Kulturë

“Charles III” i përball shqiptarët me mitet e tyre

“Charles III” i takon heronjtë mitikë me botën që i takon një të kaluare të largët dhe efekti që jep kur ballafaqohet me atë moderne

Hulumtimi rreth legjendave, miteve e heronjve shqiptarë ka rezultuar në komedinë “Charles III” me tekst të Jeton Nezirajt dhe nën regji të Agon Myftarit. Sjell udhëtimin në të ardhmen të kreshnikëve Mujë Bylykbashi dhe Sokole Halili. E krejt bashkë përballen me të sotmen. Vjen edhe si lloj vetëkritikë për hyjnizimin e vetvetes

Diku thellë në Bjeshkët e Nemuna, në një prej shpellave e bëjnë gjumin e tyre kreshnikët Mujë Bylykbashi e Sokole Halili. Në po atë zonë ishte ndalur Edith në ekspeditën e saj, një kushërirë e largët e Mbretit të Mbretërisë së Bashkuar, Charles III. E shoqëruar nga njëri prej fshatarëve të asaj ane, Edith bëhet kureshtare për të hyrë në shpellë edhe pasi shoqëruesi ia tërhoqi vëmendjen se aty, tash e 300 vjet, kanë rënë në gjumë dy kreshnikët.

Kjo është njëra prej skenave të shfaqjes “Charles III” e dhënë premierë të martën mbrëma në teatrin “Oda”. Shfaqja, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Agon Myftarit, është shpalosur duke gërmuar nëpër eposin e këngëve kreshnike, miteve dhe legjendave shqiptare, heronjve të asaj kohe përballë botës moderne.

Regjisori Myftari ka folur për idenë prapa shfaqjes. Për dëshirën që të shpaloset një pjesë me rëndësi e historisë shqiptare. Ka thënë se pa dramë kombëtare dhe pa u marrë me veten nuk mund të ketë identitet teatror.

“Ka qenë ideja që të flasim për veten, të merremi me veten, t’i kthehemi vetes. Sot jam i lumtur, sepse është realizuar një ide e imja e kamotshme që të merremi me gjenet tona, ato çka neve na dallon prej popujve të tjerë, cilat janë ato vese, huqe, teke, si të mira, si të këqija që i kemi. Me fjalë të tjera, kemi dashur ta kritikojmë veten duke e dashur veten”, ka shpjeguar Myftari dhe kjo shpërfaqet pa problem edhe nga loja e aktorëve duke përshtatur zhargonin varësisht se në cilën kohë zhvillohet skena.

Aktorët bëjnë efektet e zërit dhe e luajnë më shumë se një personazh. Dukagjin Podrimaj vjen në rolin e Mbretit Charles III dhe kreshnikut Mujë Bylykbashi, në rolin e vëllait të tij, si Sokole Halili vjen Blend Sadiku, Vjosë Tasholli herë si nëna e tyre e herë si kapiteni Smith nga Mbretëria e Bashkuar, Dardan Gashi si Gjoku i Mujës, e Albina Krasniqi luan rolin e Zanës, Edithit e Tanushes.

Image
Shfaqja përfundon me Mujën dhe Halilin duke u kthyer në shpellë për të vazhduar gjumin qindravjeçar me shpresën që kur të zgjohen do të ketë ndryshuar çdo gjë për të mirë

Më tepër se një muaj u është dashur për të sjellë në jetë komedinë “Charles III”, e cila për sa ka zgjatur shfaqja e mbajti publikun me të qeshura. Efektin ia shtoi edhe skenografia nga Nicola Minssen, muzika e Tomor Kuçit, kostumet nga Albulena Borovci dhe Alma Krasniqi.

Myftari ka theksuar hulumtimin që kanë bërë bashkë me Nezirajn rreth këngëve kreshnike e legjendave shqiptare në mënyrë që shfaqja të formësohet ashtu siç u dha në premierë.

