Libri i ri i filozofit e diplomatit, akademik Muhamedin Kullashi, dokumenton dekadën prej vitit 1991 deri më 2001, kur në qarqet franceze ndodhën kthesa të mëdha në raport me rastin e Kosovës. Vetë akademik Kullashi qe figurë qendrore në sensibilizimin mbi dhunën ndaj shqiptarëve e te “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës” merr në shqyrtim analizat, studimet, debatet në nivele të ndryshme të opinionit publik, duke përfshirë revista e konferenca shkencore, media, qarqe shtetërore e politike, në Parlament, në Senat e njëherazi në mjedise të ndryshme të shoqërisë civile franceze. Teksa i dokumenton ato, libri është parë edhe si vepër me peshë në hapat mëtutjeshëm të integrimeve euroatlantike të Kosovës
Si dedikim për miqtë francezë që punuan me përkushtim për shumë vjet për lirinë e Kosovës, vjen libri më i ri i akademikut Muhamedin Kullashi, “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës”, i botuar në Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Në përurimin e librit të mërkurën në ASHAK është theksuar rëndësia e kësaj vepre, jo vetëm për studiuesit, por edhe si libër më peshë e për ndërtimin e politikes së jashtme të Kosovës.
I përthekuar në 262 faqe, “Çështja...” trajton periudhën e studimit që kap tema më të rëndësishme të Kosovës që prej vitit 1991 deri më 2001. Diskutimet dhe aktivitet e shumta përgjatë kësaj kohe në Francë, në libër dokumentojnë këndvështrime të ndryshme të asaj kohe. Theksi në këto shqyrtime është i vendosur te ndërveprimet midis niveleve të ndryshme të shoqërisë, ku trajtohet çështja e Kosovës dhe e konfrontimit publik të argumenteve që shpien te vendimet e rëndësishme politike të Qeverisë dhe Presidencës franceze. Ky botim merr në shqyrtim analizat, studimet, debatet mbi çështjen e Kosovës në hapësirat publike të Francës, në nivele të ndryshme të opinionit publik, duke përfshirë revista e konferenca shkencore, media, qarqet shtetërore e politike, në Parlament, në Senat e njëherazi në mjedise të ndryshme të shoqërisë civile franceze. Analizat që shqyrton ky libër janë parë si të rëndësishme në hapat mëtutjeshëm të integrimeve euroatlantike, ku Franca ka një rol kyç. Merr në shqyrtim analizat, studimet dhe debatet mbi çështjen e Kosovës në hapësirat publike të Francës përgjatë një dekade.
Në promovimin e librit është përmendur kontributi i gjatë i Kullashit në Francë, veçmas si pjesë e themelimit të Komitetit të Kosovës në Paris. Një kapitull të veçantë ia kushton edhe vetë autori kur flet për lidhjen midis luftës së Kosovës dhe Bosnjës dhe për interesimin ndaj Kosovës nga intelektualët. Ky komitet ishte themeluar në maj të vitit 1992, pas një manifestimi të madh në Paris kushtuar luftës në Bosnjë. Aktivitetet shumëvjeçare të këtij komuniteti që nga viti 1992 deri në vitin 2001 kishin qenë vendimtare në trajtimin e çështjes së Kosovës në opinionin francez. Aktivitetet e shumta kishin ndikuar që zhvillimet në Kosovë të trajtohen me kritere e qasje racionale dhe gradualisht të ushtrojnë ndikim të mediat e mëdha prestigjioze, e pastaj ndaj institucioneve politike, si dhe mjediseve universitare e shkencore. Në libër theksohet se një prej pengesave kryesore për perceptimin e çështjes së Kosovës kishte të bënte me disa bindje e paragjykime të moçme, ku theksohej mungesa e qëndrimit kritik ndaj regjimit totalitar të Enver Hoxhës si nacional-komunizëm dhe rezistencat e pakta ndaj sundimit të tij gjithëpërfshirës.
Sipas akademik Kullashit, vizitat e veprimtarëve të shoqatave humanitare dhe atyre të të drejtave të njeriut e përmbysën të gjithë perceptimin. Në përurimin e librit të tij ka thënë se atë ua ka kushtuar miqve francezë të cilët për shumë vjet janë marrë me përkushtim për lirinë e Kosovës.
“Këtu i kam parasysh proceset intelektuale, emotive të veprimtarëve të të drejtave të njeriut, si dhe të intelektualëve të dalluar, që zbuluan anë të ndryshme të veçantisë së dhunës dhe të rolit të regjimit serb që ushtronte mbi shqiptarë me qëllimin e dehumanizimit të shqiptarëve”, ka thënë akademik Kullashi në përurimin e librit të tij.
