Një takim i rastësishëm i vëllait të Adem Zajmit me një përgjegjës të një fabrike në Zvicër, do të ishte kthesa në jetën e tij. Prej vitit 2002, tash 58-vjeçari do të mësonte se si bëhen brushat e rrojës, e për 18 vjet rresht do të merrej me këtë punë.
Në zemër të Çarshisë së Madhe të Gjakovës, në bodrumin e shtëpisë të cilën e ka rindërtuar me punë të brushave, ndodhet punëtoria e vogël e veglave që eksportohen në Zvicër. Zajmi, teksa bëhet gati për rundin e ri të brushave që do të nisen për në shtetin helvetik, ndalet për të rrëfyer gjithë historinë e zanatit të tij.
Beteja me kuantitetin turk e kinez
“Këtë profesion e kam filluar prej vitit 2002. Iniciator i kësaj veprimtarie ishte vëllai që jeton në Zvicër. Ai rastësisht ka kontaktuar me pronarin e fabrikës, që quhet Peka, dhe ka arritur një marrëveshje që unë të punoj për ta prej këtu”, nis rrëfimin e tij Zajmi.
Adem Zajmi thotë se është i vetmi në Ballkan që i është deleguar kjo punëdore nga Zvicra, nga fabrika që tash prodhon më shumë se 1500 lloje të brushave. Zajmi kishte shkuar në Zvicër për ta mësuar zejen. Më shumë se dy muaj kishte qëndruar te Peka për të parë nga afër se si bëhen këto brusha.
Brushat në Gjakovë prodhohen sipas standardit zviceran, ndërsa përpos në këtë shtet, Zajmi është i lirë që të shesë të tilla kudo tjetër në botë.
“Por unë kurrë nuk kam bërë eksport tjetërkah përveç në Zvicër”, thotë ai, teksa tregon se pak të tilla ka shitur edhe në Kosovë.
“Nuk kam mundur ta thyej kuantitetin turk edhe kinez. Këto brusha janë të standardit zviceran, të cilësisë shumë të lartë në krahasim me këto që vijnë nga Turqia apo nga Kina, me fije sintetike. Ato nuk janë për fytyrë”, thotë Zajmi.
Një kohë thotë se kishte nisur të shiste edhe në Kosovë përmes një firme, por materiali i brushës, që bëhet nga fijet e derrit të egër, e penalizuan.
“Pata filluar pak në Kosovë me një firmë, por ata kishin qenë fetarë. Unë pata dalë në një emision televiziv dhe pata treguar se brushat bëhen prej fijeve të derrit të egër. Ata e ndërprenë bashkëpunimin”, thotë Zajmi. “Më kanë treguar ata të Zvicrës se njësoj ka ndodhur edhe në Turqi, si e kanë marrë vesh që materiali është prej derrit i kanë ndërprerë marrëdhëniet”, shton më tej.
Megjithatë, Zajmi ka hyrë në vitin e 18-të që prodhon këso brushash.
“Kryesisht mirë ka shkuar puna. Kanë qenë disa rënie, këto 2-3 vjetët e fundit që po shiten më pak. Ndoshta pse të rinjtë edhe po përtojnë me u rru, edhe po i lëshojnë mjekrat, e po shkojnë te berberi po e rregullojnë. Ndërsa të vjetrit po pakohen”, arsyeton Zajmi, që vetë mban mjekër të gjatë.
“Edhe unë për vete përtoj të rruhem. E bëj shumë rrallë, ndoshta një herë në muaj. Por kur rruhem e ndiej njëfarë kënaqësie”, thotë ai.
Në fillimet e kësaj pune gjithçka ka ardhur nga Zvicra, ndërsa është përpunuar nga Zajmi në Gjakovë, e është kthyer andej si produkt final.
“Ka një kohë që disa shërbime po kryhen në Kosovë, te prodhuesit vendas. Disa shërbime të ambalazhit, që i kanë pranuar në Zvicër si të standardit të tyre, po i bëj në Gjakovë, Prizren e Mitrovicë”, thotë Zajmi.
“Jam munduar edhe disa gjëra të tjera, për shembull atë dorezën që e mban brushën, ta bëj këtu prej drurit, por nuk kemi arritur ta gjejmë të njëjtin kualitet. Ai që vjen prej Zvicrës në fakt është një lloj ashti i plastifikuar”, tregon Zajmi.
Dhjetë operacione, 50 gramë
Teksa ndalet te procesi i punës, Zajmi tregon se janë së paku dhjetë operacione për prodhimin kryesisht me dorë të një brushe që nuk guxon të kalojë peshën prej 50 gramësh. Puna nis me shtrirjen e materialit bazë, pra të fijeve natyrale të derrit të egër. Pjesa më e madhe e secilës fije mban ngjyrë okër, e maja e saj shkon kah e kafenjta. Një ekzemplar që e merr për ekspolorim Zajmi, tregon gjithë butësinë që ka kjo lloj brushe. Fton që të testohet në pjesën e sipërme të shuplakës së dorës, në mes të gishtit të madh dhe atij tregues, ku lëkura është më e hollë e ndjeshme.
