Ka kohë që e ka dëshmuar shkencërisht e në Prishtinë e ka ilustruar me disa shembuj se shqipja pasuron të kuptuarit tonë për aspekte të ndryshme të gjuhës njerëzore – në raport me gjuhët e tjera dhe në vetvete – dhe tregojnë se një gjuhë ka vazhdimësi me të kaluarën, edhe gjithashtu risi duke treguar drejtime të reja. “Në këtë mënyrë, ne nxjerrim një mësim të rëndësishëm nga gjuha shqipe, mësim që vlen për të gjitha institucionet njerëzore”, ka thënë të hënën në Prishtinë, Brian D. Joseph në ceremoninë me të cilën Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka përuruar librin e tij “Vështrime albano-ballkanologjike” i cili përmbledhtas sjell studimet e tij që kanë të bëjnë me shqipen apo me shqipen në kontekst ballkanik. Po aty, këtij autoriteti të madh linguistik botëror i është dorëzuar fletëdëshmia si anëtar i jashtëm i kësaj Akademie
Për shkencëtarin amerikan, akademikun Brian D. Joseph, shqipja pasuron të kuptuarit tonë për aspekte të ndryshme të gjuhës njerëzore. Shembujt që ai jep, dëshmojnë mënyrat që ndër të tjera tregojnë se një gjuhë ka vazhdimësi me të kaluarën dhe risi duke treguar drejtime të reja.
“Në këtë mënyrë, ne nxjerrim një mësim të rëndësishëm nga gjuha shqipe, mësim që vlen për të gjitha institucionet njerëzore”, ka thënë Brian D. Joseph, të hënën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Te studimi i shqipes, këtë alamet shkencëtari, do ta çonte studimi i greqishtes. Lista e gjuhëve që njeh e që i ka studiuar është e gjatë. Njësoj edhe e titujve shkencorë, e studimeve dhe e veprave. Njëra prej tyre, “Vështrime albano-ballkanologjike”, është përuruar të hënën në ASHAK që e ka botuar, përgatitur nga akademik Rexhep Ismajli.
Por nuk ka qenë vetëm ajo sebep i ardhjes së tij në Kosovë.
Brian D. Joseph ka pranuar edhe fletëdëshminë si anëtar i jashtëm i kësaj Akademie. Po aty ka mbajtur ligjëratën në temën: “Pse është gjuha shqipe e rëndësishme për gjuhësinë?”.
“Jam thellësisht i nderuar që jam emëruar anëtar i Jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, duke njohur kërkimet e mia në historinë dhe strukturën e gjuhës shqipe përgjatë disa dhjetëvjeçarëve të fundit”, ka thënë Joseph, i doktoruar në Universitetin e Harvardit, anëtar akademish botërore, e para tri ditësh zyrtarisht edhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Profesori i cili këtë muaj feston ditëlindjen e 72-të, ka thënë se kjo është një njohje që nuk do të mund ta kishte ëndërruar para më se 40 vjetësh, kur iu fut studimit të shqipes si një mënyrë për të zgjeruar kuptimin e tij për gjuhët ballkanike dhe për konvergjencën gjuhësore që ato shfaqin.
“Në përgjithësi, për mua, ka qenë një kënaqësi që kam qenë në gjendje të ofroj njëfarë ndriçimi mbi gjuhën shqipe dhe të tregoj se si ajo ofron një pasqyrë në fenomen më të përgjithshëm të gjuhës njerëzore”, ka thënë linguisti i shquar botëror, me një shqipe të dalluar e të ngadaltë.
Sipas tij, Ballkani dhe pozita e shqipes japin një mësim për hulumtimin shkencor të gjuhës dhe të historisë së saj.
“Kontaktet intensive mes popujsh të ndryshëm në këtë rajon kanë çuar në përdorimin e përbashkët të strukturave dhe fjalëve, duke treguar se edhe nëse Ballkani është një vatër tensionesh etnike, jo gjithmonë kontaktet kanë çuar në konflikte midis grupeve të përfshira. Në të vërtetë, përfundimi i kontakteve në Ballkan, nga këndvështrimi gjuhësor, është më shumë çështje bashkëjetese paqësore sesa konflikti dhe grindjeje”, ka thënë ai.
