Kulturë

“Buzuku” që theu akullin e bëri traditë në botimet shqiptare

Duke e shënuar tridhjetëvjetorin jubilar të themelimit, shtëpia botuese “Buzuku” është vlerësuar për rolin e saj në promovimin e letërsisë shqipe, si tradicionale ashtu edhe bashkëkohore. Si e para ndërmarrje private botuese në botën shqiptare, ajo ka sjellë ndër vite për lexuesit shqiptarë ata që ishin ndaluar për gjysmëshekulli. Me ndarje çmimesh për shtatë letrarë nga Kosova, Shqipëria e diaspora, “Buzuku” ka vijuar traditën e konkurseve, me synimin për të botuar romane të reja. Me 22 tekste të marra në shqyrtim, juria ka vendosur që çmimin e parë të këtij konkursi t’ia akordojë shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit nga Shqipëria, Besnik Mustafaj, për romanin e tij në dorëshkrim “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin (Conarium)”

Deri asokohe pjesa më e madhe e botimeve shqip bëheshin prej ndërmarrjeve shtetërore si “Rilindja” në Kosovë e “8 Nëntori” në Shqipëri. Por në vitin 1990 në Prishtinë do të themelohej shtëpia botuese “Buzuku”, e cila që në botimet e para do të sillte para lexuesit shkrimtarë të ndaluar e të anatemuar si: Faik Konica, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Musine Kokalari, Kasëm Trebeshina e të tjerë.

Me një stivë prurjesh të vitpasvitshme, mbi 700 tituj nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj do të pasuronin fondin e bibliotekave dhe librarive.

Në 30-vjetorin jubilar të themelimit, shtëpia botuese “Buzuku”, përmes konkursit për roman, ka laureuar me çmime një dyzinë shkrimtarësh nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora.

Në ceremoninë e mbajtur të martën në hotel “Opera” në kryeqytet, kjo shtëpi botuese ka evokuar tri dekada të ekzistencës së saj në botime librash midis sfidash e vështirësish gjithfarësh.

Zeneli: “Letërsia origjinale e bën të madhe një kulturë”

Duke folur mbi misionin në fushën e botimeve, themeluesi dhe drejtori Abdullah Zeneli ka thënë se ndër vite kanë pasur një vizion e përkushtim për të nxitur kompeticion brenda letërsisë.

“Synimi ynë, nëpërmjet këtij konkursi, ka qenë dhe është për të stimuluar një veprimtari letrare që kudo në botën e qytetëruar ka dhënë rezultate”, ka thënë Zeneli.

Sipas tij, është letërsia që e bën bashkë një kulturë e një popull të ndarë.
“Për ‘Buzukun’ nuk është letërsia e huaj, por ajo origjinale shqipe që e bën të madhe një kulturë e një popull të shpërndarë në disa shtete”.

Me këtë rast, Zeneli është kthyer pas në kohë duke evokuar momentin kur kishte mësyrë me idenë e tij për një shtëpi botuese që të mbante emrin e të parit shkronjës të gjuhës shqipe, Gjon Buzuku. Madje, sipas tij, këtë emër nuk e mbante deri asokohe asnjë institucion në botën shqiptare.

“Ndaj dikush duhej ta thyente akullin, por edhe ta dëshmonte veten duke sjellë cilësi”, ka shtuar Zeneli.

Studiuesi dhe kritiku letrar Behar Gjoka – që ka kryesuar jurinë e konkursit që kishte në përbërje Anila Xhekaliun dhe Dan Ibrahimin – ka thënë se komunikimi më i mirë shpirtëror e moral është ai që vjen nga arti e letërsia. Kështu, sipas tij, “Buzuku” është i pari botues privat në hapësirat shqiptare që theu akujt e kufizimeve.
“Kjo shtëpi botuese vërtet ka guxuar të luajë me zjarrin, sepse të hysh në dialog me autorin shqiptar nuk është edhe aq e lehtë”, ka thënë Gjoka.

Romani i Mustafajt “narracion i veçantë”

Me 22 tekste të marra në shqyrtim, juria ka vendosur që çmimin e parë të këtij konkursi t’ia akordojë shkrimtarit, përkthyesit dhe publicistit nga Shqipëria, Besnik Mustafaj, për romanin e tij në dorëshkrim “366 rrëfenja për të ndjellur gjumin (Conarium)”.

Sipas vlerësimit të jurisë, ky çmim është ndarë me motivacionin për “stilin, tematikën, lojën me kohën dhe hapësirën, narracionin krejt të veçantë në romanin e sotëm shqiptar”.

Duke pranuar këtë çmimin, shkrimtari 63-vjeçar ka thënë se është hera e parë që po vlerësohet për një roman në dorëshkrim.

“Në përvojën time si shkrimtar, është një gjë e re që më vjen nga kjo shtëpi botuese që është themeluese e editorisë shqiptare”, ka thënë Mustafaj, teksa ka shtuar se shpreson që pas çmimit t’i hapet rruga drejt lexuesit përmes botimit të këtij romani.

