Kulturë

Çesk Zadeja – gjeniu i muzikës profesioniste shqipe

Ai ishte kompozitor i lindur dhe me emrin e tij lidhet muzika profesioniste shqipe. Akademik Vasil S. Tole, me monografinë “Çesk Zadeja në muzikën shqiptare (jeta dhe vepra)”, sjell portretin e detajuar për të dhe studimin e thellë të veprës së tij. Janë detaje prej mësimeve të para, shpërthimi në Moskë e kontributi madhor i Zadejës në historinë e muzikës. “Thuhet se fati i një personaliteti krijues kalon në tri faza: lavdia, mohimi dhe vlerësimi! Vepra e Zadejës qëndron mes një lavdie pa kohë dhe vlerësimit të vazhdueshëm të saj, kjo, nisur prej kohës kur ai jetoi e më pas, në brezat pasardhës”, është përshkrimi që i bëhet monografisë, e cila e ka rikthyer Tolen mes kolegësh në Prishtinë

Ka jo pak vepra për Çesk Zadejën, emrin e përveçëm të muzikës shqipe dhe jo vetëm, i pakapërcyeshëm në historinë e kulturës kombëtare. Por akademik Vasil S. Tole ka qëmtuar e studiuar gjatë në trashëgiminë e dëshmitë për kompozitorin e madh dhe rezultat i krejt kësaj pune është monografia “Çesk Zadeja në muzikën shqiptare (jeta dhe vepra)”, përurimi i së cilës e ka rikthyer në Prishtinë për të risjellë detaje për atë që konsiderohet edhe “babai i muzikës shqipe”.

Kësaj radhe, vepra – e botuar prej Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku u përurua në tetorin e vjetëm – të martën në sallën e koncerteve në Fakultetin e Arteve, ka bërë bashkë autorin e kolegë të tij të fushës, studentë e të tjerë. Monografia ka 723 faqe, mijëra dëshmi e sipas Toles, ende mund të mos jetë e plotë. Kjo sepse e gjerë është veprimtaria e maestro Zadejës. Përurimi ka ardhur në kuadër të platformës “MusicaUp”, e cila zhvillon aktivitete gjatë gjithë vitit.

Fjalimin e tij, Tole e ka nisur duke shpjeguar historinë e muzikës shqiptare dhe fillet e muzikës profesioniste sepse, sipas tij, “nuk mund të kuptohet, ç’ishe muzika dhe ç’ishte kontributi i Çesk Zadejës (8 qershor 1927 – 15 gusht 1997) në botën e muzikës shqiptare në rast se nuk dimë çfarë përfaqëson muzika shqiptare në të vërtetë”.

“Në rast se do të kthehemi diku 120 vjet mbrapa, në fillim të shekullit XX ose fundi i shekullit XIX, aty gjejmë përpjekjet e para në Shkodër për të pasur tendenca të një muzike të tillë, do ta quaja paraprofesioniste”, ka thënë ai deri sa ka shpjeguar në detaje këtë periudhë për të ardhur te Zadeja. Ai kishte qenë edhe anëtar i korit të Kishës Françeskane, i cili drejtohej nga kompozitori i shquar Martin Gjoka, i cili kishte shkuar në Salzburg kur përveç studimeve për teologji e filozofi, kishte ndjekur edhe shkollën muzikore. Sipas Toles, ai ishte edhe kompozitori i cili kishte krijuar gjeneratën e parë të profesionistëve, në të cilën bënte pjesë edhe Zadeja.

“Kompozitori i parë, për mendimin tim, në Shqipëri, At Martin Gjoka, i cili kishte studiuar për kompozicion në Austri. Për fat ishte edhe pedagogu i gjeneratës së parë të muziktarëve të Shkodrës. Këta ishin një grup: Prenk Jakova, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Tish Daija, Simon Gjoni. Pra, filli i muzikës profesioniste shqiptare zë fill në vitet ‘40 kur kjo klasë filloi të mësojë prej një muziktari profesionist, siç ishte Martin Gjoka”, ka thënë Tole, autor i një sërë vepra orkestrale, operistike, kamertale e të tjera.

Në moshën të re Zadeja do të shkonte për të studiuar në akademinë “Santa Cecilia” në Romë ku, sipas Toles, për tre vjet ushtroi instrumentin e trompës. Pas kësaj, Zadeja do të kthehej në Shqipëri me qëllim të përfundimit të shërbimit ushtarak. Në vitet ‘50 ndonëse Zadeja nis e krijon disa etyde të vogla, Shqipëria vazhdon të mos ketë kompozitorë profesionistë.

“Ata që angazhoheshin në muzikë ishin dy-tre veta: Fan Noli në Amerikë, i cili kishte bërë studime për kompozicion në konservatorin e New England, Thoma Nasi, i cili pati një veprimtari të rëndësishme në Korçë dhe Tiranë dhe Kristo Kono, i cili ishte gjysmëkompozitor profesionist sepse nuk ishte shkolluar”, ka shpjeguar ai.

