Të kalosh urën e Ibrit e të ndjehesh në siklet se në çfarë gjuhe të flasësh është budallallëk i llojit të vet. Edhe tash, që po e shkruaj, po tingëllon njëjtë.
Unë qëndroj prapa idesë që “ata” na kuptojnë, njëjtë siç mund t'i kuptojmë edhe ne.
Nëse vazhdoj t'i drejtohem dikujt në gjuhën angleze, më duket sikur po mundohem ta fsheh atë që jam.
E kur i drejtohem në shqip, duket sikur dua t'i dërgoj një mesazh. Dhe, në masë të konsiderueshme, ma kthejnë në gjuhën serbe, ose nuk më kuptojnë fare.
Kësaj radhe, kur u nis autobusi për në Vrnjacka Banja - një vend i lezetshëm ku tash e disa vite mbahet një festival i madh i muzikës - me gjithë sikletin që kisha, ju drejtova në gjuhë angleze konduktorit. E, me disa fjalë serbisht e disa tjera anglisht, u kuptuam disi.
Erdhi e më ftoi të ulem në karriget e para, e që besoj që duhej ta konsideroja si privilegj.
“Falla” (se nuk di ta them si duhet) me mirësjellje ju drejtova atij.
Pas disa minutave, më pyeti nga jam dhe unë nuk frikësohem t’i tregoj se kush jam e prej nga vij.
“From Kosovo... Kosova bre”, ia ktheve unë me një të buzëqeshur. Brenda saj besoj fshihej një krenari e imja, se i tregoja kush jam dhe se nuk kisha asgjë për të fshehur.
“Aha”, tha ai, për të marrë heshtja mbretërimin.
Ju deshën si duket ca minuta relaksim, ta merrte veten nga përgjigjja. Duke se e kaloi kur filloi të më pyeste për emrin, u prezantua edhe ai, më tregoi se ku jeton dhe mes fjalëve, lëshonte edhe disa në shqip.
Dukej bukur ta dëgjoja dhe të flisja me të, nëse ai e njihte dikënd në Prishtinë e Pejë ose unë në Zveçan. Fundja të dy jemi qytetarë të Kosovës, na pëlqeu ose jo.
Aq ishte. U ndalëm në kufi. Polici u shtang kur pa letërnjoftimin tim. Shkoi, u vonua pak, e thirri tjetrin.
Fliste serbisht. “Ne razumjem”, i thashë unë. Shkoi e u kthye me një letër. Më tha hajde jashtë.
"Haha, viza", i thashë unë, "hvala". Mu drejtua në emër dhe më tha që ky është dokumenti.
Nuk ishte kjo hera e parë që po udhëtoja në atë rrugë dhe nuk më kishte ndodhur më herët një emocion i tillë para tij, me gjasë edhe një zvarritje procedurash nga ai. Kisha një ndjenjë që se shtypja dot, me vinte si nënçmim nga ai që nuk e kaloja dot, momenti nuk e përpinte.
Ai vazhdonte të fliste e të më tregonte për dokumentin. Unë, pa fije respekti, e që atë moment nuk e ndjeja të nevojshme ta shpreh, i thosha në shqip se e dija çka ishte ajo letër e bardhë, "po, e di, s'muj me hup se s'mund të kaloj prapë".
Fytyra e tij prej "milici serb" nuk u zbut fare nga komunikimi im, dhe jo pse e bëja që ta zbus atë, por në ndërkohë thashë se mos po çlirohet nga hija e tij.
Në fund fare tha "gjashlletë ditë". Pikërisht kjo më duhej! Qesha e i thashë, "pa da bre, ti znas albanski".
Nuk mora asnjë replikë, as më të voglin reagim.
U ktheva në autobus e buzëqesha. E përderisa u bëra arsyeja e vonesës, udhëtarëve tjerë, apo, bashkëudhëtarëve të mi iu kishte stagnuar shikimi tek unë.
E çova dorën me një letër të formatit A4 lart, "viza" me buzëqeshje u thashë.
--
Nuk dua të harroj se çka ndodhi, ose përtej saj, të mos e konsideroj e vlerësoj. Duke u rritur, e në atë proces, edhe duke u pjekur, e besoj duke u bërë më e matur, shoh se kthehem gjithmonë te fjalët e nënës.
"Nganjëherë duhesh m'i mbyllë sytë por jo me ulë krytë".
Kjo rrugë vazhdoi nën tymin e cigares së kondukterit dhe shikimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili atë ditë, njëjtë si shumë të tjera, ishte në ballinën e së përditshmes, Kurir.
--
Polici kufitar është veç një njollë e vogël në tërë këtë situatë, e cila dita ditës po dëgjohet me zë më të qartë. Janë gazetarë, zyrtarë të organizatave të ndryshme, e që supozohet të ruajnë neutralitetin, është vetë kryeministrja serbe, janë të rinjtë e këtij shteti, ... E në anën tjetër, jemi ne, kosovarët... ata që qeshin kur pala tjetër flet me tone nacionaliste, jemi ne ata që heshtim kur në fakt zemra na plasë për replikë, jemi ne ata që për hir të respektit ndaj grupit serb, zgjedhim të mos e shohim e lëshojmë lojën futbollistike me Zvicrën për të mos ngritur tensione.
Pra, në këtë lojë me këmbë në tokë, s’është as Thaçi e as Vuçiqi.
Me kalimin e viteve, inati serb nuk po shërohet, ai po vazhdon të ushqehet duke të irrituar deri në palcë.
Atëherë, më thoni, kush ka bërë progres në tërë këtë mes?
Udhëpërshkim nga Erjona Gjikolli
