Kulturë

“Calefax Reed Quintet” në “ReMusica” kulmon me tingujt e natyrës

Vepra baroku e romantike kanë qenë intro deri te kulmimi, një zbërthim muzikor i rrëfimit prej natyrës dhe koncerti i “Calefax Reed Quintet” është përshtatur me moton e “ReMusicas” së sivjetme që i dedikohet shëndetit mendor dhe kujdesit ndaj tokës

Ka qenë një lloj rrëfimi për natyrën thurur me tinguj muzikorë ai që ka sjellë “Calefax Reed Quintet” me koncertin që ka hapur edicionin e 22-të të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”. Përbërja është krejt e veçantë: kombinon obonë e cila vjen nën mjeshtërinë e Oliver Boekhoorn, klarinetën e Ivar Berixit, saksofonin e Raaf Hekkema, bas-klarinetën e Jelte Althuis dhe fagotin e Alban Weslyt. Kuinteti me traditë prej tridhjetë e pesë vjetësh erdhi në skenë në një formë krejt të veçantë. Tingujt e instrumenteve frymore nisën të vinin prapa shpinës së shikuesve, teksa muzikantët hynin nga anë të ndryshme të Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë, të mërkurën mbrëma. Koncerti ka nisur me tingujt tradicionalë të “Suitës rumune” të kompozuar nga saksofonisti i kuintetit Raaf Hekkema. Vepra shquhet nga ritme të shpejta e nuanca të forta të muzikës tradicionale rumune, por që ka diçka edhe të modernes. Mënyra e orkestrimit të saj është e tillë, që i jep hapësirë secilit muzikant të tregojë individualitetin e vet. Kjo ndihmoi edhe publikun ta kuptojë veçantinë e secilit prej këtyre pesë instrumenteve frymore. Teksa bas-klarineti sjell timbër të mbyllur, ndërsa fagoti tinguj si zëra tenorësh, oboa e klarineta vijnë më thellë e më kthjellët. Saksofoni në anën tjetër është ai që kap notat e një oktave më të lartë se instrumentet e tjera.

Mbrëmja vazhdoi me tingujt e stilit barok të veprës “Capariccio” të kompozitorit gjermano-britanik, Georg Frideric Händel Capariccio për të sjellë më pas tingujt romantikë të veprës “Waldszenen” nga njeri prej kompozitorëve më të shquar të kësaj periudhe, Robert Schumann.

Por ajo që mori më së shumti vëmendjen e publikut ishte vepra e kompozitores Carola Bauckholt, “Zugvögel”. Siç bëri të ditur përfaqësuesi i grupit, fagoisti Alban Eesly, autorja Bauckholt kishte pasion zërat e zogjve dhe kështu kishte dashur të krijonte tingujt e tyre. Nisur nga kjo, ajo u kishte sjellë atyre disa incizime ku dëgjoheshin me cicërima qindra zogjsh dhe kishte kërkuar nga ta që të përpiqeshin të krijonin ndonjëri prej tyre. Teksa performonte këtë vepër, ansambli holandez solli në sallë një laramani tingujsh të zogjve të llojllojtë, dhe kaq mjaftoi që të ofrohej mundësia për arratisje në hapësirat e dendura malore. Përveç me anë të instrumenteve, anëtarët e kuintetit kanë luajtur edhe me trupat e instrumenteve.

Koncerti i hapjes së “ReMusicas” u shoqërua edhe me një performancë. Karshi motos së këtij edicioni i cili synon kujdesin e shëndetit mendor dhe kujdesin ndaj tokës, me një performancë të shkurtër u paraqit artistja e arteve performuese, Agnes Nokshiqi. Veshur me kostum prej engjëlli, ajo eci ngadalë nëpër hapësirën kur pritej të performonin artistët, teksa në sfond dëgjohej një zë që fliste për rëndësinë e shëndetit mendor.

Sikurse u dëshmua edhe në koncertin që hapi këtë edicion, “ReMusica” kësaj here ka në fokus instrumentet frymore, gjë e cila i shkon përshtat motos “Inhale-Exhale”. Teksa ka folur për insistimin e organizatorëve për të sjellë në Kosovë ansamblin “Calefax”, drejtoresha artistike e Festivalit, Donika Rudi, ka folur edhe për moton e këtij viti. Ka thënë se ky edicion i kushtohet shëndetit mendor dhe kujdesit ndaj tokës.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur për këtë fillim. Kemi një numër të madh të aktiviteteve të cilat do të ndodhin gjatë këtyre 20 ditëve. Kemi 200 pjesëmarrës këtë vit, duke nisur nga ansambli frymor nga Holanda ‘Calefax’ për çka jemi të nderuar që e kemi këtë ansambël, meqenëse ndër vite kemi qenë në bisedime për këtë natë dhe ja ku jemi. Këtë vit ‘ReMusica’ fokusin e ka në shëndetin mendor, në kujdesin ndaj vetes dhe po ashtu kujdesin ndaj tokës dhe ndërtimin e raporteve dhe kemi menduar që përmes motos së sivjetme ‘Inhale, Exhale’ të dhurojmë pak qetësi dhe kohë për secilin, për veten, para së gjithash, natyrisht dhe për tjetrin”, ka thënë Rudi.

