Kulturë

Carlos Ruiz Zafón – rrëfimtari që ringjalli romanin gotik

Carlos Ruiz Zafón, autori spanjoll i romaneve ndërkombëtare bestsellerë, përfshirë “The Shadow of the Wind”, ka vdekur në moshën 55-vjeçare. Romansieri, që është përshkruar shpesh si më i lexuari autor spanjoll që prej Cervantesit, ka vdekur të premten në shtëpinë e tij në Los Angeles, ka bërë të ditur botuesi i tij “Planeta”. Sipas njoftimeve në gjuhën spanjolle, Ruiz Zafón është diagnostikuar me kancer në zorrë më 2018.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka shkruar në Twitter: “Ne humbëm një prej shkrimtarëve më të lexuar e më të admiruar spanjollë në botë. Carlos Ruiz Zafón, një shkrimtar kryesor i epokës sonë, ka dhënë një kontribut domethënës në letërsinë bashkëkohore”.

Duke e quajtur atë si “një nga romansierët më të mirë bashkëkohorë”, “Planeta” ka cituar nga libri i tij më i njohur, “The Shadow of the Wind”, një triler letrar mbi një librari me tituj të përçudshëm: “Secili libër, secili vëllim që shihni këtu, ka shpirt. Shpirti i personit që e shkroi atë dhe atyre që e lexuan jetuan dhe ëndërruan me të”. Botuesi i tij në gjuhën angleze “Weidenfeld & Nicolson” ka thënë se ishte “thellësisht i trishtuar të dëgjonte për ikjen e Carlosit”.

Autor i tetë romaneve që përfshijnë edhe tituj si “The Angel’s Game” dhe “The Labyrinth of the Spirits”, librat e Ruiz Zafónit të shitura në më shumë se 38 milionë kopje gjithandej botës janë përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë duke i sjellë atij çmime të shumëfishta.

I lindur në Barcelonë, Ruiz Zafón ka punuar në marketing para se të debutonte më 1993 si autor i romanit për të rinj “The Prince of Mist”. Më 2001 ai ka botuar “The Shadow of the Wind”, me një djalosh të quajtur Daniel, që është dërguar në Varrezën e Librave të Humbur në Barcelonë dhe fandakset nga autori Julian Carax dhe figurat si hije që orvaten të zhdukin secilën kopje të librave të Caraxit. Romani qe përkthyer në anglisht nga Lucia Graves më 2004, dhe kështu u bë hit ndërkombëtar.

“Nëse keni menduar se romani i vërtetë gotik ka vdekur në shekullin e 19-të, ky do t’ju bëjë të ndërroni mendjen”, kishte thënë Stephen King në një recension. “Hija është çështja e vërtetë, një roman plot me shkëlqim të ligshtë dhe dyer kërcëllitëse, një roman ku edhe nënngjarjet kanë nënngjarje”.