin e rock-grupit të njohur “Radiohead” dhe “Portishead”.

“E incizova këtë album të quajtur ‘NøMad’ nëpër Evropë gjatë periudhës me COVID dhe si vazhdimësi e kësaj unë desha të mbaja koncert si një nomad, duke luajtur gjithandej nëpër vende të vogla, me pak njerëz, në vende siç është kjo kinema. Albumi flet pak për dashurinë, ne gjithmonë duhet të flasim për dashurinë në këngë, rreth jetës, udhëtimeve, shumë udhëtime. Unë pata nderin ta incizoja këtë album së bashku me bateristin e ‘Radiohead’ dhe ai më dha shumë informacione për zërin, por tekstet flasin pak për jetën time dhe jetën në përgjithësi”, ka bërë të ditur Mayer.

Në vitet ’90, Christophe Mayer kishte themeluar “Føu” me të cilin kishte performuar në Zvicër dhe disa nga vendet e Amerikës Jugore si: Venezuela, Kolumbia e të tjera dhe ishte edhe grupi i parë i huaj që kishte performuar në ish-Jugosllavi gjatë periudhës së luftës. Në vitet 2000, Mayer kishte lansuar albumin “Jura Zik”, dhe në vitin 2022 u rikthye me albumin “NøMad”.

Vullnet Sanaja, themeluesi dhe drejtor i “Anibarit” që menaxhon edhe kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, është shprehur i lumtur për bashkëpunimin me Ambasadën e Zvicrës dhe artistin Meyer.

“Koncerti që kemi pasur sonte me Christophe dhe projektin e tij ‘NøMad’ ka ardhur me përkrahjen e Ambasadës zvicerane. Ne kemi qenë shumë të lumtur t’i mirëpresim në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’. Domethënë edhe pse në gjuhën frënge publiku pati mundësi t’i përcillte këngët, sepse ishin të përcjella vazhdimisht me material vizual që e lehtësonte kuptueshmërinë. Por edhe një detaj shumë interesant, sepse shumica e këngëve veçse kishin qenë përkthyer nga Christophe dhe edhe kjo e lehtësonte këtë”, ka thënë Sanaja duke veçuar gjuhën e universale të muzikës.

“Në përgjithësi kur jemi te muzika, ajo dëgjohet kështu që gjuha nuk ka shumë rëndësi”, ka thënë ai.

Java e Frankofonisë në Kosovë do të vazhdojë aktivitetin e saj deri të hënën më 27 mars.