Kulturë

Çfarë po ndodh me monumentin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”?

Gjatë misionit tim diplomatik në Tiranë, në kuadër të aktiviteteve kulturore në qytetin verior të Shqipërisë, Shkodër, e cila njihet për vlera të pasura kulturore dhe historike dhe si qendër e aktiviteteve të shumta politike të shqiptarëve të Kosovës në periudhën midis dy luftërave botërore, prej kohësh më kishte rënë në sy objekti/selia e komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Isha i habitur dhe shumë i befasuar se si një objekt i tillë me vlera historike dhe kulturore, madje i shpallur edhe si monument kulture që nga koha e komunizmit, kishte degraduar keq dhe prej dekadash nuk ishte vënë dorë mbi të. Në vend se të shërbente si pikë pelegrinazhi turistik, ky objekt ishte bërë objekt banimi për dy familje me gjendje të rëndë sociale nga qyteti i Shkodrës, shkruan KOHA.

Në muret e jashtme të ndërtesës është e vendosur një tabelë nga koha e komunizmit me një mbishkrim me shkronja të deformuara: “Në këtë shtëpi, më 7 nëntor 1918 u formua dhe zhvilloi veprimtarinë e vet komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’”. Bisedova disa herë me kryetaren e bashkisë znj. Voltana Ademi, e cila po ashtu ishte shumë e interesuar për rivitalizimin e këtij objekti të rëndësishëm, por në mungesë të mjeteve, ajo shpresonte se të paktën autoritetet qeveritare të Kosovës do të shfaqnin interesim dhe gatishmëri për të rinovuar këtë seli të dikurshme të komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.

Në këtë kuadër, gjatë viteve 2018 dhe 2019 kishte dërguar në adresë të institucioneve të ndryshme të vendit kërkesa të vazhdueshme që në takimet bilaterale Kosovë-Shqipëri të shtrohej për diskutim ndarja e një fondi financiar për rinovimin dhe shndërrimin e saj në shtëpi-muze, kur qytetarë nga hapësira shqiptare dhe diaspora, si dhe qytetarë të huaj do të njiheshin me historinë dhe aktivitetin politik kombëtar të njërës nga organizatat më të rëndësishme për çlirimin e Kosovës nga okupimi i Qeverisë së Beogradit.

Për më tepër, historia e kësaj organizate dëshmon angazhimin e gjatë të një organizate të popullit shqiptar për çlirimin e trojeve shqiptare të copëtuara në luftërat ballkanike 1912/13 dhe për përpjekjet e vazhdueshme në konsolidimin e shtetit shqiptar dhe ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të tij shtetëror. Edhe pse në vitin 1981 shteti shqiptar e kishte vënë në listën si monument kulture, sipas autoriteteve lokale dhe organizatave joqeveritare, prej dekadash nuk është bërë ndonjë investim serioz për rivitalizimin e këtij objekti me vlera të veçanta kulturore e historike.

Si rrjedhojë, gjendja e ndërtesës është mjaft e degraduar dhe ka nevojë rivitalizim (kthim në identitet) urgjent dhe këtë gjë e kisha bërë edhe në paraqitjet e mia publike nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, shih link: https://aktivpress.com/shtepia-e-degraduar-ekomitetit-mbrojtja-kombetare-e-kos oves-reagon-ambasadori-ukshini/. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, nga e dita e martë kam marrë disa mesazhe nga miqtë e mi në Shkodër se ndërtesa është rrethuar, se ekziston frika se do t’i ndërrohet destinacioni ose mund të rrënohet. Askush nuk ka informacion se çfarë po punohet aty, madje as kryetarja e bashkisë së Shkodrës, znj. Volana Ademi, e cila ishte në gjendje të thotë vetëm “për momentin nuk kam dhënë ndonjë leje” për punë në këtë objekt.

Prandaj, Qeveria shqiptare në Tiranë duhet ta informojë publikun se çfarë po ndodh rreth objektit dhe me objektin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Nëse dikush dëshiron ta shfrytëzojë këtë situatë të pandemisë Covid-19, atëherë autoritetet shqiptare duhet të ndërmarrin masat dhe të ndërpresin punimet rreth këtij objekti, i cili ka rëndësi të veçantë për historinë dhe lëvizjen shtetformuese në Kosovë dhe për gjithë historinë e Shqipërisë.