Kulturë

“Chopin Piano Fest” gati për rimim me muzikë nga baroku te jazzi

Chopin Piano Fest

Koncerti i vitit të kaluar si bashkëpunim midis “Chopin Piano Fest” dhe Filharmonisë së Kosovës

Festivali do ta mbërthejë kryeqytetin me frymën e veprave botërore që sillen nëpërmjet lojës së figurave të shquara në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Hapësira që për disa edicione të Festivalit ishte kthyer në sallë koncertale, është dëshmuar kaherë si ambient me kushte jo të duhura në këtë drejtim

Misioni i “Chopin Piano Fest” dihet që kur nisi në edicionin e parë. Me 16 performanca sivjet, prej 9 majit deri më 9 qershor hap një faqe të re sa i përket historikut të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës që ka në qendër pianon. Muzikantë të shquar nga Evropa dhe jo vetëm, do të komunikojnë me publikun në kryeqytet.  Tingujt e pianos janë gjuha e përbashkët. Kur kanë mbetur pak ditë para nisjes, organizatoret e “Chopin...” kanë shpalosur program shumëngjyrësh e virtuoz: nga baroku deri në jazz.

Pa progres në infrastrukturë e ende pa mjete të ndara nga Ministria e Kulturës, “Chopin Piano Fest” i ka rezervuar datat për koncertet me të cilat zbërthehen ritmet e tingujve pianistikë.

Festivali do ta mbërthejë kryeqytetin me frymën e veprave botërore që sillen nëpërmjet lojës së figurave të shquara në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare në kryeqytet. Hapësira që për disa edicione të Festivalit ishte kthyer në sallë koncertale, është dëshmuar kaherë si ambient me kushte jo të duhura në këtë drejtim. Të mjaftueshme nuk janë 300 ulëse për audiencën e “Chopin...”.

Organizatorja e festivalit, pianistja e profesoresha, Besa Luzha, ka thënë se aplikimi të cilin e kanë bërë për mbështetje nuk ka nisur ende të shqyrtohet.

“Kemi aplikuar për mbështetje trevjeçare. Sivjet po fillojmë festivalin pa ditur se a do të përkrahemi. Kemi nisur me përkrahje të sponsorëve. Nëse kalojmë me këtë mbështetjen trevjeçare atëherë do ta kemi shumë më lehtë ta planifikojmë edhe edicionin e 15-të”, ka thënë Luzha në një bisedë për KOHËN.

Nuk është arritur të bëhet progres as sado pak sa ishte synuar. Të paktën as në sjelljen e një instrumenti të ri më të denjë në të cilin luajnë figura të shquara e virtuoze të skenave madhështore në botë. Në mbyllje të edicionit të kaluar, organizatorja Luzha si dhe drejtoresha artistike e Festivalit, profesoresha e pianos Lejla Pula, kishin bërë thirrje se secilit donator për pianon, do t’i gravohej emri në njërin nga tastet e instrumentit.

Megjithatë, nuk ndalet jehona e rrugëtimi i “Chopin Piano Fest”. Edhe në edicionin e 14-të, programi vjen me shumë ngjyra.

“Programi është i bukur, ka vepra shumë të bukura të kompozitorëve nga vende të ndryshme. Nuk dominon Chopini, ani pse është në repertor. Ka nga baroku e deri tek jazzi”, ka bërë të ditur profesoresha Luzha, derisa ngjarjen e ka konsideruar kontribuuese në njohjen e vendit në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike nëpërmjet muzikantëve që fton festivali.

“Prishtina për fat të mirë ka shumë turistë dhe festivali po bëhet një lloj ambasadori i vendit sepse secili që po vjen ka përshtypje të mira për ngjarjet kulturore”, është shprehur organizatorja e “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha.

Rrugëtimin sivjet festivali e nis me pianistin virtuoz ukrainas Artem Yasynskyy me koncertin recital më 9 maj. Baritoni Saran Suebsantiwongse vjen nga Tajlanda e largët për të gjetur gjuhën e përbashkët, atë që zbërthehet nëpërmjet muzikës klasike. Takimi me audiencën në Prishtinë do të jetë më 15 maj. Me tinguj pianoje do ta shoqërojë interpretimin e tij profesoresha e muzikës Alberta Troni që është edhe pjesë e bordit të festivalit “Chopin Piano Fest”.

Dy ditë më pas, pianisti shqiptar i skenave ndërkombëtare të muzikës klasike, Kosti Deti do të akordojë tingujt e pianos, sikurse edhe pianistja serbe, Marija Denisenko. Festivali ndonëse ka në qendër instrumentin e pianos dhe veprave dedikuar saj, sjell përherë risi e befasi për publikun.

