Derisa vijojnë përgatitjet për edicionin e 24-t të “DokuFestit” që sivjet mbahet prej 1 deri më 9 gusht, festivali kujdeset që të mos mungojnë produktet unike në programin e tij. I veçantë do të jetë edhe ai me titull “Breaking Borders” që zë njërën prej rubrikave të ngjarjeve ditore në kuadër të këtij edicioni. Bashkon katër filmbërës nga Britania e Madhe dhe po aq nga Kosova dhe prodhimi i katër filmave do të jetë produkti final i projektit “Breaking Borders” që premierën do ta kenë në edicionin e sivjetmë të festivalit në Prizren
Katër filmbërës nga Britania e Madhe dhe po aq nga Kosova i bën bashkë projekti i Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” dhe Instituti Skocez i Dokumentarit.
Prodhimi i katër filmave do të jetë produkti final i projektit “Breaking Borders” që premierën do ta kenë në edicionin e sivjetmë të festivalit në Prizren.
Derisa vijojnë përgatitjet për edicionin e 24-t të “DokuFest” që sivjet mbahet prej 1 deri më 9 gusht, festivali kujdeset që të mos mungojnë produktet unike në programin e tij. I veçantë do të jetë edhe ai me titull “Breaking Borders” që zë njërën prej rubrikave të ngjarjeve ditore në kuadër të këtij edicioni.
Nga 21 prill deri më 9 maj është periudha kohore e përfundimit të katër filmave. Nga dy persona do të angazhohen për një projekt. Eroll Bilibani, udhëheq i programit edukativ “DokuLab” në “DokuFest” ka bërë të ditur se të tetë filmbërësit do të mblidhen në rezidencën artistike që do të mbahet në Prizren.
“’Breaking Borders’ është një program i financuar nga ‘British Council’ të cilin jemi duke e bërë bashkë me ‘Scottish Documentary Institute’. Është një program që sjell nga katër ‘alumni’ të programeve tona që i kemi në kuadër të ‘Future is here’ e programeve të tjera edukative dhe të cilat ndihmojnë në krijimin e filmbërësve. ‘Scottish Documentary Institute’ i ka përzgjedhur katër pjesëmarrës dhe ne dy, e të cilët do të punojnë në çifte dhe do të jenë në programin e rezidencës që mbahet në Prizren nga 21 prilli deri më 9 maj”, ka thënë Bilibani.
Nga filmbërësit vendorë, do të marrin pjesë: Manushaqe Ibrahimi, Leart Rama, Dafina Daka dhe Hana Ahmeti. Ndërsa nga ata që vijnë nga Instituti Skocez i Dokumentarëve janë filmbërësi nga Bangladeshi, Riad Arfin, arabi Huss Al-Chokhdar, Meray Diner dhe Eoin Wilson.
Bilibani ka thënë se të gjithë pjesëmarrësit kanë prapavijë në punën e tyre në projekte kinematografike.
“Ata së bashku do të prodhojnë në total katër filma duke e riimagjinuar krijimtarinë në botën e polarizuar. Programi do të jetë goxha intens, gati tri javë. Do të udhëhiqet nga dy mentorë ndërkombëtarë, të cilët do t’i udhëzojnë ata në mënyrën se si do t’i trajtojnë këta filma. Ata veçse janë filmbërës të etabluar, njerëz që kanë bërë filma dhe të cilët presim të krijojnë filma që mund të kenë potencial për distribuim ndërkombëtar”, ka thënë ai për KOHË-n.
Projekti kombinon ekspertizën dhe burimet e të dyja organizatave duke nxitur bashkëpunimin, shkëmbimin kulturor dhe aftësitë praktike të punimit të filmit.
Faza e parë e punës është emërtuar “Zhytja kulturore”. Siç bëhet e ditur, filmbërësit angazhohen në aktivitete që synojnë thellimin e të kuptuarit të kulturës dhe perspektivave të njëri-tjetrit.
E dyta fazë është “Krijimi i filmit dhe mentorimi” ku fokusi është në realizimin e filmave. Pjesëmarrësit do të prodhojnë dokumentarë të shkurtër të përqendruar rreth temës “Riimagjinimi i bashkëpunimit në një botë të polarizuar”.
“Filmat do të jenë të shkurtër, momentalisht nuk ka temë të caktuar, por përafërsisht do të jetë diversiteti kulturor, tema mbi identitetin. Do të mundohemi që filmat të kenë kontekst politik për shkak se do të trajtojnë diversitetin gjithëkulturor të identitetit në aspektin e asaj se si shihet sot në këtë botë të polarizuar. Do të jetë një qasje artistike. Mënyra se si ata do t’i tregojnë filmat do të varet shumë nga puna në çifte”, është shprehur Eroll Bilibani nga “DokuFest”.
Për pjesëmarrës nga Kosova, thirrja ishte vetëm për ish-studentët e programeve edukuese të festivalit. Nga nëntë aplikantë janë përzgjedhur katër.
Sipas Eroll Bilibanit ky është bashkëpunimi i parë formal me “Scottish Documentary Institute”. Pas premierës synohet depërtimi i rrëfimeve të filmave jashtë vendit. Bilibani ka thënë se janë të njohur për fuqinë e tyre të distribuimit.
“’Scottish Documentary Institute’ janë të njohur për fuqinë e tyre të distribuimit. Ata këtë vit e kanë pasur një film që ka fituar në ‘Sundance’, ka qenë i nominuar në shumë festivale. E kanë një ekspertizë shumë të veçantë sa i përket distribuimit të filmave. Ne për herë të parë bashkëpunojmë në mënyrë formale, pasi për një kohë të gjatë kemi bashkëpunuar në mënyrë joformale. Po shpresoj se ne do të mësojmë shumë nga ata si dhe ata nga potenciali ynë”, është shprehur ai.
Instituti Skocez i Dokumentarëve u krijua në vitin 2004, “për të ushqyer krijuesit e filmave dokumentarë dhe audiencë, dhe për të mbrojtur kontributin unik dhe jetik të dokumentarit të pavarur në ekosistemin e industrisë së filmit dhe në shoqërinë tonë”, siç bëhet e ditur në prezantimin e tyre.
“Nëpërmjet trajnimit, financimit, ngjarjeve frymëzuese dhe shpërndarjes, ne ofrojmë një sërë mundësish zhvillimi për të përfituar të gjithë regjisorët dhe producentët me bazë në Skoci dhe i mbështesim ata në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ne gjithashtu ofrojmë një sërë programesh për kineastët ndërkombëtarë dhe bashkëpunojmë në mënyrë aktive me organizata dokumentare anembanë botës për të mbrojtur dhe festuar formën e artit”, shkruhet aty.