Kulturë

Çeku: Në parkun e Ulpianës është zbuluar një dedikim i fuqishëm nga perandori Justinian

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka thënë se një zbulim që formëson historinë dhe një dedikim i fuqishëm nga perandori Justinian është zbuluar në lokalitetin Arkeologjik Ulpiana.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “ekipi i arkeologëve në përbërje nga Christophe Goddard, Arben Hajdari e Milot Berisha gjatë hulumtimeve shkencore kanë zbuluar një mbishkrim monumental me rëndësi të jashtëzakonshme historike nga Perandori Justinian (527-565) i qytetit Justiniana Secunda, i përshkruar si qytet Dardan, një qytet në provincën e Dardanisë (krijuar nga paraardhësi i tij Diokleciani në fillim të shek. IV pas e.s.) dhe i kishës së tij”.

Sipas tij, mbishkrimi paraqet një dëshmi shumë të rrallë dhe dëshmon afërsinë e perandorit ndaj provincës së origjinës. Ka shtuar se kisha paraqet një prej zbulimeve më të mëdha të Perandorisë së vonshme romake dhe perandorëve më të rëndësishëm.

{gallery}


Kurti: Zbulimi në Ulpianë dëshmon lidhjen e perandorit Justinan me Dardaninë

Kryeministri i Kosovës. Albin Kurti ka thënë se zbulimi i mbishkrimit monumental në Ulpianë dëshmon lidhjet e perandorit Justinian me vendin e origjinës së tij, Dardaninë.

Kurti ka shkruar në “X” se zbulimi i mbishkrimit të perandorit Justinian në Ulpianë është po ashtu dëshmi e bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar.

“Në rrënojat e qytetit romak Ulpiana, jo shumë larg Prishtinës, arkeologët e Kosovës dhe të Francës kanë zbuluar një mbishkrim të perandorit Justinian (527-565), dëshmi të rralla të lidhjes së tij me Dardaninë, vendin e tij të origjinës - dhe dëshmi e bashkëpunimeve të suksesshme ndërkombëtare”, ka shkruar ai.


Osmani: Zbulimet në Ulpianë paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë

Për zbulimet e fundit në parkun arkeologjik Ulpiana ka shkruar edhe presidentja Vjosa Osmani.

Ajo ka thënë se Ulpiana është një udhëtim nëpër kohë që sipas saj, zbulon thesaret e fshehura të së kaluarës sonë. “Çdo gërmim zbulon fragmente të qytetërimit tonë të lashtë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Sipas saj zbulimet e fundit paraqesin evidenca të rëndësishëm për historinë e Dardanisë.

“Nga Mbretëria e Dardanisë e deri te perandori Justinian janë shekuj të trashëgimisë sonë të prekshme, e cila ndërlidh të tashmen tonë me të kaluarën e largët. Zbulimet e fundit në Ulpianë (Justiniana Secunda), paraqesin evidenca të rëndësishme për historinë e Dardanisë dhe dardanëve gjatë antikitetit të vonë - mesjetës së hershme”, ka shkruar Osmani.

Image