Kulturë

“Çështja d’Arc” gjurmëve të heroinës franceze

Jeta fëmijërore e Zhan d’Arc, marrëdhëniet me babanë, nënën, lidhja e saj me religjionin e të tjera, janë ato që përbëjnë thelbin e monodramës “Çështja d’Arc” të regjisores nga Gjermania, Maja Deleniq, e shfaqur në teatrin “Dodona” të mërkurën mbrëma në kuadër të edicionit të 15-të të festivalit ndërkombëtar të monodramës “MonoAkt”.

Kishte qenë dashuria e madhe që aktori Philipp Sommer kishte pasur ndaj kësaj heroine të njohur franceze ajo që kishte sjellë në jetë këtë shfaqje. Ai do të nisej gjurmëve të kësaj gruaje të njohur të historisë, shenjtore franceze e gjykuar dhe ekzekutuar për herezi në vitin 1431, kur ishte 19-vjeçare. Është personazhe e luftës njëqindvjeçare midis Anglisë dhe Francës.

Shfaqja tenton të shfaqë dy anët e Zhan d’Arc. Nis qysh nga mosha e hershme, kur mendimet e saj janë të ndryshme me ato të shoqërisë që e rrethon. Magjepset pas një gruaje me flokë të shkurtër dhe gëzohet shumë kur më në fund babai i saj nis ta trajtojë si një luftëtare të guximshme. Skena është minimaliste. Përpos dy perdeve, njëra e kaltër e tjetra e bardhë, në skenë shihet vetëm edhe një tavolinë me mbulesë të bardhë. Por me kalimin e kohës në skenë futen edhe elemente të tjera.

Skena e parë hapet me aktorin i cili gjendet i shtrirë në tokë dhe që më pas nis e tregon historinë. Ngrihet në këmbë, nis të orvatet sa andej këndej, ulet pranë tavolinës dhe shumë shpesh rrëfen për religjionin teksa vazhdimisht bën kryqin me duar. Sa herë që mosha ndërrohet, aktori zë vend mu në ballë të publikut, krejt afër kufirit të skenës, dhe thotë moshën. Bashkë me të nis të tregojë edhe për ndryshime në familje e një sërë ngjarjesh të tjera derisa vjen edhe te pjesa kur Zhan d’Ark refuzon të martohet dhe për këtë ftohet në gjyq. Procesi i gjykimin vjen përmes një videoje në monitor. Videoja zhvillohet pa zë. Është zëri i aktorit në skenë ai që imiton dhe tregon për publikun atë se çfarë ndodh në gjykatë, herë duke marrë rolin e gjykatësit e herë të vetë Zhan d’Ark.

Pjesa e dytë e shfaqjes merr një pamje krejt tjetër. Në bazë të veshjes, skenës dhe mënyrës së thurjes, ngjarja tani ka një natyrë shumë më moderne. Duket sikur në këtë fazë rebelimi i saj është edhe më i madh, teksa shpesh shfaqen edhe dromca çmendurie. Në kontrast me rrobat e bardha e të gjëra të pjesës së parë, tani aktori i cili portretizon Zhan d’Ark del i veshur me rroba tejet të ngushta dhe ku dora e djathë dhe këmba e majtë janë plotësisht të zhveshura. Në momentet e fundit, aktori nis të dalë e të hyjë në skenë dhe teksa flet për popullin, hedh nga jashtë - brenda ca maska prej druri. Hedhja e tyre bëhet në mënyrë të vrazhdë dhe teksa përplasen për tokë, zhurma e tyre sjell në sallë edhe një lloj dramatizimi të ngjarjes. Sikurse edhe jeta reale e Zhan d’Arc, ngjarja përfundon me vdekjen e protagonistes.

Aktori Philipp Sommer ka thënë se një rol i tillë nuk është aspak i lehtë për t’u luajtur. Ka folur edhe për dashurinë dhe përkushtimin ndaj Zhan d’Arc.

“Në fakt do të gënjeja nëse do të thosha që është e lehtë për t’u luajtur, sepse është një rol tejet kompleks për një grua tejet komplekse në histori. Varet se çka lexoni për të, sepse ka një sërë mendimesh të ndryshme. Ka historianë që thonë se ajo nuk ishte aspak një grua pasionante, por ishte mbretërore, sepse një vajzë pasionante nuk do të mund të arrinte çka ka arritur ajo. Kështu ka variante e variante të ndryshme, por kjo e bën atë misterioze, sepse ju nuk mund të thoni se kjo është Zhan d’Ark, sepse karakteri i saj ka disa shtresa dhe kjo e bën atë komplekse”, ka thënë ajo

Shfaqja u dha e tëra në gjermanisht dhe për publikun nuk pati përkthim. Në këso raste aktori gjerman Philipp Sommer ka thënë se tenton të japë shpjegime edhe nëpërmjet gjesteve.

“Është e çuditshme, sepse ti si aktor e di që 90 për qind e njerëzve në publik nuk e kuptojnë se çfarë po thua. Ne kemi qenë në Kajro, unë dhe Maja dhe ishte e njëjta gjë. Mendoj se kishte diku rreth 15 njerëz që kuptonin pak gjermanisht, por jo të gjithën. Por në këso rastesh bëj pak më shumë pantomima, sepse i imitoj disa gjëra që ta shpreh kuptimin e tyre, pasi ata nuk i kuptojnë fjalët dhe unë mundohem t’i shfaqi pak, punoj më shumë në formën fizike”, ka thënë Sommer

Regjisorja e shfaqjes, Maja Deliniq, ka folur për procesin e realizimit të kësaj monodrame. Ka thënë se kishte qenë vetë Simmer ai që kishte marrë iniciativën për ta inskenimin.

“Është një shfaqje që flet për Zhan d’Ark, heroinën franceze dhe është një shfaqje që vetë aktori Philipp Sommer deshi shumë ta bënte dhe më pyeti si regjisore që të punonim së bashku performancën dhe ne e shkruam tekstin për afro tre vjet, kështu që ishte me të vërtetë një proces i gjatë. Filipi ishte në Francë duke udhëtuar ngado ku kishte shkuar Zhan d’Ark dhe kështu erdhëm deri te kjo performancë dhe ky tekst. Ne veçse e kemi dhënë shfaqjen në Luksemburg, Kajro dhe tani në Prishtinë. E kemi shfaqur disa herë në Gjermani, kështu që mendoj që ishte shumë e suksesshme”, ka thënë Deliniq.

Për regjisorin gjerman Mathias Gehrt kjo nuk është hera e parë që e sheh këtë shfaqje. Gehrt, i cili është edhe anëtar i jurisë së festivalit “MonoAkt”, ka folur për ecurinë dhe ndryshimet që kjo shfaqje ka pësuar me kalimin e kohës.

“E kam parë edhe më parë. Kam parë disa versione të saj. Produkti origjinal në Gjermani ishte shumë më kompleks, me një aset më të madh, e të tjera. Më pas ata bënë një version më të shkurtër për në Luksemburg e pastaj një ende më të shkurtër në Kajro, dhe ky këtu është diku në mes. Pra, ishte pak më ndryshe. Në esencë është historia e Zhan d’Ark nga koha e fëmijërisë e deri në vdekje”, ka shpjeguar ai.

Shfaqja bullgare “Fëmija yll” ka qenë e fundit që ka sjellë “MonAkti” i përmbyllur të premten mbrëma.