Por në këtë kohë, pasi Zadeja kryen shërbimin ushtarak si dirigjent i Ansamblin Artistik të Ushtrisë, atë e dërgojnë në Moskë, ku kryen studime në degën e kompozimit.

“Ky është momenti i artë, profesor Çesku shkon për studime fillimisht për dirigjent, bandë ushtarake. Ansambli i ushtrisë me formacion të jashtëzakonshëm të Ushtrisë së Kuqe dhe aty, me insistimin e tij – sepse për mendimin tim ishte gjenial nga të gjitha gjërat që kishte – ai insistoi që duhet të vazhdojë për kompozicion. Në shkollë profesori pati dy palë studime. Nga shënimet që kam gjetur, i ka bërë nga dy herë kurset e polifonisë, harmonisë, orkestracionit dhe historisë së muzikës. Ai e ndjeu që në nivelin që shkonin atje nuk ishte e mundur që të ishte në të njëjtat nivele me kompozitorët e asaj periudhe të Bashkimi Sovjetik që kanë pasur autoritete të jashtëzakonshme”, ka thënë Tole. Vepra e Zadesë do të merrte hov.

“Aty tregoi gjithë prerjen e tij, që ai ishte kompozitor i lindur. Në jetën muzikore të Moskës, veprat e tij filluan të interpretoheshin njësoj si të krijuesve të kombësive të tjera. Veprën e diplomës e kanë interpretuar orkestra e teatrit ‘Balshoi’ dhe veprën tjetër, ‘Simfoninë’, e ka interpretuar orkestra e Radio Moskës”, ka shpalosur Tole disa nga detajet e studimit të tij.

Në rolin e autorit, studiuesit e hulumtuesit, Tole ka shpjeguar edhe për vështirësitë gjatë shkrimit të këtij studimit. Pavarësisht punës së tij të madhe dhe informacioneve të detajuara, ai ka thënë se një vepër kushtuar këtij kompozitori të madh të muzikës shqipe ka përherë hapësirë për t’u plotësuar. Ka shtuar se Zadeja kishte arritur që në veprat e tij ta kombinonte edhe muzikën evropiane, edhe atë popullore shqipe.

“Kompozitorët shqiptarë u vendosën ndërmjet këtyre dy alternativave: timbrit popullor dhe tingullit të kultivuar evropian. Çesk Zadeja qëndroi midis tyre dhe kuptoi që duhet të merrte tingullin popullor, duhet të njihte mirë kulturën muzikore evropiane dhe të ndërtonte një gjuhë muzikore kombëtare”, ka thënë ai.

Muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica ka folur edhe për nevojën e një bashkëpunimi midis muzikologëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.

Sipas saj, Çesk Zadeja është një urë lidhëse midis këtyre dy kufijve, pra Kosovës dhe Shqipërisë.

“Edhe një shkodran tjetër i cili ka kontribuuar jashtëzakonisht shumë në avancimin dhe zhvillimin e kulturës muzikore shqiptare, pa ndasi kufijsh dhe në të njëjtën kohë e dimë që të flasësh për Çesk Zadenë dhe të hulumtosh në punën e tij, në jetën, në veprën, nuk mund të mbetet vetëm brenda të dhënave biografike. Natyrisht që është një nga fenomenet e vetë kulturës shqiptare në përgjithësi”, ka thënë ajo.

Kompozitori Valton Beqiri ka folur për rëndësinë e një botimi të tillë, i cili futet më thellë në jetën dhe veprën e këtij kompozitori të madh. Ky libër, sipas tij, do të shërbejë edhe si motivim për të shkruar edhe më shumë studime të ngjashme, të cilat kapin fushën e muzikës.

“Është një sakrificë e madhe për të marrë përgjegjësinë për të shkruar një libër të tillë dhe ndoshta ky mund të jetë edhe një motiv që ata që merren me këtë profesion të kenë parasysh edhe punën e kompozitorëve të ndryshëm, duke filluar nga kompozitorët tanë, meqë shumë pak ka dokumentacion të ruajtur rreth krijimtarisë dhe veprimtarisë, por edhe rreth veprës së tyre”, ka thënë Beqiri.

Kompozitori e dirigjenti Rafet Rudi, monografinë “Çesk Zadeja në muzikës shqiptare (jeta dhe vepra)” ka thënë se duhet ta lexojë secili student i muzikës sepse, sipas tij, vepra ofron diçka edhe përtej.

“Unë mendoj që studentët duhet ta kenë të gjithë për shkak se, për aq sa lexova, ka një shtrirje shumë të gjerë dhe nuk e mësoni vetëm Çeskun, por mësoni shumë gjëra të tjera. Kjo është ajo që duhet përshëndetur. Në këtë drejtim nuk kam asnjë dilemë, çdo lëvdatë për atë që muzikologjia shqiptare është duke bërë në këto dhjetë, njëzet vjetët e fundit”, ka vlerësuar ai.