Image
Tingujt e instrumenteve frymore nisën të vinin prapa shpinës së shikuesve, teksa muzikantët hynin nga anë të ndryshme të Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë, të mërkurën mbrëma (Foto: Rrahman Osmani)

Në rolin e organizatores, Rudi ka folur për rrugëtimin prej më shumë se dy dekadash teksa ka shpalosur edhe disa nga veçantitë e këtij edicioni. Ka përmendur disa nga të ftuarit, përfshirë edhe orkestrën e Bashkimit Evropian.

“Udhëtimi ynë gjatë këtyre 20 ditëve do të përshkojë dhe do të ketë një mori aktivitetesh si koncerte, diskutime, masterclasse, biseda artistësh, program për fëmijë ‘Remusica Junior’ e kështu, duke përfunduar me 23, ku do të keni rast të dëgjoni orkestrën e BE-së me një numër prej 50 instrumentistësh që do të vijnë këtu direkt në Sallën e Kuqe”, ka thënë Rudi.

Fagotisti i grupit Alban Wesly është shprehur i lumtur që, pas diskutimeve të vazhdueshme prej një dekade, më në fund kanë arritur të performojnë në Kosovë. Ai ka thënë se shpreson se do rikthehet.

“Ishte dhjetë vjet më parë kur filluam të kemi kontakte me babanë e Donika Rudit, (kompozitorin e dirigjentin, Rafet Rudi v.j.). Më në fund pas dhjetë vjetësh ia dolëm të dakordohemi dhe kjo është një gjë shumë e veçantë për mua. Mendoj se vendi ka ndryshuar shumë në dhjetë vjet. Do të doja ta kisha parë dhjetë vjet më parë, por shpresoj ta shoh përsëri në të ardhmen. E di që vendi është në transicion dhe më ka lënë shumë përshtypje”, ka thënë ai.

Oboisti Oliver Boekhoorn ka treguar për rrugëtimin dhe punën e ekipit në krijimin e veprës “Zugvögel”. Vepra zgjat rreth pesë minuta dhe krijohet pothuajse plotësisht me tinguj të ndryshëm të zogjve.

“Ne e kemi luajtur këtë vepër në shumë vende, sepse me të vërtetë e duam shumë këtë vepër. Ajo është shkruar nga Carola Bauckholt dhe kemi punuar shumë me të vetëm që të gjejmë këta tinguj në instrumente. Ajo thoshte: ‘Është ky zë. A mund ta imitoni?’ kështu që ne u përpoqëm dhe nëse nuk isha unë i mirë në këtë imitim specifik ajo vazhdonte te instrumentet e tjera. Ne gjetëm të paktën 30-40 zëra zogjsh të ndryshëm për t’i imituar”, ka treguar ai.

Përveç oboas, Boekhoorn shpesh luan edhe në bori angleze dhe një zhvendosje të tillë shpesh e bën edhe brenda një vepre specifike. Pavarësisht kësaj, mjeshtëria e tij në këto dy instrumente bën që kjo lëvizje të mos vihet re në ritmet që krijon.

“Është diçka që mua më pëlqen të bëj. Për mua është një gjë që e bëj automatikisht dhe ashtu edhe luaj. Nuk mund të zgjedh midis këtyre të dyjave. Karakteri i tyre është mjaft i ndryshëm. Nëse duam një zë më të thellë e marr bririn anglez, por ndonjëherë kur tingulli duhet të jetë më i kthjellët atëherë e marr oboan. Kështu që varet se çfarë vepre luajmë”, ka shpjeguar ai.

I pranishëm në sallë ishte edhe violinisti i njohur Visar Kuçi, i cili ka theksuar përbërjen e ansamblit. Në rolin e muzikantit Kuçi ka vlerësuar lart edhe profesionalizmin dhe përzgjedhjen e programit.

“Një koncert fantastik. Një përzgjedhje shumë e mirë e programit. Kuinteti ka qenë i jashtëzakonshëm. Domethënë jo vetëm i jashtëzakonshëm në performancë, por edhe si informacion që nuk ekziston, si diçka tejet e veçantë. Publiku i Prishtinës pati rastin të dëgjojë një koncert të tillë. Për këtë duhet t’i falënderohemi ‘ReMusicas’ dhe t’u urojmë suksese në edicionin e njëzet e dytë”, ka thënë ai.

Koncertin e ka veçuar edhe mexosopranoja Diellza Sylejmani .

“E shijova shumë me të thënë të drejtën dhe çdo tingull i ansamblit që ishte sonte më pëlqeu, kështu që e shijova në maksimum këtë koncert të sotëm”, ka thënë ajo. “ReMusica” do të vazhdojë aktivitetin e saj deri më 23 maj.