Kulturë

Brezi i ri i çelësabërësve në Prishtinë

Nevoja për të mbajtur të kyçur gjërat me vlerë nuk është aspak e re. I takon parahistorisë. Arkeologët kanë gjetur artefakte të ndryshme që flasin për historinë e mbylljes dhe të çelësit. E në modernitet ka shumë studiues që janë marrë me këtë çështje, në pamje të parë pak të rëndësishme.

Kyçja dhe çelësi kanë histori edhe në traditën shqiptare. Dublimi i çelësit është ekskluzivisht zanat i shekullit XX. Në Prishtinë kanë mbetur disa nga zanatlinjtë çelësabërës të moçëm. Disa prej tyre nuk e duan publicitetin, duke refuzuar që të flasin për gazetën. Por në Prishtinë është kthyer në biznes jo fort të dobët puna me çelësa, shkruan sot Koha Ditore.

Një brez i ri i zanatlinjve po e mbulojnë tregun, e po provojnë që të përcjellin trendët e rinj teknologjik të kyçjes e të çelësave me kod. Haki Murtezi dhe Arbër Rrmoku janë dy nga ta.

Të dy kanë dyqanet në Qendër të Prishtinës, i pari në rrugën “Garibaldi” e ky i dyti në rrugën “UÇK”. Të dy, zanatin e çelësapunuesit e kanë mësuar pas luftës së fundit në Kosovë.

Puna milimetrike

Haki Murtezi ende nuk ka prekur moshën 30-vjeçare. Por ka rreth 13 vjet ose gati gjysmën e jetës së tij që merret me çelësa. Zanatin thotë se e mësoi nga burri i motrës së tij, diku 25 vjet më i vjetër se ai. Për nja dy vjet i shkoi nga pas, e përcolli në çdo hap se si bëhet kjo punë. Kujton se s’ka qenë edhe aq e lehtë. “Ka qenë goxha e vështirë, e pakapshme, diçka që thosha se nuk kam me arrit me mësu kurrë e as me vazhdu më tej. Por me kalimin e kohës dhe me interesimin e madh që kisha, ia arrita ta mësoja”, thotë ai. I dukej e pakapshme, e komplikuar, meqë ishte punë milimetrike.

Por thotë se kishte edhe drojë. “A ka më keq, se me marrë klienti çelësin me shku me provu, e mos me i bo. Është dëshpërim i madh”, thotë Murtezi, teksa shton se kjo është keq edhe për imazhin e ustait, por edhe nervozizëm e humbje kohe për klientin. Është falënderues që ndonjë problem i madh nuk i ka ndodhur asnjëherë. Tash ka krijuar siguri, dhe nuk i trembet syri. “Rrallë ndodh me dështu, veç nëse është brava me defekt ose diçka, se përndryshe nuk ka shans”, thotë Murtezi.

E kur pyetet se çfarë di të punojë sot, Murtezi thotë shkurt: “Gjithçka që quajmë çelës”. “Krejt llojet e çelësave, prej atyre klasik të dyerve, atyre më të thjeshtëve deri te ata me kod të veturave, të avancuar”. E shpjegon pse nuk është e lehtë puna e çelësabërësit. “Sepse është punë milimetrike. Nëse në një milimetër nuk e krijon ashtu siç është origjinali, ke dështu, realizim nuk ka. 99 për qind është punë mekanike, punë e precizitetit të dorës”, thotë ai.

“Për mua sot është punë e përditshme, është rutinë”, shton ai. Puna e çelësabërësit, për të nuk është e lodhshme fizikisht, por thotë se e lodh psiqikisht. “Do koncentrim të madh, maksimal për ta bërë një çelës. Angazhim të trurit në radhë të parë, të syve e të duarve...”, thotë Murtezi, që megjithatë s’e ndien lodhjen edhe pse punon 11 orë në ditë në biznesin e tij. Krahas kësaj, ai thotë se bëjnë edhe punë në terren.