“Kemi bërë prova pak më tepër se një muaj, por ka qenë një proces shumë intensiv. Kjo ka qenë periudha e provave me aktorët, kurse procesi mes meje dhe Jetonit ka nisur qysh para një viti. E kemi pasur një lëndë jashtëzakonisht të gjerë, me gjithë ato këngë kreshnike, me gjithë ato legjenda, kah ta çojmë si shfaqje, si material. Kemi bërë hulumtime goxha të mëdha në mënyrë që të arrijmë te një draft final që e pamë sonte si shfaqje të përfunduar në skenë”, ka thënë Myftari.

Edithin e mund kureshtja dhe futet në shpellën e kreshnikëve. Halili zgjohet nga gjumi i mahnitur nga ajo. Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar ndizet alarmi për zhdukjen e kushërirës së Mbretit. Charles III vjen në Kosovë dhe bashkë me KFOR-in anglez nisen në një aksion kërkim-shpëtimi, për Edithin e zhdukur pa gjurmë.

Në shfaqje heronjtë mitikë ndeshen me figurat bashkëkohore. Bota që i takon një të kaluare të largët dhe efekti që jep kur ballafaqohet me botën moderne. Dramaturgu Jeton Neziraj ka përmendur procesin e përpunimit të tekstit dhe të gjithë materialin që e ka formësuar shfaqjen.

“Me Agonin punojmë kështu. Nisim të flasim në mjegull. Thjesht kemi nisur të diskutojmë se çka duam të bëjmë dhe kështu filluam diskutimin për këngët kreshnike, për heronjtë e atyre këngëve, për tema të ndryshme të mitologjisë, përrallave. Tutje procesi na ka sjellë te kjo materie që e pamë sonte”, ka thënë Neziraj.

Për të premiera ishte hera e parë që e ka parë shfaqen në tërësi. Për regjisorin dhe kastën ka pasur lëvdata.

“Nuk kam parë gati asnjë provë. Me qëllim, natyrisht. Ishte hera e parë që e pashë të plotë dhe vërtet kalova mirë. Nuk më takon mua që të jap vlerësim për shfaqjen, por kishin bërë një punë të jashtëzakonshme, para së gjithash Agoni, por edhe aktorët”, ka thënë Neziraj.

Muja dhe Halili, në një prej skenave vijnë në Prishtinë, e vizitojnë diskotekën “Fantazia” dhe çuditen me automjetet e asfaltin.

Aktori Dukagjin Podrimaj ka bërë të ditur që në fillim se teksti ka mbajtur një tjetër titull gjatë provave e formësimit të materialit është vendosur titulli “Charles III”.

“Fillimisht kanë qenë si ide këngët kreshnike. Titulli parë i shfaqjes ose i tekstit ka qenë ‘Kreshnikët revisited’, është nisur me këtë bazë, por patjetër që Jetoni e ka marrë dhe e ka formësuar dhe lindi komplet diku tjetër që është ‘Charles III’. Ne kemi filluar të punojmë me kreshnikët dhe pastaj teksti na ka ardhur copa-copa, derisa është ngjitur e punuar dhe ka dalë kjo që u pa sonte”, ka thëne Podrimaj.

Regjisori Fadil Hysaj e ka vlerësuar shfaqjen. E ka veçuar atë për temën që e trajton dhe kastën e përzgjedhur.

“Është një farsë jashtëzakonisht e bukur, si zhanër jo shumë i pranishëm në Kosovë dhe sidomos tema që e trajton kjo dramë dhe e cila është prej llojeve më të mira të këtij zhanri që e kam parë unë deri sot dhe me një kastë aktorësh të jashtëzakonshëm”, ka vlerësuar Hysaj.

Shfaqja përfundon me Mujën dhe Halilin duke u kthyer në shpellë për të vazhduar gjumin qindravjeçar me shpresën që kur të zgjohen do të ketë ndryshuar çdo gjë për të mirë. Nëse ndryshon, mbetet të shihet.