Larushi stilesh e diskursesh

Në vazhdim, çmimi i dytë i konkursit ka shkuar për shkrimtarin Shkëlzen Marevci për romanin “Terror e dashuri”, i cili, sipas jurisë, është ndarë me motivacionin për “shtjellimin psikologjik e letrar të temës së terrorizimit, si klithmë e pazakontë për humanizmin”.

Po kështu, çmimi i dytë ka shkuar edhe për romanin “Lulja e hidhur” të autorit Biser Mehmeti. Sipas jurisë, ky libri i tij është vlerësuar për “diskursin modern të shkrimit, për figurimin e thelluar dhe dramën ekzistenciale të personazheve”.

Gjithnjë sipas vendimit të jurisë, çmimi i tretë është akorduar për shkrimtaren Shqiponja Axhami-Trota me romanin e saj “Fundi i Uskanës” e që, sipas jurisë, është vlerësuar me motivacionin për “origjinalitetin e rrëfimit, psikologjinë e zbërthyer të personazheve, përmes një mendësie urbane”.

Po kështu, çmimi i tretë i është ndarë edhe autorit Nexhat Çoçaj për romanin “Të gjallë e të vdekur në një varr” (i vlerësuar nga juria për “procedeun rrëqethës të luftës së fundit, kronikës jetësore që vjen e letrarizuar”), si dhe Jetlira B. Avdiaj për romanin “Bija e Antarktidës” (e vlerësuar me motivacionin “Realja dhe imagjinarja, si një simbiozë e prozës moderne, rrethi i ngushtë dhe bota e madhe e personazheve”).

Ceremonia e ndarjes së çmimeve është përmbyllur me çmimin special për autorin shqiptar që jeton në New York, Roland Gjoza, për romanin “Naomi” me motivacionin për “stilin unik, natyrshmërinë dhe larminë rrëfimore, destines njerëzore dhe përmasash kozmopolite”.

Minxhozi: “Letërsia, një bashkudhëtare e përjetshme”

Fituesve dhe të pranishmëve në sallë iu është drejtuar me një fjalë rasti edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemajl Minxhozi. Me këtë rast ai ka shprehur kënaqësinë që ky aktivitet po rritet nga viti në vit.

“Falënderoj më së shumti politikanin, diplomatin dhe krijuesin Besnik Mustafaj që i tradhtoi dy profesionet e para, kurse me të fundit po vdes”, ka thënë Minxhozi. “Krijimtaria artistike është bashkudhëtarja e tij që disa dekada. Kjo është dëshmi që arti prevalon mbi politikën e gjithçka tjetër, sepse njerëzit kanë nevojë të dinë çfarë thotë letërsia për jetën”.

Berisha: “Një traditë origjinale”

Në anën tjetër, studiuesi i letërsisë dhe përkthyesi Anton Nikë Berisha ka përgëzuar shtëpinë botuese “Buzuku” për traditën e saj tashmë të dëshmuar. Sipas tij, një shtëpi botuese që nuk ka një koncept të qartë mbetet në vendnumëro.

“Të botoje Koliqin, Camajn e Trebeshinën kërkonte një guxim të madh për kohën”, ka thënë ai.

Profesor Berisha, po ashtu, ka vlerësuar që kjo shtëpi botuese zgjodhi për emër Gjon Buzukun që, sipas tij, “Mesharin” nuk e përktheu, por e hartoi në mënyrë origjinale.

“Ky emër na bën të kujtojmë se kemi një bazë të mirë e cila ka në vete një vepër origjinale”, ka shtuar Berisha.

Në fund, Zeneli në emër të shtëpisë botuese “Buzuku” i ka siguruar fituesit e çmimeve të konkurseve se romanet e tyre do të botohen në një të ardhme të afërt.

“Një trashëgimi frymëzuese”

Pas shkatërrimit të ndërmarrjes botuese “Rilindja” nga pushtuesi serb, shtëpia botuese “Buzuku” kishte qenë nga të parat nisma private në industrinë e librit në gjithë botën shqiptare.

Pikërisht kjo kishte qenë arsyeja kur në tetor të vitit të kaluar presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e kishte dekoruar me titullin “Naim Frashëri”. Sipas arsyetimit presidencial, “Buzuku” ka dhënë kontribut të çmuar në promovimin e shumë thesareve të letërsisë së traditës dhe asaj bashkëkohore.

“Një faqe veçanërisht e merituar në veprimtarinë botuese të ‘Buzukut’ shënohet me gjurmimin dhe nxjerrjen në dritë të shkrimtarëve shqiptarë, si në Prishtinë edhe në Tiranë, të mohuar me dekada nga censura politike për shkak të ideve të tyre”, kishte thënë me këtë rast presidenti Meta. “Kjo punë e madhe dhe në kushte shumë të vështira në shërbim të kulturës shqiptare si një e tërë, përtej ndasisë së kufijve shtetërorë, i vendos z.Abdullah Zenelin dhe ekipin e ‘Buzukut’ në trashëgiminë frymëzuese të Rilindjes sonë Kombëtare”.