Kulturë

“Chopin Piano Fest” akordohet për edicionin e 15-të me rrugëtim unik muzikor

Chopin Piano Fest

Festivali hapet më 8 maj në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me koncert recital nga pianistja polake, Maria Gabrys – Heyke

“Chopin Piano Fest” është dëshmuar me figurat e skenës botërore që vijnë për të eksploruar rrëfime muzikore. Është imazhi i njëjtë edhe sivjet. Kapitullin e 15-të të rrëfimit, Festivali ndërkombëtar i pianos e shtrin në 15 koncerte si numër simbolik edhe për edicionin jubilar. Kushtet janë tjetër kapitull, megjithatë, maratona muzikore do të ketë program unik

Mund të ketë edhe një orkestër të tërë në program, lloj-lloj formacioni, por pianoja përherë mbetet në qendër. Vetë ngjarja është dëshmuar me figurat e skenës botërore që vijnë për të eksploruar rrëfime muzikore, por kushtet janë tjetër kapitull. Është imazhi i njëjtë edhe sivjet. Kapitullin e 15-të të rrëfimit, Festivali ndërkombëtar i pianos “Piano Chopin Fest” e shtrin në 15 koncerte si numër simbolik edhe për edicionin jubilar.

Një ngjarje e përmasave të tilla me program të ngjeshur dhe me personalitete të njohura në botën e muzikës klasike kërkon angazhim që nga dita e parë pas përfundimit të edicionit paraprak. Drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, si dhe ajo e përgjithshme, Besa Luzha, të dyja pianiste, sivjet kanë vendosur në program 15 koncerte me të cilat festohet muzika klasike dhe u bëhen homazhe veprave të gjenive botërorë. Nis nga dedikimi i festivalit, ku programet e tij shënjohen me emrin e polakut Chopin, e sivjet “Chopin Pino Fest” i bashkohet botës muzikore në shënimin e 150-vjetorit të lindjes së kompozitorit francez, Maurice Ravel. 

Festivali hapet më 8 maj në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me koncert recital nga polakja Maria Gabrys - Heyke. Drejtoresha e përgjithshme e “Chopin Piano Fest”, Besa Luzha, e ka vlerësuar  këtë koncert të jashtëzakonshëm dhe se, sipas saj, me të forcohen marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Polonisë. 

“Hapjen e kemi të jashtëzakonshme, me pianisten polake me një koncert recital të Chopinit. Ajo koincidon në Ditën e Evropës dhe në një mënyrë shënohet në këtë formë. Aktualisht presidencën e Bashkimit Evropian e ka Polonia, kështu që me këtë koncert forcohen edhe më shumë marrëdhëniet politike midis Kosovës dhe Polonisë. I pranishëm do të jetë edhe ambasadori polak dhe një përfaqësues nga Ministria e Jashtme e Polonisë", ka thënë ajo. 

Më 12 maj, nën titullin “Schubert Trio” interpretojnë violinistja Sihana Badivuku, violonçelistja kroate Jelena Oçiç dhe Lejla Pula në piano. Dy ditë më pas, dyshja nga Austria, Benjamin Schmid në violinë dhe Markus Schirmer në piano e luajnë koncertin e tretë të festivalit. 

Një tjetër koncert recital në këtë edicion është ai nga pianisti hungarez Istvan Lajko më 16 maj e një ditë më pas mbrëmje duo në këndim e kitarë nga kroatet Dina Bushiq dhe Melita Ivkoviq. 

Luzha ka thënë se programi zgjerohet edhe përtej vëmendjes për veprat e Chopin në këtë edicion. 

“Ka recitale që janë komplet Chopin, por që janë të rralla, karakterizohet ai i hapjes që është komplet recital Chopin, por ka edhe mbrëmje të tjera me repertor të ndryshëm. Secili prej artistëve sjell kryevepra të ndryshme të zhanrit që përfaqësojnë”, është shprehur ajo. 

Më 19 maj koncert recital nga francezi Nathanael Gouin, ndërsa vjen si duet i veçantë koncerti i 22 majit nga dyshja Vovka Ashkenazy dhe Luca Rasca nga Italia në interpretimin e veprave për piano me katër duar. 

Luzha ka thënë se Gouin e sjell frymën impresioniste të kompozitorëve francezë. Ka bërë të ditur se ai do të interpretojë një prej kryeveprave të Ravel në shënim të 150-vjetorit të kompozitorit të shquar. 

