Kulturë

“Çast” në muzeun e dhimbjes së përhershme të luftës

muze

Krejt ata që duan të njohin pak nga copëzat e historive të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, adresa tash është në qendër të kryeqytetit. Në dhomën e parë vizitorët do të gjejnë një ambient që paraqet një pyll, e artefakte që janë njëfarë skenografie e tragjedisë.

Është një copëz e vogël në mozaikun e rreth 20 mijë vetave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë. Në muzeun e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë – “Çast”, secili artefakt ka rrëfimin e vet – rrëfimin e trishtë të luftës. Janë katër dhoma të vogla, por që ofrojnë ndjeshmëri të lartë e të njëmendtë. Ky muze do të jetë i përhershëm njësoj sikurse vuajtjet. Është një thirrje për t’ua njohur dhimbjen

“Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera 1998! ‘Dardania I’, Pejë”, është mbishkrimi mbi fundin e kaltër që vitet ia kanë bjerrë pak ngjyrën. Por, sigurisht që historia që ka përjetuar ajo që e ka pasur të veshur këtë rrobë mban ngjyrat e njëjta në kujtesë. 

Prej të martës mbrëma, pak nga ajo histori është bërë publike. Ky artefakt sikurse edhe disa të tjerë janë bërë pjesë e muzeut të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë – “Çast”. Është një hapësirë solide – katër dhoma të vogla – por ofron ndjeshmëri të lartë e të njëmendtë. Nismë e konkretizim i fondacionit “Jahjaga” që udhëhiqet nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, ky muze do të jetë i përhershëm. Në katër dhomat që janë konceptuar si instalacion ofrohet pak nga historia e traumat e armës më të keqe që njeh lufta – dhunës seksuale. Krejt ata që duan të njohin pak nga copëzat e këtyre historive, adresa tash është në qendër të kryeqytetit. 

Në dhomën e parë do të gjejnë një ambient që paraqet një pyll, e artefakte që janë njëfarë skenografie e tragjedisë. Në tjetrën, ku nuk lejohet hyrja, nga pragu shihet një ilustrim i të dhunuarave që reflekton në dysheme. Në dhomën e tretë artefaktet flasin me kohë e vend, përderisa historitë e treguara janë varur në dhomën e katërt që quhet edhe “Dhoma e kurajës”. Me kuratore Eliza Hoxhën e ekip artistik Zake Prelvukajn, Ylber Cërrvadikun e vetë kuratoren, Muzeu është një copëz e vogël në mozaikun e rreth 20 mijë vetave të dhunuara në luftën e fundit në Kosovë, numër ky i llogaritur nga organizatat ndërkombëtare. Si Muze është i pari i këtij lloji në vend. Nëse merret parasysh historia që trajtohet e hapësira që është në dispozicion, është goxha improvizim. Bile, është punuar shpejt e shpejt, për një muaj. Por, si nismë rëndësinë e ka tejet domethënëse. Është puna që tash e 25 vjet nuk është bërë nga institucionet e vendit. 

Në dhomën tjetër ku nuk lejohet hyrja, nga pragu shihet një ilustrim i të dhunuarave që reflekton në dysheme

Kuratorja Eliza Hoxha, njëherësh deputete e Kuvendit të Kosovës, ka sqaruar titullin e muzeut, “Çast”. 

“Jeta jonë është njëfarë grumbulli i momenteve dhe ato mund të jenë të këqija, të bukura, të hidhura...Ka qenë një moment që këtyre të mbijetuarve ua ka ndryshuar jetën përgjithmonë. Por, kanë qenë shumë momente që ne i kemi bërë të ndihen me faj, pa qenë me faj”, ka thënë ajo. Ka thënë se të mbijetuarve shoqëria ua ka ndërruar jetën në paqe, nuk i ka integruar, nuk i ka përqafuar në atë se çfarë janë, në çfarë kanë kaluar e nuk ua ka njohur dhimbjen. 

“Ky Muze i vogël ju njofton nga momenti që ua ka ndryshuar jetën të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe sjell disa nga artefaktet e sendet e tyre që asociojnë me atë moment ose i kanë pasur të veshura”, ka thënë ajo. Moment tjetër, sipas saj, është se si ndihen ato në humnerën që ato kanë jetuar që nga ai çast. 

“Historia e Kosovës duhet të dokumentohet. Edhe kjo mund të jetë një ekspozitë pasi mund të jetë hapësirë e vogël, por ne kemi nisur me kaq,  mund të përqafojë rrëfime të tjera”, ka thënë Hoxha. Ekspozita shihet se ka dorën e saj pasi qëndron brenda koncepteve të saj artistike të punuara edhe më herët. E arrin efektin e synuar, ndjeshmërinë. 