Veç një ditë më pas në kryeqytet vjen kuarteti i trumbetave “Fabrizio Bosso Quartet – We Wonder” nga Italia të cilët sjellin ritmet e muzikës jazz.

“Koncerti i italianëve është një lloj homazhi për Stevie Wonder, prandaj edhe koncerti e ka emrin ‘We Wonder’. Ata do t’i sjellin disa përpunime të Wonder-it”, ka thënë Luzha duke shpjeguar programin që kuarteti italian do ta sjell në Prishtinë.

Ndërsa më 20 maj pianoja në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare do të jetë në shërbim të austro-rumunes Catalina Butcaru ndërsa lojës së saj i bashkohet edhe austro-kanadezja Lucy Hall.

Larmia e programit është e dukshme edhe sivjet. Pianoja, pos solo, vjen në kombinime të ndryshme me instrumente të tjera. Edhe me violonçel. Pianisti austriak, Philipp Scheucher, dhe violonçelisti gjerman, Konstantin Manaev do të sjellin repertorin e tyre më 22 maj. Manaev ka pasur paraqitjen e parë para publikut në kryeqytet në tetor të vitit të kaluar, ku kishte interpretuar si solist bashkë me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

“Esenca është që pianoja si instrument është natyrisht së pari instrumenti i vetëm solistik që kur luan është sikur të jetë orkestër më vete. Janë bërë shumë kombinime pasi pianoja gjendet pothuajse gjithkund: me violinë, me çello, këndim. Janë më të pasura me të”, ka thënë Luzha.

Po me këtë institucion tradicional është bashkëpunimi i “Chopin Piano Fest”. Pianoja me këtë rast vjen në qendër, e shoqëruar nga një orkestër simfonike. Pianisti François Dumont do të jetë solist në koncertin e 25 majit që është paralajmëruar se do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Francezi kthehet për të shpalosur tregime nëpërmjet instrumentit që zotëron në festivalin ku kishte koncertuar edhe dy edicione më parë. Në debutimin e tij para publikut në Kosovë kishte sjellë program vetëm me vepra të Chopinit.

Dy ditë më pas, Festivali përqendron programin te muzikantët e rajonit. Pianistja shqiptare, Iliriana Gjoni nga Mali i Zi, Iliriana Gjoni bashkë me sopranon Milica Laloseviq, do të ilustrojnë një tjetër mbrëmje të magjishme të festivalit të vetëm në vend që i kushtohet krejtësisht instrumentit të pianos. Por që zgjerohet më tej. Sikur më 29 maj kur kuarteti i kitarës “Petrit Çeku Quartet” sjell programin muzikor në kuadër të kësaj ngjarjeje. Korrespondon me javën e gjuhës dhe kulturës kroate, sikurse edhe koncerti i muzikantëve nga Mali i Zi, që është organizuar në kuadër të javës së kulturës së vendit fqinj.

Në ditën e fundit të këtij muaji podiumi është krejt për pianisten britaniko-lituane Sofya Gulyak, para se nisin programet tradicionale që hyjnë në kuadër të asaj që njihet si java edukative. Maratona e talentëve, “Piano Podium” dhe “Skena Juvenis” do të zhvillohen për tri ditë radhazi më 2, 3 e 4 qershor. Më 6 qershor mbrëmja u kushtohet solistëve vendorë, ndërsa në mbrëmjen që është titulluar “Opera Night” do të interpretojë sopranoja shqiptare Ulpiana Aliaj në përcjellje me piano nga sllovaku, Peter Valentovic.

Megjithatë, koncerti me të cilin hapet festivali dhe ai i ceremonisë përmbyllëse të edicionit janë ato që e definojnë formatin e “Chopin Piano Fest” dhe e bëjnë të qartë misionin e tij. Sikurse u hap, edhe në mbyllje vjen një tjetër pianist virtuoz, italiani Giovanni Bellucci, më 9 qershor, për të lënë shijen e tingujve magjepsës deri në takimin e radhës me audiencën. Kjo është hera e dytë që Bellucci vjen të interpretojë në kuadër të “Chopin...”.

Me edicionin e 14-të të Festivalit, programi i kuruar mëton të sjellë më të mirën prej mozaikut të muzikës klasike. Në 16 koncerte publiku është pajisur me adresën ku do të mblidhet për të dëgjuar repertorin pianistik, kamertal e orkestral.