Kulturë

Byreku i traditës 80-vjeçare

Ka mbushur dekadën e tetë të traditës. Byrektorja “Emini” në Prishtinë ka përcjellë katër gjenerata që janë marrë me këtë zanat. 

Nga Brodi i Dragashit së pari në Prishtinë erdhën vëllezërit Gjylderen. Në vitin 1939 e hapën byrektoren e parë, atëkohë në lagjen qendrore të qytetit, që njihet si “4 Llullat”. Historia e familjes është e lidhur vetëm me punën, shkruan sot Koha Ditore.

Emin Gjylderen, që është brezi i katërt, e që në fakt mban emrin e gjyshit të tij, i rrëfen në pika të shkurtra lidhjen dhe mbijetesën me këtë zanat. I tregon edhe specifikat e veçantitë e byrekut, të cilin tradita dhe shija e bëjnë ndër më të kërkuarit në kryeqytet. 

Gjylderen e ka formulën për ta ruajtur traditën.

Tradita e një biznesi familjar

Në një të marte, në kushte normale ditë pune, paraditja vlon me myshterinj. Por në të martën e 9 prillit, që në kalendarin e festave zyrtare njihet si Dita e Kushtetutës, i bie që të jetë ditë pushimi. 

Prandaj, Emin Gjylderen ka kohë që të ulet për të rrëfyer për historinë e byrekut të tij. Modestia nuk e lë që të fotografohet. Por kjo s’e pengon që të kthehet në “fotografinë” e familjes. “Stërgjyshi im, Qazim Gjylderen, bashkë me tre vëllezërit e tij kanë ardhur në Prishtinë në vitin 1939. E kanë hapur dugojën e parë te Xhamia e Katër Llullave”, thotë Gjylderen. 

“Prishtina atëherë ka qenë e vogël, me shumë pak dugoja”, shton më tej. Siç e kujton, edhe dyqani ku ata e kanë nisur veprimtarinë, ka qenë fare i vogël. Por vëllezërit Gjylderen kanë shitur byrekë edhe jashtë dyqanit të tyre.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

{gallery}