Me një skenë me perimetër që sheshi “Skënderbeu” nuk i ka bërë nikoqirllëk më herët sa u përket përmasave, premiera e veprës ikonike “Carmina Burana” ka mbledhur 2000 veta brenda “sallës koncertale” në ambient të hapur. Filharmonia e Kosovës ka bërë bashkë 280 veta në skenë për interpretimin e një prej veprave të njohura të muzikës klasike, “Carmina Buarana”. Të dielën mbrëma sheshi qendror i kryeqytetit ka ngjarë në një ambient evropian, ku muzika klasike dëgjohet për shekuj të tërë. Organizatorët bashkë me interpretuesit e publikun e kanë vlerësuar krejt këtë si një potencial të madh të vendit, e po ashtu edhe një provë të interesimit për koncerte të tilla
Në një qytet ku aktivitetet kulturore, sidomos ato të muzikës, mbahen “skutave”, as nuk mund të krijohet perceptim real për interesimin që zgjon një ngjarje. Filharmonia e Kosovës për më shumë se dy dekada iu bën vend koncerteve në hapësirat e Pallatit të Rinisë, në objekte kulti a qendra që lidhen me to. Asnjëherë s’mund të testojë saktë interesimin e publikut. Por edhe për këtë ka gjetur një mënyrë. Tashmë ka nisur të shndërrohet në traditë mbyllja e sezonit me një koncert në ambient të hapur në qendër të kryeqytetit. E kur flitet për interesim të publikut, pamjet flasin vetë.
Me një skenë me perimetër që sheshi “Skënderbeu” nuk i ka bërë nikoqirllëk më herët sa u përket përmasave, “pulsi” është matur qysh në shtunën në prova. Për shumicën e kalimtarëve ka qenë e pashmangshme ndalja për pak minuta e për disa edhe realizimi i fotografive a videove. Kurse e diela është rrëfim më vete. Premiera e veprës ikonike “Carmina Burana” qe e paralajmëruar për orën 20:00. Më shumë se gjysma e biletave janë rezervuar deri të shtunën. Kurse e diela paradite veç ia ka vënë pikën kapacitetit për pritjen e publikut. Karriget kanë filluar të mbushen qysh prej orës 19:00. Bile edhe ata që nuk ia kanë dalë të presin biletën, kanë zënë vendet përreth barrikadave e edhe në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që kanë luajtur rolin e një hapësire të amfiteatrit.
Fiks 2000 veta janë akomoduar brenda “sallës koncertale” në ambient të hapur deri pak minuta pas orës 20:00. Mosha të ndryshme kanë pritur që muzikantët të dalin në skenë për t’u prirë nga dirigjenti Toshio Yanagisawa. Nga diskutimet që janë bërë midis të pranishmëve para se të nisë koncerti, është folur për një pamje evropiane midis Prishtinës. Entuziazmi veç sa është rritur kur skena ka nisur të mbushet me 280 muzikantë, përfshirë Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Pejës e dy herë në skenë është ngjitur edhe kori i fëmijëve “Okarina” nga Prishtina.
Kur dirigjenti japonez, Toshio Yanagisawa, ka dhënë shenjë që të nisë koncerti dhe dritat janë pozicionuar për të nxjerrë në pah krejt madhështinë vizive, një pjesë e mirë e publikut nuk është përmbajtur pa përdorur telefonat mobilë për të përjetësuar pamjet e po ashtu për të bërë me dije në rrjete sociale se krejt kjo po ndodh në Prishtinë.
Vepra e kompozuar nga gjermani Carl Orff e bazuar në një koleksion këngësh e poemash mesjetare të zbuluara në Beuren të Bavarisë flet për jetën, fatin, stinët e çka jo tjetër. Poemave në latinisht e gjermanisht kuptim të plotë iu ka dhënë kompozitori Carl Orff (1895-1982). Ishin vitet 1935 dhe 1936 kur Orff punoi për t’i dhënë botës së muzikës klasike një prej veprave më të rëndësishme. Kantata është luajtur në qendra të rëndësishme botërore sa i përket muzikës klasike. E në Prishtinë ka pasur premierën madhështore, siç edhe, sipas muzikantëve, duhet ta ketë një vepër e tillë. Me profesionistë në skenë, publiku ka nisur rrugëtimin unik e shumëngjyrësh muzikor duke shëtitur në zhanre të ndryshme që janë kombinuar nga Orff. Shkaku i përmasave të veprës, atyre estetike e madhështisë së një “Open air concert”, publiku ka duartrokitur shpesh gjatë interpretimit të Kantatës. Madhështia është rritur edhe më kur terri ka filluar t’ia marrë anën dritës. E në këtë kohë edhe muzika ka nisur të jetë edhe më ritmike, duke bërë që drama të shkojë në tjetër nivel.