“Pianisti francez sjell një frymë impresioniste përmes Debussy dhe Ravel, dy italianët kanë vepra shumë karakteristike nga kompozitorë të ndryshëm, kemi Bach, arie operistike si dhe një nga koncertet më të bukura dhe më të njohura për piano dhe orkestër siç është Koncerti i Tchaikovskyt, për të ardhur te programi i Marcel Mora që sjell frymë krejt tjetër, ndoshta vepra të padëgjuara më parë në Kosovë dhe te programi tejet serioz, tejet i vështirë të cilin vetëm një artist i përmasave të Peter Donohoe e realizon në mënyrë brilante”, ka bërë të ditur profesoresha Luzha, derisa e ka përmbledhur shpjegimin e saj për krejt programin e edicionit. 

Më 26 maj pianisti ukrainas Vadym Kholodenko interpreton para publikut në Prishtinë, e dy ditë më pas sillet këndim e lojë pianistike nga sopranoja Ana Naqe dhe pianisti Zamir Kabo. 

Si zakonisht, mbahet edhe koncerti tradicional që shënon bashkëpunimin e “ChopinFest” me Filharmoninë e Kosovës që do të dirigjohet nga dirigjenti sllovak, Peter Valentovich, ndërsa soliste në piano do të jetë Sofya Gulyak. Pianistja pati interpretuar edhe në edicionin e kaluar të Festivalit ku pati dëshmuar shkathtësitë e mahnitshme në piano. 

Luzha ka thënë se në shënim të edicionit jubilar janë zgjedhur miq të festivalit në shenjë falënderimi. 

“Kemi përzgjedhur edhe dy-tre miq të Festivalit që kanë qenë në edicionet e kaluara në shenjë nderimi dhe falënderimi për përkrahjen për këto 15 vjet. Repertori është shumë interesant, secili prej tyre sjell një program të larmishëm. Kemi mbrëmje me program komplet Schubert duo për piano dhe violinë, një mbrëmje me këngë arbëreshe", është shprehur ajo në një bisedë për KOHË-n. 

Më 30 maj, Gulyak do të interpretojë në Prishtinë "Koncertin nr.1" të Tchaikovskyt. 

Datat 2 e 3 qershor u kushtohen muzikantëve të rinj, ndërsa më datë 5 është mbrëmja e solistëve nga Kosova. 

Një ditë më pas interpreton Marcel Mora me prejardhje kubane e Festivali mbyllet me pianistin e shquar Peter Donohoe nga Britania e Madhe. 

Marcel Mora do të sjellë një repertor shumë të bukur me pjesë nga kompozitorët e këtij vendi të largët, për ta mbyllur gjithë këtë me pianistin legjendar Peter Donohoe, tashmë mik i shquar i festivalit që në një mënyrë kërkon vetë dhe insiston të rikthehet në festival. Ai në blogun e tij ka deklaruar se askund si në Prishtinë dhe në Jerusalem nuk ka ndier që njerëzit vijnë me të vërtetë vetëm për ta dëgjuar muzikën e bukur dhe për ta shijuar atë. 

“Ka qenë një kompliment shumë i mirë për audiencën tonë", ka thënë Luzha derisa ka shpjeguar më tej programin e sivjetmë të “Chopin Fest”. 

Si vitet e kaluara do të ketë edhe masterklasë në bashkëpunim me Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës ndërsa veçanti është organizimi i një konference. 

“Gjatë javës do të kemi masterklasë të ndryshme me artistët të cilat organizohen në bashkëpunim me Fakultetin dhe jemi në përgatitje të një konference apo tryeze të rrumbullakët në bashkëpunim me organizatën ‘X’ ku do të diskutohen të drejtat e artistëve në aspektin e tyre si të vetëpunësuar, sepse marrëdhëniet e punës ata i krijojnë vetë shpesh dhe posaçërisht në frymën e ligjit të ri të kulturës, i cili forcon skenën e pavarur dhe artistin si një lloj funksioni të posaçëm në raportin e marrëdhënieve të punës”, ka thënë profesoresha Besa Luzha. 

Sfiduese mbeten kushtet. Të gjitha koncertet do të mbahen në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, përveç atij që organizohet në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës, ku soliste do të jetë pianistja Gulyak. Sipas Luzhës, sfiduese është edhe pianoja në të cilën interpretojnë emra të shquar të botës muzikore në kuadër të Festivalit. 

"Deri në një masë i plotëson kushtet. është sallë e madhe, e hapur, kushtet akustike janë të mira. Pianoja është ajo që është. Ne gjithmonë kujdesemi ta mirëmbajmë. Fatkeqësisht shumë të tjerë që e përdorin pianon në atë sallë nuk e bëjnë të njëjtën gjë pas përfundimit të programeve të tyre dhe kjo ka rezultuar paksa në dëmtimin e instrumentit", është shprehur ajo. 

Më gjithë sfidat, “Chopin Piano Fest” si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës klasike në vend nuk e ndal rrugëtimin. Premton rrugëtim unik muzikor me programin me 15 koncerte të shtrira në një muaj.