Shumë prej këtyre çështjeve trajtohen në librin, “Vështrime albano-ballkanologjike” në të cilin vijnë përmbledhtas studimet e tij që kanë të bëjnë me shqipen apo me shqipen në kontekst ballkanik.
Për studimet dhe profilin e Brian D. Joseph, ka folur akademik Rexhep Ismajli. E ka cilësuar emër të njohur në ndihmesat e rëndësishme për greqishten moderne, po edhe për fazat e saj më të hershme, ndërsa tash vonë edhe me studimet për greqishten e folur në jug të Shqipërisë dhe me kontaktet e saj me shqipen, ashtu si me të folmet arbërore në Greqi - aravnitikan. Përgatitjet e tij si helenist janë gërshetim i përgatitjes së tij akademike me punën në terren. Siç e ka përshkruar akademik Ismajli, në studimet ballkanike, interesimet e Josephit janë drejtuar kryesisht në strukturat morfologjike dhe sintaksore, gjithnjë të para dhe në vështrimin semantik, por paralelisht dhe në mbështetjen e vështrimeve sociolinguistike përderisa gjithnjë e me shpesh bien në sy edhe vështrimet e tij etimologjike.
Botimi i veprës së tij është vazhdimësi e traditës së ASHAK-ut e nisur në vitin 1996 kur Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së shkencave dhe të Arteve nisi projektin afatgjatë të botimeve të serisë së veprave të albanistëve të traditës, shqiptarë dhe të huaj, me përqendrim kryesisht tek autorët e huaj, kryesisht ato që nuk gjenden në gjuhën shqipe, po edhe të autorëve shqiptarë që nuk janë më mes nesh.
Akademik Ismajli ka theksuar se botimi “Vështrime albano-ballkanologjike” i Brian Joseph është vëllimi i 33-të i kësaj serie, me synimin për të krijuar një korpus veprash të rëndësishme për studimet albanologjike.
“Deri tash Seksioni ia ka dalë të botojë në këtë kuadër 33 vëllime dhe tani po vijmë me vëllimin e ri. Tash kemi kënaqësinë që në këtë seri të vijmë para publikut shkencor dhe lexues shqiptar me përmbledhjen e studimeve dhe të shkrimeve për shqipen dhe gjuhët e Ballkanit të profesor Brian D. Joseph- it”, ka thënë akademik Ismajli.
Sipas akademikut, “Vështrimet albano-ballkanologjike” përmbledh studimet e Brian Joseph-it që kanë të bëjnë me shqipen, apo me shqipen në kontekst ballkanik. Suksesin e tij në këtë punë e sheh si të garantuar prej njohjeve të thelluara teorike linguistike dhe nga aftësia e tij për përfituar në çdo rast nga arritjet teorike të disiplinave dhe të shkollave nga tradicionale e deri ato të fundit.
“Bie në sy se në të gjitha interpretimet e tij ndiqet një vështrim integrues për gjuhën, me mëtesën për të bërë shpjegime sa më të plota nëpër rrafshet e ndryshme - morfologjike dhe morfosintaksore, semantike, etimologjike, sociolinguistike”, ka thënë në fjalën e tij.
Studiuesi dhe anëtari korrespodent i ASHAK-ut, Bardh Rugova e ka bërë përkthimin e “Vështrime albano-ballkanologjike”. Libri në më shumë se 400 faqe përthekon ndër të tjera temat: “Sintaksa e shqipes”, “Përfytyrimi i gjuhës shqipe ndër gjuhëtarët e hershëm amerikanë”, “Problema ‘Po’ e shqipes”, “Disa metafora të vjetra të përbashkëta në Ballkan”, “Burimi shqiptar i një përdorimi popullor në greqishten”, “Lidhje të vjetra dhe të reja mes greqishtes dhe shqipes: disa dëshmi në rrafshin gramatikor” e të tjera.
Rugova në fillim të fjalës së tij ka thënë se Brian Joseph është gjasme “autoriteti më i madh linguistik botëror që merret me shqipen – thënë më mirë, mes tjerash edhe me shqipen”.