Firma për të cilën prodhon aktualisht e lë të hapur mundësinë e prekjes së brushës para se klienti ta blejë, meqë mbyllja e saj nuk është hermetike.
E pasi që të jenë shtrirë fijet, ato duhet matur e ndarë në doza.
“Duhet të jenë 14 gramë fije, as më shumë e as më pak. Mundet me qenë 13.9 ose 14.1, por kurrsesi nuk mundet me qenë 13.5 ose 14.5 gramë”, thotë Zajmi, sa për të shpërfaqur precizitetin zviceran. Thotë se ndryshe del edhe më e vrazhdë dhe nuk ka estetikë. Matjen e bën edhe me një makinë që bëhet automatikishit dozimi i fijeve, por, megjithatë, e përdor edhe një peshore të argjendarëve për të qenë i saktë.
“Fijet janë natyrale të derrit të egër. Vijnë prej SHBA-së dhe prej Kinës, si dy shtetet më të njohura për kultivimin e derrave të egër. Janë natyrale, prandaj kualiteti është i garantuar”, thotë Zajmi, që mban në dorë një tubë sosh, të paketuara në një unazë të bardhë.
Kur të vendosen fijet në dozerë, disa pako të vogla plastike me ngjyrë të kaltër, u jepet forma. Pjesa ovale në fund të kësaj ene të vogël mundëson që fijet të krijojnë pjesën e elipsës. Por kjo është vetëm fillimi i dhënies së formës.
Dozat futen në një lloj makine që punon me dridhje, e që për qëllim ka që në maksimum t’i barazojë fijet në formën e dëshiruar.
“Më pas i vendoset unaza që i përthekon të gjitha fijet. Ndërkohë krijohet një masë prej kiti dhe forcuesi, me të cilën mbushet unaza për të ngjitur secilën fije. Herën e parë e lë 20-30 minuta, dhe pasi që të thahet e mbush edhe një herë për të mos lënë rast që uji të depërtojë në pjesën e poshtme”, sqaron Zajmi.
Pastaj bëhet pastrimi i parë, që heq fijet e tepërta. E pas kësaj, përmes një tjetër makine të vogël, secilës brushë i jepet me dorë forma përfundimtare, ajo elipse.
“Ne i themi qethja e brushës”, thotë Zajmi.
Me një ngjitës jashtëzakonisht efikas vendoset dorëza e brushës, që peshon 30 gramë.
“Pasi që të vendoset, nuk shkon as një orë që të thahet dhe më është e pamundshme që të shkoqet. Vjen pastrimi final dhe kontrollimi, ambalazhimi, paketimi dhe transporti, si faza të fundit të punës sime”, rrëfen Zajmi.
Deri në vitin 2014 transportin e ka bërë vetë, me një kombi-bus.
“Kam pas të drejtë të bart deri në 1.6 tonë. Shkoja pa u ndalë në Zvicër, veç kur ndalesha për t’u furnizu me derivate. Mosha e bëri të veten, u rritën shpenzimet se më duhej të flija nëpër hotele. Tash transportin e bëj përmes shpediterëve privatë”, thotë Zajmi.
“Është krejt punë dore”, insiston Zajmi, që garanton se testimin e brushave e bën edhe vetë.
“Çdo rund që e bëj, unë e gjuaj brushën e vjetër dhe e përdori të renë, e shikoj mos është më e vrazhdë, ose mos duhet makinën e dhënies së formës me e vendos në një nivel tjetër”, thotë ai.
Aktualisht kapaciteti i tij është diku te 20 mijë copë në vit. Por thotë se ka pasur raste, prej vitit 2003 deri në vitin 2010, që tri apo katër herë brenda vitit ka shkuar në Zvicër, që e ka çuar deri në 100 mijë copë për vit prodhimin e brushave.
“Në ditë, pa nguti e pa presion i bëj prej 400 deri në 500 copë”, thotë Zajmi, që shton se në kohët e tij të arta të prodhimit të brushave, rekordin e prodhimit ditor e kishte 800 copë.
“E kam në derë të shtëpisë. Veç lëshohem shkallëve. Nëse nuk dua të punoj një ditë, punoj të shtunën e të dielën. E kam shumë më lehtë se me i dhënë llogari dikujt. Normën e kam normë, dhe e kompensoj kurdo që nisi, por me nguti asnjëherë nuk e kam pasë”, thotë ai.
Familja Zajmi ka provuar ta zgjerojë këtë biznes.
“Djali ka shkuar në Gjermani, në një fabrikë tjetër, dhe ka mësuar si bëhen 5 lloje të tjera të brushave. Nisi, punoi nja dy runde dhe u tërhoq. Para disa muajsh ia kam kthyer gjermanit makinat. Si të rinjtë e Kosovës, nuk deshi të punojë”, thotë Zajmi, i cili, megjithatë, pret që djali i tij ta vazhdojë shkollën.