“Zhbllokojmë dyer që mbesin të bllokuara, vetura që mbesin mbyllur i çelim pa dëmtim, krijojmë çelësa të humbur duke çelur bravën dhe duke ia lexuar dhëmbëzoret me mjete përkatëse, e të tjera”, thotë ai. Mazreku ka provuar që t’ua mësojë të tjerëve këtë zanat, por s’ia ka dalë. Jo për fajin e tij. “Nuk kam shegert. Kam pasë diku nja 16 a 17 djem, po nuk kanë arritë me mësu zanatin, e kanë lënë. Kanë qëndru tri javë a një muaj, e kanë parë, kanë thënë nuk jemi për këtë zanat, edhe kanë shku”, thotë Murtezi. “Pa prish nuk mundesh me arrit rezultat, por atyre nuk ua merrte mendja, e shihnin se nuk janë për këtë profesion”.

E në anën tjetër, Murtezi tregon se po bën përpjekje që ta përcjellë teknologjinë. Sheh një dozë të lehtë rreziku nga teknologjia për këtë zanat. “Teknologjia e re ndoshta shkon atje që e heq prej përdorimit çelësin, por me arrit me përcjell teknologjinë nuk mbetesh pa punë asnjëherë. Përtërihet brava, përtërihen edhe makinat dhe zanati. Sa të avancon teknologjia detyrimisht avancohemi edhe ne, nëse duam të punojmë, përndryshe është e kotë”, thotë ai.

Braktisja e librarisë për zanatin e ri

Pak më ndryshe e ka historinë Arbër Rrmoku. Babai i tij ka pasur një tjetër biznes. Ka pasur një librari. Por puna nuk po i shkonte mirë. “Babai im, (Xhafer Rrmoku) për 25 vjet ka punuar në një librari. Por hapja e qendrave të mëdha tregtare ka bërë që puna të bjerë. Nisi me ra ai biznes”, thotë ai. Familjes iu desh të bënte diçka tjetër. “Fillimisht kemi nisur vetëm me cilindra, e gradualisht edhe në çelësa”, tregon Rrmoku, po ashtu rreth të 30-ve. “Babai shkoi në Turqi në një kurs intensiv për rreth dy javë. E mori zanatin dhe u kthye këtu”, thotë ai. Atje do t’i blinte edhe makinat për dublimin e çelësave.

“Tash punojmë edhe me çelësa të makinave, kryesisht të modeleve më të vjetra”, thotë Rrmoku. Rreth një vit do t’i duheshin Arbrit për të përvetësuar zanatin. “Unë mandej e mora zanatin kadalkadale, për nja 6 muaj deri në 1 vjet. Janë disa lloje të çelësave që janë më të komplikuar për t’i bërë, e disa janë më të thjeshtë për t’i punuar”, thotë ai.

Rrmoku thotë se sot në Prishtinë janë bërë shumë dyqane që merren me prodhimin e çelësave.

Çelësat e Babilonisë së lashtë

Një kërkim për historinë e çelësit në internet, të kthen në Babiloninë e Egjiptin e lashtë, mijëra vjet më parë, për të treguar se ideja për kyçje dhe çelësi lindën së bashku. Sipas faqes thehistoryofkey.com, pajisjet e para të kyçjes ishin prej druri, një material që megjithatë kishte disavantazhe për shkak të pasigurisë.

Në anën tjetër, sipas brown.edu, edhe Perëndimi, por edhe Lindja, në mënyrë të veçantë Kina, kishin zhvilluar idenë e hapjes, e të mbylljes dhe të çelësit. Dëshmitë më të forta për përdorimin e tyre janë gjetur në tempujt fetarë. Persia, pra Lindja e Mesme, kishin krijuar një gjeneratë të veçantë të çelësave.

“Pra çelësat fillimisht ishin të ndërtuar nga druri, derisa njerëzimi krijoi aftësi për përpunimin e metaleve që mund të prodhonin pjesë më të sakta si skeleti i çelësit”, shkruhet në brown.edu. “Çelësat metalikë përdoren gjerësisht në shoqërinë mesjetare, kryesisht për të kyçur portat e para të fortifikatave, kështjellave, e të tjera”, thuhet më tej aty.

E gjithnjë, sipas këtij burimi, përhapja e çelësave metalikë të sheshtë që ne njohim sot ndodhi në shekullin XX me shpikjen e një pajisjeje për dyfishim. Një fotografi e një makine e vendos vitin 1917, si kohën kur ka mundur të krijohet makina për dyfishim të çelësave, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.