Ashtu si maksima e njeriut heminguejan “i mposhtur, por asnjëherë i thyer”, edhe jeta e Adem Demaçit brenda burgut u kthye në shembullin më manifest të forcës për të kuptuar jetën dhe ndërliqshmërinë e saj. Duke i ndërmendur 28 vjet të jetës ndër burgjet jugosllave, njeriu që kërkoi bashkimin e Kosovës dhe viseve të tjera me Shqipërinë shkroi: “Burgjet janë vendet ku lindin qirinjtë e pavdekshëm. Atje ku digjen qirinjtë e gjallë, atje lindet liria e pavdekshme”. Sprova e tij e shkruar më 2001 është botuar si libër “Burgjet e mia – fati im i madh” dhe flet në 34 gjuhë të botës pikërisht në trevjetorin e vdekjes së tij
Ishte një ditë e ftohtë e 19 nëntorit të vitit 1958 kur një të ri që vinte i imtë nga shtati, e përplasën në qelinë numër 8 të Burgut të Prishtinës. Prishtinasi riosh që sapo kishte botuar romanin e parë “Gjarpijt e gjakut”, përnjëherësh pati ndjesinë që kthina e errët dhe e ftohtë u shndërrua në një qiri të madh me majën që digjej flakë.
“Burgjet janë vendet ku lindin qirinjtë e pavdekshëm. Atje ku digjen qirinjtë e gjallë, atje lindet liria e pavdekshme”, shkroi Adem Demaçi më 2001 kur si 65-vjeçar mejtonte një jetë të tërë të kaluar në burgjet jugosllave.
Ky tekst që shumë-shumë nuk kalon dy faqe të formatit A4 tashmë është pjesë e librit “Burgjet e mia – Fati im i madh”, i përkthyer në 34 gjuhë të ndryshme.
I botuar nga Shoqata e të Burgosurve Politikë pikërisht në trevjetorin e vdekjes së tij, libri shpërfaq filozofinë asgjëmangut stoike të njeriut që u mbajt në burgje rreth 28 vjet: herën e parë nga 19 nëntori 1958 deri më 18 nëntor 1961; herën e dytë nga 8 qershori 1964 deri më 8 qershor 1974 dhe herën e tretë më 6 tetor 1975 deri më 21 prill 1990.
Mst: “Përmes burgjeve të gjata njoha paradokset e jetës”
“Falë qëndrimit tim nëpër burgjet e gjata dhe të egra, arrita që të aftësohem për ta kuptuar jetën në tërë kompleksitetin e saj. Falë burgjeve të mia të gjata, arrita që të kuptoja se jeta, krejt jeta, përbëhet nga paradokse të panumërta, të vogla e të mëdha”, janë fjalët e njeriut që në të gjallë të tij u shndërrua në frymëzim për shqiptarët që kërkonin pavarësi.
“Dhe, për më tepër, jo vetëm që arrita t’i kuptoja paradokset më të mëdha dhe më të ashpra të jetës, por arrita që edhe të pajtohesha dhe t’i pranoja këto paradokse si diçka fare normale dhe madje të domosdoshme për t’u ruajtur vetë thelbi i jetës”.
“Acta Vita”
Ceremonia e mbajtur paraditen e së hënës në mjediset e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës ka nisur me një minutë heshtjeje në nderim të 10 viktimave të aksidentit fatal në Sllavoski Brod të Kroacisë, të autobusit në të cilin po udhëtonin drejt Kosovës mërgimtarë nga Gjermania.
Në fjalën e tij të hapjes, Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, ka thënë se Demaçi po i bashkon edhe një herë njerëzit si dikur pa dallim moshash, besimesh e pikëpamjesh. Duke cituar një vlerësim të akademik Rexhep Qosjes, ai ka thënë se Demaçi historinë e shihte larg më qartë se bashkëkohësit e tjerë.
“Ora e tij historike ecte jo tre apo tridhjetë minuta më herët, por tridhjetë vjet më herët para të tjerëve”, ka thënë Hyseni.
Duke folur për librin e sapobotuar, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politikë ka theksuar se Demaçi nuk e shihte burgun as si kërcënim e thyerje, por as si vuajtje e fatkeqësi për të bërë thirrje për mëshirim e keqardhje.
“Thoshte ‘Unë jam i gjallë dhe dua të jem në lëvizje e veprim’. Në të vërtetë, ai ishte, siç e kishte përshkruar Arbën Xhaferi, një Acta Vita”, ka shtuar Hyseni.
“Një kumt madhështor” në esperantisht
Ademi ishte ende vocërrak kur u ul në bankat e shkollës fillore që në fillim të viteve dyzet po frymonin shqip me qindra mësues vullnetarë që kishin ardhur nga Shqipëria. Qysh në ditët e para, kërshëria e të riut prishtinas e kishte ngacmuar ta pyeste mësuesen Vezire Gllavica se pse flamurit shqiptar i ishte vënë simboli i fashizmit me sëpatat e Liktorit.
