Kulturë

“Chopin Piano Festi” mbyll edhe një kapitull me besnikërinë e publikut

Koncerti i fundit i edicionit të 12-të i “Chopin Piano Festit” ka qenë vetëm konfirmim i krejt misionit që ka: t’i sjellë publikut interpretime emrash eminentë e vlera. Skena i takoi pianistit çek Martin Kasik bashkë me kuartetin e harqeve. Me 15 koncerte i është dëshmuar besnikëria e publikut, e në mbrëmjen e fundit edhe këtij festivali i është premtuar se së shpejti do të ketë skenë të re

Një kapitull unik të muzikës klasike ia ka sjellë Prishtinës “Chopin Piano Festi” me 15 koncerte, takime midis artistëve a punëtori. Kryeqytetin e ka shndërruar në stacion artistësh eminentë, por krejt bashkë qëllimin e kanë që publikut t’i sjellin vlera. Dhe ia ka dalë në këtë aspekt.

Koncerti i fundit i edicionit të 12-të, të mërkurën mbrëma, ka qenë vetëm konfirmim i krejt këtij misioni. Skena i takoi pianistit çek, Martin Kasik, bashkë me kuartetin e harqeve. Publiku mbushi edhe të vetmen ulëse të lirë në amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare, ndërsa ka pasur edhe nga ata që ndoqën koncertin edhe më këmbë. Tinguj violine janë dëgjuar nga prapaskena, përzier edhe me bisedat e publikut pak para se muzikantët të shfaqeshin në skenë. Krejt pamje tjetër ka salla kur ka nisur loja e pianistit Kasik bashkë me violinistët Leos Cepisky e Jan Schulmeister, çelistin Adam Klansky dhe Karel Untermüllerin në violë.

Performanca e tyre delikate ia ka dhënë publikut kënaqësinë e fundit të festivalit për këtë vit deri në edicionin tjetër.

Një violonçel, dy violina dhe një violë hapën interpretimin e veprës së parë, “Koncert për piano No.2 në F -minor, Op. 21” të Frédéric Chopinit. Lehtas rrëshqasin tingujt e pianos në harmoni me violonçel, për t’i krijuar rrugë më pas dominimit çdoherë më shumë tingujve pianistikë. Skena dukej e vogël për peshën e veprave që sollën pesë interpretuesit çekë. Sikurse në hapje, festivali edhe u përmbyll me veprat e kompozitorit polak, emrin e të cilit e mban festivali. Sollën edhe “Koncert për piano No.1 në E-minor, Op.11”.

Pianisti çek Martin Kasik është shprehur entuziast dhe i habitur me publikun, pjesa më e madhe e të cilit i përket moshës së re.

“Të performosh para publikut kosovar ishte fantastike, e ndjeva atmosferën dhe pashë shumë të rinj, që është gjë shumë e rrallë për llojin e muzikës që ne performojmë. Ishte diçka entuziaste se ndjeva që po dhuroj dhe pranoj diçka në të njëjtën kohë”, ka thënë Kasik, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare e që ka koncertuar me Filharmoninë e Berlinit, Zürichut, Kölnit, në Operën e Frankfurtit, në Barcelonë, Singapor, Tokio, Washington e në metropole të tjera. Pianisti 46-vjeçar renditet ndër pianistët më të shquar çekë të kohës së sotme, i cili notat e para në piano ka filluar t’i luajë që në moshën katërvjeçare. Kjo nuk është hera e parë që ai performon në Kosovë, pasi për publikun kosovar ka performuar dhjetë vjet më parë, po ashtu në “Piano Copin Fest”, në edicionin e dytë të tij. “Kur kam qenë në Kosovë kam parë se për këto vite ka ndryshuar tërësisht atmosfera në qytet, sot ka më shumë ndërtime dhe atmosfera është shumë më e gjallë. Për mua është ndryshim shumë i madh të jem këtu pas dhjetë vjetësh, pasi mund të mbaj mend eksperiencën atëherë dhe tash”, ka thënë ai.

Ambasadori i Republikës Çeke në Kosovë, Pavel Bilek, ka përgëzuar për organizimin e festivalit, ndërsa ka çmuar pianistin Kasik. “Së pari më lejoni të përgëzoj organizatorët e këtyre mbrëmjeve kaq të bukura. Jemi të nderuar që zotëri Martin Kasik përfaqëson Republikën Çeke me talentin e tij prej artisti”, ka thënë ambasadori çek, derisa ka prezantuar biografinë e pianistit para të pranishmëve.