Sopranot Adelina Paloja e Arta Jashari bashkë me kontra-tenorin Safet Berisha e baritonin Xhemil Rexhepi si solistë u kanë prirë kolegëve të tyre në kor.
“Një ndjenjë e jashtëzakonshme. Të interpretojmë një vepër maestrale, kaq madhështore me gjithë këta artistë në skenë, me energjinë e jashtëzakonshme të dirigjentit, me impenjim të jashtëzakonshëm të të gjithëve, vërtet ka qenë madhështore. Aq më tepër kur krejt kjo rezultoi me interpretim të rreth 3 mijë vetave që kishim përballë dhe kjo ia dha edhe atë ngjyrosjen emotive e finale që i duhet një interpretimi të këtyre përmasave”, ka thënë Paloja.

Është koncerti që publiku do ta përjetonte fiks para dy vjetësh nëse pandemia nuk do ta izolonte botën më 2020. Qe planifikuar të mbahej për 20-vjetorin e themelimit të Filharmonisë së Kosovës si institucioni kryesor i muzikës në vend. Është koncerti më i madh i organizuar ndonjëherë nga Filharmonia, e cila nuk ka ndërtesë të veten e as një sallë koncertale ku do të interpretonte siç ndodh rëndom jo veç në botë, por edhe në vendet e rajonit. Për krejt këtë organizim, drejtori i Filharmonisë, Baki Jashari, dhe menaxheri i këtij institucioni, Dardan Selimaj, kanë nisur organizimin kaherë.
“Performanca ishte jashtëzakonisht në nivel. Në dy javët e fundit të përgatitjes ka qenë edhe dirigjenti këtu. Ka përgatitur të gjithë dhe ka dalë një performancë për lakmi. Na gëzon shumë numri i madh i publikut, dhe kjo tregon se Filharmonia ka nevojë për sallë koncertale”, ka thënë drejtori Baki Jashari.
Popullaritetin më të madh botërisht e gëzon një prej poemave të veprës. “O Fortuna” njihet gjithandej, pasi është përdorur në shumë filma e projekte të tjera. Po ashtu, është një prej poemave që shoqërohet edhe me muzikë ritmike që flet për fatin nga perspektiva të ndryshme. Vjen si ankesë për fatin e paepur që sundon perënditë dhe të vdekshmit në mitologjinë romake dhe greke. U vu në skenë për herë të parë nga Opera e Frankfurtit më 8 qershor 1937, dy vjet para se fati i gjithë globit të merrte një tatëpjetë të madhe shkaku i Luftës së dytë Botërore. “O Fortuna” hapet me një ritëm me daulle dhe kor, por që bie shpejt në një pëshpëritje, duke nisur që ngadalë të inkuadrohen edhe instrumente të tjera duke krijuar melodi rrëmbyese nëpërmjet notave të shkurtra. Por krejt në fund krijohet ndjesia sikur fati triumfon në të mirë, pasi gjatë veprës gjatë gjithë kohës krejt “drama” është e mjegullt. Krejt kjo ka bërë që publiku të rrëmbehet nga duartrokitjet.
“Ishte ngjarje që të bën të ndihesh krenar me vendin tënd. Si njerëz që jemi shpesh kemi luhatjet tona në raport me gjithçka, por ky koncert është një prej atyre pikave që të bën ta duash këtë vendin dhe të besosh në potencialin e njerëzve tanë”, ka thënë A. Gashi (30) pas koncertit që është mbajtur në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, ku të pranishëm ishin edhe kryetari Përparim Rama e kryeministri Albin Kurti.
Dirigjenti japonez Toshio Yanagisawa ka thënë se i është mirënjohës secilit muzikant pasi ishin në nivel tejet të lartë. “Kam pak frikë nga koncertet në ambiente të hapura shkaku i zhurmës potenciale e motit. Por sonte ishte më të vërtetë fantastike”, ka thënë ai. Nuk është ndalur me kaq. Ka pasur një thirrje edhe për shtetin e tij. “Dua t’ju them japonezëve: bëjeni këtë koncert kështu në Japoni”, ka thënë ai. Prishtina të paktën për një orë e gjysmë ka reflektuar njëlloj sikurse kryeqendrat evropiane. Aso kryeqendre ku një koncert i muzikës klasike mbledh mijëra njerëz, e për ironi institucioni që e ka organizuar nuk ka shtëpi të veten a as vend për të interpretuar.