Siç e evokonte këtë moment edhe shumë vjet më vonë, mësuesja kishte shpërthyer në vaj e dikur e kishte mbledhur veten për t’i thënë se: “Edhe pak kohë, shqiponja jonë ka për t’i luajtur krahët e vet të fuqishëm dhe ka për t’i bërë copë e grimë sëpatat e zeza”.
Ka qenë pikërisht i biri i mësueses atdhetare, Vezire Gjiraku-Gllavica, Bardhyl Adem Selimi, ai që do t’i hynte ndërmarrjes për të botuar sprovën e shkurtër eseistike të Adem Demaçit. Në mungesë të pranisë së tij, fjalimi i tij është lexuar nga profesor Zymer Neziri.
“Prej vitit 1991, bacën Adem e kam takuar rregullisht”, ka shkruar Selimi teksa ka treguar sesi dy romanet e tij “Gjarpijt e gjakut” dhe “Nëna Shegë e pesë gocat” i ka përkthyer në esperantisht.
Gjithçka kishte nisur kur vite më parë ishte botuar libri i shkrimtarit Qerem Basha “Bota është një peizazh me ngjyra të ndritshme” në esperantisht, ku në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës kishin qenë të pranishëm edhe një grup esperantistësh polakë, përfshirë edhe përkthyesin Tomas Chmielik.
“Baca Adem u mrekullua nga leksiku dhe tingëllimi i kësaj gjuhe asnjanëse, që mëton t’i ndihmojë kombësit e ndryshëm të merren vesh ndër vete pa vështirësi dhe pa paragjykime”, ka thënë Selimi.
Kur e kishte marrë në dorë sprovën e Demaçit “Burgjet e mia – Fati im i madh”, Selimi e kishte ndier atë një vepër të fuqishme që përcillte “ndjenjë e kumt madhështor”.
“Natyrisht, menjëherë më lindi dëshira që këtë sprovë t’ua bëja të njohur edhe të huajve, fillimisht përmes internetit, buletinit dymujor të Shoqatës Esperantiste Shqiptare e mandej, pse jo, përmes një libri shumëgjuhësh”, ka thënë ai.
Duke folur në 34 gjuhë

Ceremonia e mbajtur paraditen e së hënës në mjediset e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës ka nisur me një minutë heshtjeje në nderim të 10 viktimave të aksidentit fatal në Sllavoski Brod, të Kroacisë, të autobusit në të cilin po udhëtonin drejt Kosovës mërgimtarë nga Gjermania. Në fjalën e tij të hapjes, Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë, ka thënë se Demaçi po i bashkon edhe një herë njerëzit si dikur pa dallim moshash, besimesh e pikëpamjesh
Kështu, kjo sprovë e shkurtër, por kuptimplotë do të universalizohej përmes përkthimit në Esperanto – gjuha e sajuar artificialisht me qëllimin që të shërbejë si medium komunikimi për të gjithë popujt.
E krijuar nga polaku L. L. Zamenhof më 1887, kjo gjuhë llogaritet se sot ka rreth 100 mijë folës të përqendruar kryesisht në Evropë, Azinë Lindore dhe Amerikën jugore. Asociacioni Universal Esperanto ka më shumë se 550 anëtarë në gjithsej 120 vende të botës.
Por, përvoja e Demaçit në burg dhe historia e shqiptarëve nën Jugosllavi, përveç përkthimit në Esperanto nga Bardhyl Adem Selimi, tashmë është e qasshme edhe në 33 gjuhë të tjera: anglisht (përkthyer nga Valon Novosella), arabisht (përkthyer nga Erjon Shpëtim Grori dhe Besim Mehmeti), benegalisht (Gairik Patranobis), bullgarisht (Petko Valkanov), çekisht (Miroslav Malovec), danisht (Tue Magnussen dhe Ibrahim Xhemajli), finlandisht (Fazli Qeriqi), flandrisht (Marc Cuffez), frëngjisht (Germain Pirlot), greqisht (Kostas Kiriakos), gjermanisht (Wolfgang Günther), hebraisht (Tuviah Rosenberg), holandisht (Bert Boon), hungarisht (Julia Szalanie Timar), italisht (Maggiorino Borio), japonisht (Kandoo Joshinari), kinezisht (Cho Chaoming), kinezisht (Fortego), koreanisht (Myung-ja CHO), kroatisht (Josip Pleadin), lituanisht (Antanas Vaitkevičius), maqedonisht (Fatmir Sulejmani), norvegjisht (Nufri Lekaj), persisht (Ahmad Reza Mamduhi), polonisht (Ela Karszewska), portugalisht (Maria Aparecida da Silva), rumanisht (Kopi Kyçyku), rusisht (Sergey Dumrah), serbisht (Jovan Zarkoviq), sllovakisht (Jano Vajs), spanjisht (Manolo Parra), suedisht (Birgitta Anevik) dhe turqisht (Vasil Kadifeli).
“Shkëputja nga egoja – hapi i parë drejt lirisë”
Në sprovën autoriale, Demaçi tregon se si burgu i parë më 1958 u bë “hejza më dramatike në jetën time”.
