Kulturë

Çeku në Prizren harmonizon artin e interpretimit dhe dëgjimit me suitat e përjetshme

Me fikjen e dritave të faltores, përpara altarit është paraqitur virtuozi i kitarës klasike, ku në sfond ka dominuar ngjyra rozë, teksa shkëlqimi ka rënë mbi artistin dhe instrumentin e tij. E shkëlqyer ka qenë edhe performanca e Petrit Çekut, pavarësisht se interpretimi i “Gjashtë suitave për violonçel” të Bachut është një detyrë sfiduese si në aspektin muzikor, ashtu edhe në atë fizik. Çeku i ka ofruar publikut të pranishëm një interpretim mahnitës të këtyre veprave të muzikës klasike, të cilat vite më parë janë aranzhuar në mënyrë të veçantë për kitarë nga maestro Valter Deshpali

Interpretimi i “Gjashtë suitave për violonçel” nga Johann Sebastian Bach, për kitaristin me nam botëror, Petrit Çeku për aq sa i shërben përmirësimit të artit të interpretimit, po ashtu i hyn në punë edhe kultivimit të artit të të dëgjuarit. Dhe këtë qëllim madhor muzikor ai e ka ndarë edhe me bashkëqytetarët e tij në Prizren, në koncertin e mbajtur në Katedralen e “Zojës Ndihmëtare”.

e kësaj kishe, të shtunën mbrëma, kanë qenë përplot me audiencë, që i është gëzuar ritakimit me Çekun. Me fikjen e dritave të faltores, përpara altarit është paraqitur virtuozi i kitarës klasike, ku në sfond ka dominuar ngjyra rozë, teksa shkëlqimi ka rënë mbi artistin dhe instrumentin e tij. E shkëlqyer ka qenë edhe performanca e Petrit Çekut, pavarësisht se interpretimi i “Gjashtë suitave për violonçel” të Bachut është një detyrë sfiduese si në aspektin muzikor, ashtu edhe në atë fizik.

Çeku i ka ofruar publikut të pranishëm një interpretim mahnitës të këtyre veprave të muzikës klasike, të cilat vite më parë janë aranzhuar në mënyrë të veçantë për kitarë nga maestro Valter Deshpali. Në këtë formë, respektivisht përmes koncerteve, Çeku vazhdimisht shpreh mirënjohjen për violonçelistin e madh, me të cilin ka bashkëpunuar. Këtë dedikim e ka përmendur edhe gjatë fjalimit të tij të shkurtër gjatë koncertit, me ç’rast ka nënvizuar se pa dashamirët e muzikës klasike, këto suita nuk do të ishin të gjalla.

“Prandaj për tash e 300 vjet janë të gjalla, për shkak të njerëzve si ju që vijnë me i dëgju. Faleminderit!”, ka përsëritur Çeku atë që kishte thënë edhe në Muzeun e Mitrovicës kur të enjten e kaluar kishte interpretuar të njëjtin program.

Secila nga “Gjashtë suitat për violonçel” të Bachut ka karakteristikat dhe tingullin e saj unik. Ato janë të njohura për kompleksitetin e tyre teknik dhe thellësinë emocionale. Siç do ta përshkruante vetë kitaristi Çeku në albumin e vitit 2016, “suitat për violonçel janë një festë e vërtetë e vetë harmonisë, e cila krijon një hapësirë domethënëse për kitarën për të eksploruar natyrën e saj harmonike”. Madje kishte shkruar se “pjesa më e madhe e polifonisë, harmonisë apo edhe ritmit në këto vepra nuk është fizikisht aty – do të thotë, ato nuk janë të shënuara, por janë absolutisht në mendjen tonë dhe në përvojën tonë muzikore” dhe se “kjo është ndoshta arritja më e madhe e Bachut në këto vepra, aftësia e tij për të nënkuptuar strukturë komplekse muzikore përmes mjeteve kompozicionale minimale”.

Por me interpretimin e tij të rrjedhshëm, me emocion të plotë e me kontroll të përsosur, Çeku të shtunën mbrëma i ka mundësuar audiencës që ta shijojë përvojën muzikore dhe njëkohësisht të lundrojë brenda imagjinatës personale. Kjo është shpalosur edhe në fund të koncertit, kur duartrokitjet e gjata të publikut kanë kthyer disa herë Çekun në skenë, për t’u përshëndetur me kitarën e mbajtur lartë.

koncertit në Prizren, Petrit Çeku për KOHË-n ka treguar se vazhdimisht ka menduar rreth ruajtjes së kësaj përjetësie muzikore, derisa në vitin 2016 ka ardhur deri te një ide.

