Tre vjet më parë “Kultura për ndryshim” kishte filluar si shpresë për skenën e pavarur kulturore në Kosovë. Me përkrahjen e dhjetëra organizatave dhe operatorëve kulturorë, ky projekt i financuar nga Bashkimi Evropian kishte pasur ambicien që të përfshinte afro gjysmë milioni qytetarë duke iu ofruar atyre qasje në aktivitete kulturore.
Por ky rrugëtim i filluar me entuziazëm ka marrë papritur një kthesë kur gjendja me pandeminë e detyroi BE-në që fondet t’i prioritarizojë për emergjenca të tjera, teksa kulturën e ndjesoi si diçka luksoze.
Një reflektim kritik për sfidat e kaluara dhe ato të ardhshme është shpalosur paraditen e së martës në mjediset e teatrit “Oda” në kryeqytet me ngjarjen përmbyllëse të programit “Kultura për ndryshim” të organizuar nga qendra “Multimedia” dhe Goethe Institut.
Nëpërmjet një video-lidhjeje, shefi i sapoemëruar i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomasz Szunyog, ka folur për programin që filloi me synimin për mbështetjen e operatorëve kulturorë, si dhe komuniteteve të margjinalizuara. Sipas tij, Zyra e BE-së ka mbështetur prej vitesh aktivitetet e ndryshme që kanë begatuar ofertën kulturore.
“Jam i vetëdijshëm që sektori i kulturës dhe komuniteti artistik janë ballafaquar me shumë sprova, sidomos tash gjatë pandemisë”, ka thënë Szunyog teksa ka shtuar se kultura ka ndikuar që të zbuten efektet e izolimit përmes aktiviteteve online. “As nuk e imagjinojmë se si do të ishte jeta jonë pa aktivitete kulturore”, ka thënë, mes të tjerash, shefi i Zyrës së BE-së.
Ngjarjen e ka përshëndetur me një fjalë rasti edhe ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila ka thënë se institucioni që ajo drejton ka mbështetur ngritjen e kapaciteteve të operatorëve kulturorë në vend.
“Jemi me fat që kemi qendra si ‘Multimedia” që ka bërë një punë të shkëlqyeshme”, ka thënë ajo nëpërmjet një videolidhjeje të drejtpërdrejtë.
Ajo, po ashtu, ka thënë se synimi i Ministrisë është që, përmes mbështetjes, të krijohet një stabilitet financiar për organizatat kulturore të skenës së pavarur.
“Është një arritje e madhe bashkë me Zyrën e BE-së”, ka vlerësuar ndër të tjera Dumoshi.
E dramaturgu Jeton Neziraj, i cili drejton qendrën “Multimedia”, qysh në fillim të adresimit të tij paralajmëroi se fjala e tij nuk do të jetë në frymën optimiste dhe shpirtin festiv të kësaj ngjarjeje përmbyllëse.
Ai ka thënë se nuk do t’i përmendë të arriturat e programit “Kultura për ndryshim”, por faktin që vitin e ardhshëm nuk do të ketë një program të tillë dhe as buxhet të mjaftueshëm për kulturën.
“Vitin e ardhshëm, ky program i BE-së nuk do të ekzistojë më. Por edhe në rast se nismohet, burokracisë legjendare të BE-së do t’i duhet të paktën një vit, nëse jo më shumë, për të filluar zbatimin e tij”, ka thënë Neziraj.
Duke e quajtur si mungesë vizioni, ai ka thënë se BE-ja tani ka filluar t’u ngjasojë ministrive tona që, sipas tij, shtrojnë asfalte e ndërtojnë stadiume e shtëpi kulture.
“BE do të vazhdojë t’i mbështesë bujqit, bizneset e vogla, këtë ose atë grup, këtë ose atë ministri, drejtësinë apo policinë. Por jo edhe kulturën, sepse ajo ende shihet si luks”, ka shtuar Neizraj. “Dhe ky nuk është vend i luksit kulturor, por i emergjencave dhe nevojave të tjera politike, sociale, ekonomike e çka tjetër jo”.
Pjesa e dytë e ngjarjes ka vijuar me shpalosjen e një raporti për skenën kulturore në Kosovë të përgatitur nga autorët Davor Miskoviq dhe Teodor Celakoski.
Pas një përshkrimi të thuktë të gjendjes, ky raport hulumtues – që kishte për bazë dhjetëra intervista – është pasuar edhe me rekomandime për institucionet përgjegjëse të kulturës, veçmas aso për mënyrat e financimit të këtij sektori.
“Ne nuk deshëm të shkonim tepër larg me rekomandime, por me diçka që arrihet shpejt nëse ka resurse financiare”, ka shpjeguar Davor Miskoviq përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë.
Me 27 intervista që kishin shërbyer si bazë e të dhënave, raporti ka ofruar një analizë të peizazhit kulturor në Kosovë, me theks të veçantë lidhjen mes prodhimit kulturor dhe audiencës.
“Duhet të ketë një kategorizim të qartë të financimit të kulturës nga komunat dhe Ministria”, ka propozuar Miskoviq.
Duke shpalosur edhe gjetjet e tjera të raportit, ai ka vënë re se në Kosovë, njësoj si në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë, ka përpjekje për të rifunksionalizuar hapësira të ndryshme me qëllim të përdorimit të tyre për organizime kulturore.
Në vazhdim të ngjarjes, një panel diskutimi, i moderuar nga Arif Muharremi, ka sjellë perspektiva të reja të artistëve dhe përfaqësuesve të organizatave kulturore për sfidat e sivjetme të pandemisë.
Edis Galushi, aktivist i pavarur kulturor nga Prizreni, ka thënë se Prizreni shpesh përmendet si qytet i kulturës, porse me kalimin e kohës kjo emblemë është zbehur.
“Kjo ka ardhur nga përkrahja e brishtë financiare e skenës kulturore”, ka thënë Galushi. “Kultura po shihet si luks dhe diçka dytësore, përderisa po prioritarizohen gjëra të tjera”.
Fjolla Brisku nga qendra “Termokiss” ka thënë se kjo organizatë gjatë këtij viti ka zëvendësuar aktivitetet fizike me ato online. Ndër aktivitetet kryesore, që ishte përkrahur nga 30 vullnetarë, ishte edhe nisma për përdorimin e maskave për luftimin e pandemisë.
“Këto aktivitete kishin ndikim në mirëqenien e njerëzve gjatë kohës së pandemisë”, ka thënë Brisku teksa ka treguar se “Termokiss” kishte krijuar edhe klubin “Strofulli” kushtuar shëndetit mendor.
Kurse Rudina Hasimja nga fondacioni “Lumbardhi” ka vlerësuar se problemet e skenës kulturore nuk filluan me pandeminë pasi që, sipas saj, ato ekzistonin prej kohësh.
“Kjo gjendje vetëm se i theksoi problemet e vjetra, sidomos ankthin, nëse do të ketë paga për stafin”, ka thënë Hasimja. “Kjo pasiguri nuk të lë të mendosh rehat për programe më vizionare”.
Ngjarja është përmbyllur me shfaqjen e një dokumentari rreth 15-minutësh mbi programin “Kultura për ndryshim” me disa nga përfaqësuesit e organizatave kulturore që kanë përfituar mbështetje financiare nga ky projekt.