Emërtimi burrneshë, konsiderohet si kompliment për një grua që ka tipare që me sa duket u atribuohen meshkujve.
E vendosur, e besueshme, e fuqishme, asaj i besohet se është burrneshë, epitet ky që në kuptim të parë shihet si pozitiv, por ka edhe nuanca diskriminimi.
E “Burrneshat” është emërtimi ironik i zgjedhur për ekspozitën që paraqet diskriminimin që përjetojnë gratë, si dhe forcën që u duhet për të tejkaluar dhimbjet e pengesat e vazhdueshme dhe ndikimin e patriarkatit në jetën e secilës, raporton “Express” i KTV-së.
Përkundër burrave që gjithmonë janë konsideruar si personifikime të pastra të funksionit dhe intelektit, gratë gjithmonë janë karakterizuar me bukurinë, formën dhe emocionet.
Mungesa e inkuadrimit më të madh të grave në botën e artit si dhe në fusha të tjera, si rrjedhojë e pengesave që hasin ato, u protestuan nëpërmjet krijimit të vepra të shumta arti, të cilat tani janë të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Vepra e saj e quajtur Ofshamë, tërhoqi shumë vëmendje dhe nga pjesëmarrësit u cilësua si vepër e thellë që paraqet shumë gjendje shpirtërore.
Ndër veprat e tjera që paraqitën pozitën e gruas në shoqërinë kosovare ishte edhe videoja 30%, me anë të së cilës artistja Arbana Hajredinaj paraqiti 30%- shin e grave pjesëmarrëse në Parlamentin e Kosovës.
Me anë të artit, në mënyrë direkte e indirekte janë e po trajtohen shumë çështje e probleme të Kosovës.
Ndërkohë, Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O'Connor, e cilësoi këtë ekspozitë si të guximshme dhe sfiduese.
Ekspozita “Burrneshat” ka një qasje unike dhe të pazakontë që arriti të prekte shumë nga pjesëmarrësit, nga të cilët u quajt edhe vetëdijesuese.
Përveç ekspozimit të veprave, “Burrneshat” do të vazhdojë me aktivitete edhe një muaj. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, do të mbahen vizita, debate e biseda me panel të zgjedhur, me qëllimin e krijimit të një klime të barabartë të gruas në shoqëri.