“Ato kontribute mund t’i sistemojmë në disa fusha. Dy i veçojmë kryesoret. Një, ndryshimet e gjuhës në kuadër të kontakteve gjuhësore brenda Unionit Gjuhësor Ballkanik që përbëjnë numër më të madh punimesh dhe ndryshimet brenda vetë shqipes si gjuhë indoevropiane brenda metodave krahasimtare dhe, dy, kontaktet e gjuhës në sinkroni”, ka thënë Rugova. Sipas tij, Brian Joseph është një hulumtues i devotshëm i ndryshimeve të gjuhës që gjurmon ato në krahasime të natyrës gjenetike, si ndryshime përbrenda vetë gjuhës që trajtohet dhe që i gjurmon në kuadër edhe të kontakteve gjuhësore, të cilave u nënshtrohet gjuha që trajtohet. Ai ka theksuar se pjesë e librit janë edhe disa artikuj që janë të veçantë në kuptimin se nuk mund të përbëjnë tërësi që të klasifikohen në një grup studimi.
“Një pjesë e madhe e studimeve të Josephit ka të bëjë me kontaktet e shqipes me greqishten. Tre artikuj kanë të bëjnë me parashtesën stër te emrat ndërbreznorë të farefisnisë, të tipit stërgjysh, stër-stërgjysh, katragjysh e kështu me radhë dhe prospapas të greqishtes. Po ashtu, është diskutuar edhe mundësia e ndikimit të shqipes në greqishten te loja xik, buli buli i greqishtes”, ka thënë Rugova, duke shtuar se një grup artikujsh ka të bëjë me hulumtime nga terreni në zonën e Himarës, konkretisht në Palasë, me folës të greqishtes në Shqipëri.
Brian D. Joseph pas Universitetin e Jelit, u doktorua në fushën e gjuhësisë në Universitetin e Harvardit, ku ka specializuar për gjuhën greken (mikeniane, klasike, mesjetare dhe moderne), për gjuhën shqipe, për sanskritishten dhe për gjuhët e tjera indoevropiane, si latinishtja, avestishtja, irishtja e vjetër, gotishtja, hetitishtja e hindishtja, ndërsa në fushat e gjuhësisë u specializua për gjuhësi historike, për gjuhësi ballkanike, sociolinguistikë dhe teori morfologjike. Si studiues tashmë i njohur në përmasa ndërkombëtare, përveç profesurës për linguistikë në Universitetin Shtetëror të Ohajos, profesurës për gjuhësinë sllavo-jugore Kenneth E. Naylor, kryesimit të Departamentit të linguistikës, Brian D. Joseph është anëtar dhe Kryetar Shoqatës së Linguistëve të Amerikës, anëtar i Shoqatës së Filozofëve të Amerikës, anëtar i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikës, anëtar i Shoqatës Amerikane për Avancimin e Shkencës dhe i shumë shoqatave e institucioneve të tjera, i ftuar për konferenca e ligjërata në të katër anët e botës.
Para të pranishmëve në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ky emër i madh i shkencës është zotuar se edhe më tutje se do të kontribuojë në çuarjen përpara të gjuhësisë shqiptare që është një çështje e rëndësishme.
“Shqipja si gjuhë nuk ka tërhequr asnjëherë vëmendjen e plotë të gjuhëtarëve amerikanë, pavarësisht shumë veçorive të saj interesante. Megjithatë, ka një traditë të vogël, por të fortë, të studimeve shqiptare dhe unë jam i lumtur që kam luajtur një rol sado të vogël duke ndihmuar për ta mbajtur gjallë dhe madje për ta lulëzuar atë. Tash në dhjetëvjeçarin e fundit kam udhëhequr disa studentë të programit master dhe atij doktoral, të cilët kanë punuar me mua në çështje që lidhen me gjuhësinë shqiptare. Me njohjen më të madhe që më jep anëtarësimi në Akademi, mund të shpresoj që të rritet numri i studentëve në vitet e ardhshme”, ka thënë Joseph.