“Të shpëtoja trupin tim duke sakrifikuar shpirtin tim, apo të shpëtoja shpirtin tim duke sakrifikuar trupin tim. Të qëndroja këndej lirisë duke ruajtur trupin tim të përkohshëm, apo duke sakrifikuar trupin tim të përkohshëm të merrja anën e lirisë dhe të shpirtit të përjetshëm?”, ka shkruar ai.
Duke kontempluar për burgjet, në të cilat ai bashkëvuajti tok me mijëra shqiptarë të tjerë, Demaçi shkruante si vendosmëria për t’u sakrifikuar për të tjetër është shkëputja më dramatike nga egoja dhe “hapi i parë në fushën e panjohur, por gjithmonë të freskët, gjithherë tërheqëse, prore magjepsëse të lirisë”.
Një jetë me të mira e të këqija
Me një vështrim recensial, poeti e publicisti, Berat Luzha, ka vlerësuar se “Burgjet e mia – Fati im i madh” është vetëm teknikisht libër.
“Brenda tij kemi një ese që është analizë filozofike që nuk është më e gjatë se dy faqe”, ka thënë Luzha.
Duke folur për rëndësinë e librit, ai ka thënë rrëfimi i Demaçit tashmë i flet gjithë botës me përkthimin e bërë në 34 gjuhë.
“Kur e lexojmë këtë tekst bëjmë pyetjen: si mund të bëhet burgu fat i madh i dikujt”, ka thënë Luzha teksa ka treguar se në filozofinë e veprimtarit të njohur ishte që njeriu duhet të pranojë jetën ashtu siç është, duke qenë i gatshëm të përballet edhe me të këqijat e saj.
“Sepse, sipas filozofisë së tij, të mirat e të këqijat janë të pandashme. Ato jetojnë dhe bashkëveprojnë me njëra-tjetrën”, ka shtuar Luzha.
Me një fjalë të shkurtër rasti drejtuar të pranishmëve, redaktori i librit, Selatin Novosella, ka cituar Eqrem Çabejn, sipas të cilit një libër vlen vetëm kur e ka një rezyme të shkruar edhe në një gjuhë të huaj.
“Tash kemi një libër ku Adem Demaçi për herë të parë flet në 34 gjuhë si njeriu që me të gjitha kriteret e parametrat është personaliteti më i shquar i shekullit të fundit”, ka thënë Novosella.
Tutje, ai ka thënë se përgjatë 28 vjetëve të burgut, Demaçi kurrë nuk i përmendi sakrificat e tij, madje as atë letrare.
“Baca Adem e sakrifikoi dhuntinë e krijuesit dhe këtë e dinë vetëm artistët”, ka thënë Novosella teksa ka shtuar që Demaçi po i mungon jetës politike e intelektuale në botën shqiptare.
Revolta që nisi si letërsi
I lindur më 26 shkurt të vitit 1936 në një familje të varfër prishtinase, Adem Demaçi mbaroi shkollën fillore në Prishtinë më 1946, ku do ta kryente edhe gjimnazin.
Sëmundja e nënës Nazife e detyroi t'i ndërpriste studimet në Degën e Letërsisë Botërore në Universitetin e Beogradit, ku arriti t'i ndiqte pesë semestra. Me t’u kthyer në Prishtinë, ai u punësua si gazetar në ndërmarrjen botuese “Rilindja”. Dhuntia e tij letrare gjeti shprehje në dhjetëra tregime e novela që i botoi në periodikun “Jeta e re” që asokohe drejtohej nga Esad Mekuli.
Qysh në tregimet e para si “Kthimi” e “Mestani”, letrari i ri prishtinas i kundërvihej shpërnguljes së organizuar të shqiptarëve drejt Turqisë.
Pak pas botimit të romanit të tij të parë “Gjarpijt e gjakut”, Demaçi në nëntor të vitit 1958 do të arrestohej. Pas një procesi të shpejtë gjyqësor, Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në tre vjet, të cilat i vuajti në kazamatin e Mitrovicës së Sremit në Vojvodinë.
Ai do të burgosej sërish në vitet 1964-1974 dhe 1975-1990, sa në vitet ‘80 konsiderohej si më i shquari disident politik në Jugosllavi. Pas lirimit nga burgu më 28 prill 1990, Demaçi do të angazhohej në fushën e të drejtave të njeriut dhe, më 1991, u bë kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Më 1991, ai do të nderohej me çmimin Sakharov për Lirinë e Mendimit nga Parlamenti Evropian në Strasburg.
Në kohën e luftës në Kosovë, Adem Demaçi u angazhua si drejtor politik i UÇK-së, ku bëri emër me kundërshtimin e tij kategorik ndaj nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë (shkurt 1999). Ndër veprat e tij kryesore letrare janë “Kur zoti harron” (Prishtinë 1991); “Libër për Vet Mohimin” (Skien 1994), “Tung vargu im” (Prishtinë 2002) dhe “Dashuria kauntike e Filanit” (Prishtinë 2007). Vdiq në moshën 82-vjeçare më 26 korrik 2018.