Image
Në natën e fundit të festivalit drejtoresha artistike Lejla Pula dhe ajo organizative, Besa Luzha, janë shprehur të lumtura me mbarëvajtjen e festivalit dhe numrin e madh në publik, por edhe të emocionuara për fundin e edicionit

Meritat për gjithë suksesin e edicionit të 12-të të “Chopin Fest” iu adresuan drejtoreshës artistike, Lejla Pula dhe asaj organizative, Besa Luzha. Derisa ka ftuar publikun për t’i falënderuar ato nëpërmjet duartrokitjeve, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është zotuar se në një të ardhme jo të largët koncertet e “Chopin Piano Fest” do të mbahen në skenë më dinjitoze. “’Chopin’ është gur i çmuar që shkëlqen ndër festivale të tjera në Kosovë, detyra jonë është të ndihmojmë jo vetëm financiarisht, por edhe të krijojmë hapësira për to, mirëpo organizimin fenomenal po e marr si shtysë që vitet në radhë të mos na presin duke u munduar të krijojnë hapësira, por të kemi një të tillë”, ka thënë Rama

Në natën e fundit të festivalit drejtoresha artistike Lejla Pula dhe ajo organizative, Besa Luzha, janë shprehur të lumtura me mbarëvajtjen e festivalit dhe numrin e madh në publik, por edhe të emocionuara për fundin e edicionit. “Sivjet publiku vërtet e ka dëshmuar veten se vjen të shijojë muzikën, performancën e mrekullueshme të artistëve që kanë ardhur. Jemi shumë të mrekulluar dhe duam që kjo të vazhdojë. Ishte një edicion jashtëzakonisht i suksesshëm dhe zemra mal më bëhet kur publiku e shijon me të vërtetë”, ka thënë Pula, teksa ka përmendur anën e mundimshme, por që e gjitha mbulohet kur në publik ka numër të madh muzikëdashës.

Rreth katër mijë veta llogaritet të kenë ndjekur koncertit e “Chopin…” dhe publiku ka lënë në hije edhe telashet teknike si në ndriçim e në mosfunksionim të kondicionerëve.

Drejtoresha organizative, Besa Luzha, ka thënë se me gjithë kushtet e papërshtatshme, festivali po e kthen kryeqytetin në qendër kulturore të muzikës klasike. Është shprehur e emocionuar për përfundimin e festivalit, që gjatë një muaj solli 15 koncerte, ku pjesa dërrmuese e performuesve ishin emra të njohur ndërkombëtarisht. “Sonte ishte një natë shumë e bukur me muzikantë si Martin Kasik dhe kuarteti, ishte emocionuese në mbyllje të festivalit. Gjithçka ka shkuar mirë dhe publiku ka qenë i kënaqur. Tash na merr malli derisa të vijë edicioni tjetër, por ka qenë punë e madhe dhe kur përfundon ndihesh edhe e çliruar, por edhe e mërzitur që më nuk do të jemi në këto ngjarje”, ka thënë Luzha. Derisa ka folur për muzikantët, ka thënë se nga biseda që ka pasur me ta kanë kërkuar të vijnë prapë në edicionet e tjera në “Chopin” dhe se ata mahniten me audiencën e re të festivalit dhe interesimin e tyre për këtë lloj muzike. “Mahniten me audiencën e re dhe shumë mirënjohëse që dinë të shpërblejnë performancat me duartrokitje. Ata thonë se në Kosovë mungesa e kushteve dhe koncerteve të rregullta i bëjnë njerëzit më të etur dhe entuziastë për koncerte”, ka thënë Luzha.

Se festivali po rritet çdo ditë e më shumë dhe se po krijon publikun e tij fanatik e ka konfirmuar edhe Alberta Troni, profesoreshë e pianos në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.

“Festivali i sivjetshëm ka pasur një rrugëtim shumë të bukur, është kënaqësi pasi gjatë 15 koncerteve publiku ka qenë entuziast. Ka pasur koncerte të nivelit botëror dhe nuk kanë munguar as koncertet e studentëve tanë. ‘Chopin’ u jep hapësirë edhe talenteve të reja që ata të dinë ndjenjën e një festivali të madh”, ka thënë Troni, njëherësh pjesë e bordit të festivalit.

Në natën e fundit të festivalit janë ndarë çmimet e konkursit kompozicional për vepra të reja pianistike, që ndahen si mbështetje për vepra të reja pianistike tash e 10 vjet. Juria e përbërë nga kompozitorët: Vasil Sofokli Tole, Kreshnik Aliçkaj, Fatos Lumani dhe Drinor Zymberi, vlerësuan me çmimin e parë Ylli Daklanin dhe Fjolla Gashin, me çmimin e dytë Ersan Januzin, ndërsa i treti u nda ndërmjet Arbër Salihut dhe Arta Abazit.