Jo pak dilema kishte pasur regjisori i “Heshtjes së sirenave” në lidhje me atë se si do të pritej filmi i tij nga një publik i huaj. Shkaku: tema lokale që përthekon filmi. Por testi i parë qe Brazili dhe u kalua me sukses. I dyti, Gjermani, ku po ashtu “Heshtja...” u mirëprit. “Çka ishte befasuese për mua ishte mënyra e reagimit të publikut. Filmi e ka një temë shqiptare, ndodh në një vend të caktuar, është temë goxha lokale”, ka thënë regjisori e skenaristi i filmit, të cilin e presin destinacionet e radhës
Ka qenë publiku në Brazil ai që i pari e ka parë filmin “Heshtja e sirenave” me skenar dhe regji të Gazmend Nelës, kur u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sao Palo. Filmi qe shfaqur në kategorinë “New Filmmakers” në ngjarjen e cila në ditën e parë të këtij muaji përmbylli maratonën dyjavore të edicionit të 47-të. Prej aty, zbarkoi në Evropë, kur po këtë muaj u shfaq në Gjermani.
Si premiera botërore njashtu edhe ajo evropiane, për regjisorin Nela, kanë peshë të madhe. Është një fillim i mbarë për filmin e tij, të cilin e presin destinacionet e radhës. Regjisori i këtij filmi të gjatë, disa ditë pasi është kthyer prej atje, thotë se Brazili ka qenë shenja e parë pozitive për pritjen nga publiku. Salla ka qenë plot.
“Premiera ishte në ‘Sao Paolo Film Festival’ apo ‘Mostra’. Është edicioni i 47-të. Është një pjesë tjetër e botës prej këtu në Kosovë dhe ishte premiera e filmit, edhe për mua ishte kontakti i parë me publikun. Ishte me një publik që nuk e njoh, por pasi që u shfaq filmi reagimet ishin shumë të mira. Ka pasur shikues, gjë që ka qenë shumë befasuese për mua për shkak se një film prej një vendi jo shumë të madh ka shkuar me një festival të madh, me një ngjarje shumë të madhe dhe tërë ai numër i shikuesve njëmend ishte shumë kënaqësi”, ka thënë Nela në intervistën për emisionin “Nëpër film”, transmetuar të shtunën. “Ai kontakti i parë me publikun ishte mbresëlënës”, ka thënë Nela.

Pak pas pjesëmarrjes në edicionin e 47-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “Sao Paulo”, për “Heshtjen e sirenave” destinacion u bë edicioni i 33-të i Festivalit të Filmit në Cottbus, i mbajtur prej 7 deri më 12 nëntor.
Edhe në Festivalin në Gjermani Nela ka thënë se publiku e ka zënë në befasi duke treguar një interesim të jashtëzakonshëm për filmin.
“Aty e patëm nëse mund ta quaj një premierë evropiane. Është shfaqur në një kinema shumë të madhe dhe të vjetër. Edhe aty befasisht pati shikues. Për mua nuk përfundon filmi vetëm me xhirime dhe montazh. Për mua përfundon kur e sheh shikuesi, sepse atëherë përfundohet njëfarë cikli, rrethi i filmit pasi edhe atëherë ata marrin diçka tjetër prej filmit dhe në këtë mënyrë përfundon filmbërja”, ka thënë Nela.
Pjesë e kastës së filmit janë: Sunaj Raça, Allmir Suhodolli, Armenis Nokshiqi dhe Rina Krasniqi. Tema që filmi e trajton flet për një oficer policie, i cili ia vjedh disa para një gjyqtari ndërkombëtar të një gjykate speciale në Kosovë. Paratë ishin ryshfet për gjyqtarin. Tani oficeri përballet me dilemën nëse duhet t’i mbajë paratë dhe të mohojë gjithçka ose të gjejë një mënyrë për t’i kthyer paratë për sigurinë e familjes së tij.
Tema sipas Nelës është lokale. Shpërfaq një realitet nga vendi i origjinës së filmit. Edhe ai vetë ka thënë se ka pasur dilema sa i përket asaj se a do ta kuptojë drejt publiku ndërkombëtar.
“Çka ishte befasuese për mua ishte mënyra e reagimit të publikut. Filmi e ka një temë shqiptare, ndodh në një vend të caktuar, është temë goxha lokale. Ato dilemat e mia që i kisha se si do të reagojë publiku joshqiptar dhe kur u shfaq filmi, kishte reagime të ndryshme pikërisht aty ku unë kam menduar se duhet të ketë reagime, kështu që u ndava i kënaqur edhe me shfaqjen në Brazil, edhe me atë në Gjermani”, ka thënë Nela.
Është viti i ardhshëm koha kur “Heshtja e sirenave” pritet të shfaqet për publikun në Kosovë. Regjisori e ka theksuar se pos në ndonjë festival do të bëhet pjesë e ekraneve të mëdha të kinemave.
“Po besoj që vitin e ardhshëm do ta shfaqim filmin edhe në Kosovë. Me publikun vendor është një relacion tjetër, kështu që emocionet do të jenë edhe më të mëdha. Mezi po pres deri në vitin tjetër që filmi të shfaqet në ndonjë festival apo edhe nëpër kinema”, ka thënë Nela.
“Heshtja e sirenave” është bashkëprodhim i “Frame production”, “Ikonë Studio”, “Alva Film”, “Albasky Film”, “Skopje Film Studio”, “RTS Radio Télévision Suisse”, “In My Country Post Production”, dhe i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Ndërsa për producentë ka: Arben Shalën, Valon Bajgorën, Britta Rindelaub, Thomas Reichlin, Paskal Seminin, Tomi Salkovski dhe Gazmend Nelën.