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, si funksionare e shtetit ishte marrë shumë me të mbijetuarit e dhunës seksuale. Edhe pas përfundimit të detyrës nuk i është ndarë kësaj kauze. Është zëri më i fuqishëm për të mbijetuarit. 

“Jam e lumtur pasi sot po hapim dyert e një hapësirë që do të shërbejë si një gur themeltar në ndërtimin e kujtesës sonë kolektive. Muzeu është një dëshmi e vuajtjes së atyre që për një kohë të gjatë janë lënë në harresë. Kjo hapësirë është më shumë se një muze. Është një amanet që ua lëmë brezave që vijnë pas nesh”, ka thënë ajo. Sipas Jahjagës, hapësira përfaqëson sakrificën, durimin dhe qëndresën e një grupi njerëzish trupat e të cilëve u shndërruan në fushëbetejë gjatë luftës. Ka thënë se ata dhe ato nuk ishin vetëm viktima, por heronjtë e heshtur të historisë së Kosovës. 

Në dhomën e tretë artefaktet flasin me kohë e vend, përderisa historitë e treguara janë varur në dhomën e katërt që quhet edhe “Dhoma e kurajës”

“Më rëndon zemra kur mendoj për ata dhe ato që kanë marrë me vete këtë barrë në varre. Muzeu është një reflektim i përgjegjësisë kolektive jo vetëm për të njohur të shkuarën, por edhe për të mësuar prej saj”, ka thënë Jahjaga. Sipas saj, Muzeu nuk është vetëm për të mbijetuarit, por është për të gjithë. “Është për shoqërinë tonë të kuptojë se dhimbja e të mbijetuarve nuk është një histori individuale, por histori kolektive”, ka thënë ajo. Ka bërë thirrje që Muzeu të jetë pjesë e rrjetit muzeor në Kosovë. Për këtë edhe ka marrë një garanci verbale nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. 

Ai ka thënë se momenti i inaugurimit të kësaj hapësire shpreson që të shndërrohet në një monument të kujtesës dhe rezistencës. 

“Kjo hapësirë krijon një hap domethënës drejt asaj se çfarë duhet të bëjmë bashkë në të ardhmen duke integruar këtë hapësirë muzeale në një koncept më të gjerë të një muzeu të krimeve të luftës ose të gjenocidit, ku dokumentohet në mënyrën më të mirë e kaluara jonë e afërt dhe gjenocidi që ka ndodhur në vendin tonë”, ka thënë ai. 

Projekti është përkrahur nga Ambasada e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë. Ambasadori Jörn Rohde ka thënë se viktimat ishin të shumta e të kulturave e nacionaliteteve të ndryshme. Sipas tij, e kaluara duhet të kujtohet dhe drejtësia duhet të veprojë. 

“Me këtë hap Kosova po ndërmerr një hap të madh të përballjes me të kaluarën dhe në promovim të pajtimit. Ne duhet të flasim për krimet dhe krimet e luftës që kanë ndodhur këtu dhe duhet të sigurohemi dhe dhunuesit duhet të dalin para drejtësisë”, ka thënë Rohde. 

Muzeu është nismë e konkretizim i fondacionit “Jahjaga” që udhëhiqet nga ish-presidentja Atifete Jahjaga

Vend emocional hapësirat i përshkruan kryetari i Prishtinës, Përparim Rama. Sipas tij, është po ashtu vend reflektues e shërues. 

“Si shoqëri duhet të reflektojmë mbi të kaluarën. Proceset nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë kanë qenë traumatike e tragjike. Traumat kanë qenë të mëdha dhe edhe sot anëtarë të shoqërisë sonë i ndiejnë në të gjitha dhomat e këtij instalacioni”, ka thënë ai. 

Muzeu gjendet aty ku e ka selinë fondacioni “Jahjaga” në ndërtesën e ndërmarrjes publike “Sport marketing”, në një pjesë të së cilës funksionon edhe Filharmonia e Kosovës. As Muzeu e as Filharmonia s’e kanë vendin aty shkaku i hapësirës së ngushtë. Por, arti e institucionet artistike në Kosovë janë skutave. E pavarësisht kësaj, “Çast” është prej muzeve të përballjes me të kaluarën që duhet parë nga gjithsecili. Është pikë ku tregohen rrëfimet më të trishta të luftës së fundit në Kosovë.