Kulturë

Broshë e aksesorë për guxim e vetëbesim

Ka përfunduar studimet postdiplomike për pikturë, e u jep mësim për artin nxënësve të shkollave fillore e të mesme. Krahas kësaj, Blinera Ibishi bën edhe punëdore. Specialitet i saj janë broshët, por edhe aksesorë të tjerë.

Për t’i bërë ata frymëzohet veçmas nga ngjyrat e përditshmërisë, por edhe nga natyra e nga kafshët, të cilat tenton t’i punojë në miniaturë tek imagjinon se si do të dukeshin nëse do t’u jepej ngjyrim dhe detaje të tjera të veçanta, shkruan KOHA.

Materialet që përdor janë rezistente ndaj ujit. E pamja e tyre është e mahnitshme.

Broshë që punohen me dashuri, janë pjesë e rëndësishme e një veshjeje. Për Ibishin, ato janë simbol i guximit në veshje, e bartësit të saj i japin vetëbesim.

Ngjyrat e përditshmërisë

Në bisedën për “Kohën Ditore”, Blinera Ibishi tregon se nuk e ka pasur të vështirë kapërcimin në prodhimin e aksesorëve.

“Pasi që profesioni im lidhet direkt me artin dhe krijimtaritë e ndryshme, që në thelb kanë punët artistike, unë merrem me ligjërim të lëndëve vizatim dhe pikturë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, mbajmë kurse të veçanta për vizatim dhe pikturë dhe gjatë kohës kur nuk merrem me këto të dyja, punoj sipas dëshirës apo porosive broshë dhe lidhëza të formateve dhe ngjyrave të ndryshme për duar dhe këmbë, për të dyja gjinitë”, thotë Ibishi.

Me shkas, nis të tregojë se si shkon procedura për prodhimin e një broshi. Gjithçka nis me vizatimin e maketit fillestar, dhënien e formës përkatëse dhe dimensioneve, hijezimin e ngjyrave që do të përdoren.

“Pastaj në pëlhura të veçanta për punimin e broshëve të tërhequr në formë rrethore fillojmë qëndisjen me gjilpërë dhe kristale”, shpjegon Ibishi.

Për realizimin e një broshi, duke filluar nga ata të vegjlit, Ibishit i duhen së paku tri ditë punë.

“Për punimin e broshëve përdorim vetëm materiale rezistente ndaj ujit, prishjeve, humbjes së ngjyrës dhe kristale origjinale si bazë për punim”, thotë Ibishi, teksa shton se zakonisht pajisja me kristale është e vështirë dhe ka kosto të lartë.

I marrin kryesisht nga Turqia dhe India, por Ibishi thotë se blerjet online u kanë mundësuar qasje të lehtë në produktet kryesore që atyre u nevojiten.

E kur flet për motivimin, Ibishi thotë se këtë e gjen te përditshmëria.