Muhamedin Kullashi, i lindur në Pejë më 29 nëntor të vitit 1949, ka studiuar për filozofinë dhe letërsinë franceze në Fakultetin Filozofik të Zagrebit. Nga viti 1974 deri më 1991 ligjëroi në Degën e filozofisë dhe të sociologjisë të Universitetit të Prishtinës. Më 1983, në Fakultetin Filozofik të Zagrebit mbrojti disertacionin e doktoratës kushtuar koncepcionit të metafilozofisë së Henri Lefebvreit. Në vitin 1991 u dëbua nga Universiteti i Prishtinës, bashkë me kolegët e tjerë shqiptarë, nga regjimi i atëhershëm serb. Nga viti 1992 deri më vitin 2017 ligjëroi në Departamentin e Filozofisë në Universitetin e Parisit. Nga viti 2008 deri në vitin 2016 ishte ambasador i Kosovës në Francë.
Akademik Hivzi Islami ka theksuar në përurimin e librit se Kullashi para se të emërohej ambasador i Kosovës në Francë, për dy dekada ka qenë ambasador joformal i Kosovës atje, duke e dëshmuar praninë e tij në çdo sferë franceze, veçmas në qarqet akademike dhe intelektuale. Islami, i cili është edhe recensent i librit “Çështja e Kosovës në hapësirën publike të Francës”, ka theksuar se libri përmban analiza, studime, refleksione dhe debate mbi çështjen e Kosovës në hapësirën publike të Francës, në nivele të ndryshme të opinionit publik.
“Autori i botimeve është vetë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i analizave dhe debateve në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe në pasqyrimin e të vërtetës së shqiptarëve në opinionin francez”, ka thënë akademik Islami. Sipas tij, libri është ndërtuar brenda një kornize metodologjike adekuate, duke ofruar fakte relevante nga konferenca të ndryshme për çështjen e Kosovës, të trajtuara në hapësirën publike franceze. Tutje ai ka treguar se në çdo takim me intelektualët francezë, theksi bie te Kullashi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Për këtë Islami i ka shprehur një falënderim të veçantë Kullashit gjatë fjalës së tij në ceremoninë promovuese të librit.
“Në takime të ndryshme, kur falënderoja kolegët studiues francezë për angazhimin e tyre për Kosovën, të gjithë thoshin: ‘Jo, duhet ta falënderoni profesorin e filozofisë në universitet, Muhamedin Kullashin. Meritë e tij është ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe përhapja e së vërtetës në shoqërinë franceze’”, ka thënë tutje ai.
Sipas fjalës hyrëse, libri do të zbërthejë ngjarjet kyç, të cilat bënë që Kosova gradualisht të shndërrohet jo vetëm në hapësirë të shumëfishimit të trajtave të ndryshme të dhunës dhe diskriminimit, por edhe fushë ku fillon procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, i përcjellë me rivalitet dhe tensionet më të theksuara midis njësive federale.
“Një aspekt i këtyre analizave ka të bëjë me nxjerrjen në shesh të karakteristikave të reja të luftës në Kosovë – të lidhjes midis krimit kundër njerëzimit dhe luftës. Rasti i Kosovës shpërfaqet si një rast ku nxjerr në pah risitë e kësaj lufte”, ka thënë në fjalën e tij akademik Kullashi të mërkurën.
Akademik Anton Berishaj ka thënë se libri shpalos format dhe mënyrat e sensibilizimit të qarqeve politike franceze, por edhe të opinionit të gjithmbarshëm francez lidhur me çështjen e Kosovës.
“Strukturimi i librit është kronologjik dhe i shpalos këto procese në kohë dhe e hapësirë gjithmonë, duke e respektuar kontekstin hapësinor dhe kohor të tyre”, ka thënë akademik Berisha. Tutje ka shtuar se libri edhe pse nuk shquhet për ndonjë volum me përmbajtjen e tij, arrin të ofrojë shumë të dhëna për procesin e sensibilizimit.
“Libri është padyshim një kontribut monumental për kompletimin e pasqyrës së shkapërderdhur të refleksioneve ushtarake e politike të qarqeve shkencore, politikave dhe opinioneve, të cilat ne nuk i dimë fare ose njohuritë i marrim të fragmentarizuara e shpesh edhe sipas bindjeve të ngarkuara me paragjykime”, ka shtuar tutje akademik Berisha.
Në fjalën hyrëse autori bën të ditur se lexuesin e presin kaptina të veçanta të këtij libri që trajtojnë debatet dhe polarizimet politike e intelektuale, në nivele të ndryshme të hapësirës publike të Francës, mbi aspekte të caktuara të historisë politike bashkëkohore të Kosovës, në veçanti ato që cilësohen si ngjarje më dramatike.