“Në vitin 2016 pata ardhur deri tek një ide që këto suita, për të cilat dihet që janë të krijuara si ushtrime për kalitjen e interpretimit, në fakt janë edhe ushtrime për kalitjen e dëgjimit. Sot, gati 300 vjet më vonë, ato ende zhvillojnë instrumentistë, por edhe dëgjues në mbarë botën. Unë këto suita i luaj që nga një moshë shumë e re dhe atyre u rikthehem herë pas here, gjithmonë me një lexim që përfiton nga informatat e reja, eksperienca dhe njëlloj pjekurie që krijohet me kalimin e kohës. Një pjesë substanciale e marrëdhënies sime me këto suita është regjistruar nën lensin e thellë të regjisores së shpërblyer, Kaltrina Krasniqit në filmin e saj 'Sarabande', i cili në mes tjerash, përcjell procesin tim të incizimit të Suitave në Spanjë”, ka thënë ai. Ka treguar se ka pasur fatin e jashtëzakonshëm që këto vepra t'i punojë me violonçelistin e madh, Valter Deshpallin, i cili e ka adhuruar aq shumë kitarën, sa që në vitet ‘80 e ka filluar transkriptimin e këtyre Suitave, proces ky të cilin e ka vazhduar edhe pas publikimit të tyre në vitin 2012 për shtëpinë botuese “Chanterelle”. “Përndryshe, këto koncerte unë privatisht ia kam dedikuar këtij mjeshtri të madh, ndikimi i të cilit në jetën time është i pamatshëm”, ka thënë Çeku.

Ai është shprehur i lumtur që publiku ka krijuar qetësinë e duhur për interpretimin e tij.

“Niveli i koncentrimit që kërkohet nga interpretuesi në një sipërmarrje të tillë si interpretimi komplet i Suitave për violonçel, që në katalogun e veprave të Bachut (BWV) zënë numrat 1007 deri 1012, është shumë i lartë, por ky proces është mjaft sfidues edhe për publikun. Unë jam shumë i lumtur me qetësinë që publiku arriti të krijojë, duke hapur mundësinë që kjo muzikë aq delikate të rikrijohet në mënyrë optimale po aty, në Katedralen historike të Prizrenit. Kjo më jep një ndjenjë, që mund ta quaj ‘ndjenjë e plotësisë’”, ka deklaruar Çeku.

Sipas tij, dy koncertet e realizuara brenda pak ditësh në Kosovë janë dhuratë e tij për publikun vendor.

“Koncerti im në Prizren, ashtu si edhe ai dy ditë më parë në Mitrovicë, ishin një dhuratë e imja për publikun tonë, që buron nga dëshira që këto ‘ushtrime muzikore’, të cilat shpeshherë i luaj në vende të ndryshme të botës, t'i bëj edhe bashkë me publikun kosovar. Zgjidhja e këtyre qyteteve nuk ishte e rastësishme dhe është paksa vetë-shpjeguese. Realizimin e koncerteve e mundësuan ‘Dam Fest’, ‘Autostrada Biennale’ dhe Komuna e Mitrovicës, të cilët vullnetarisht dhe pa rezervë ofruan punën, kohën dhe ekspertizën e tyre me qëllim që t'i shërbejnë së mirës së përgjithshme”, ka theksuar Çeku.

Në këtë koncert i pranishëm ka qenë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka vlerësuar se ka pasur shumë elemente që kanë krijuar atmosferë magjike në Katedralen e “Zojës Ndihmëtare” në sajë të interpretimit të veçantë të Petrit Çekut.

“Një ngjarje shumë e bukur, një vepër dhe një program jo i lehtë, që vështirë mund të gjendet edhe në skenat më të njohura botërore të muzikës klasike, e sonte vetëm për artdashësit e Kosovës, respektivisht të Prizrenit. Një mbrëmje shumë e bukur me Petritin tonë, ishte edhe një moment i një jete të gjallëruar kulturore të Kosovës dhe u jemi mirënjohës gjithë artistëve tanë, në këtë rast Petritit, për punën që e bënë në gjithë botën, por që është pjesë edhe e aktiviteteve dhe e gjallërisë kulturore të shtetit tonë”, ka thënë ministri i MKRS-së.

Petrit Çeku konsiderohet si njëri nga kitaristët më të shquar botërorë të gjeneratës së tij. Në Prizren paraprakisht ishte paraqitur para publikut rreth 7 vjet më parë.